Korrupsioni dhe mungesa e besimit në ATK është shqetësuese

​Drejtues të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në tryezën e konsultimeve publike me përfaqësues të bizneseve, lidhur me hartimin dhe zbatimin e planit për përmirësimin e integritetit të ATK-së, theksuan se me këtë plan synojnë përmirësimin e mëtejmë të cilësisë së shërbimeve për qytetarët, tatimpaguesit, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe zvogëlim të mundësive për praktika korruptive.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, tha se ATK ka përgatitur një draft dokument për përmirësim të efikasitetit në këtë institucion.

Murtezaj tha se ATK ka avancuar shumë në proceset e ofrimit të shërbimeve më të mira për tatimpagues, por nuk është e mjaftueshme dhe që synohet të avancohet më tutje.

Sa i përket korrupsionit, ai tha se është ulur perceptimi për korrupsion në ATK, krahasuar me dy vite më parë.

Murtezaj: Perceptimi për korrupsion në ATK është shqetësues

“Këtë vit është bërë anketa e fundit të 2019, e cila ende nuk është bërë publike, mirëpo në ketë anketë në shumë indikator, Administrata Tatimore ka arrit avancim të theksuar njëkohësisht dhe te indikatori që ka bëjë me integritetin ose me perceptimin e qytetarëve lidhur me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, ka një avancim. Nga një e dhënë që ka qenë në vitin 2017, rreth 43 përqind e qytetarëve të cilët janë deklaruar se ka korrupsion, në matjet e fundit të 2019 rezulton se ajo të jetë 36 përqind. Megjithatë, kjo është shqetësuese, është nivel shumë i lartë dhe për këtë ne synojmë si ATK në bashkëpunim me USAID edhe bizneset që të gjejmë rrugën  drejt për përmirësimin e këtij imazhi”, deklaroi Murtezaj.

Murtezaj foli edhe për borxhet ndaj këtij institucioni që aktualisht është 350 milionë euro.

Ndërsa, drejtori i Zyrës për Zhvillim Ekonomik të USAID-it në Kosovë, Joshua Mike duke folur për rëndësinë e këtij plani për integritet, tha se ekonomia e Kosovës vuan nga informaliteti i lartë, që ndikimet janë negative në shumë aspekte.

Mika tha se planet më të mira të veprimit janë ato që për zbatimin e deklarimit elektronik të taksave, ku dhe platforma elektronike është një përpjekje e mirë për modernizmin e ATK-së, si dhe është një sinjal i mirë që Kosova është në drejtimin e mirë.

Mike: Ekonomia në Kosovë vuan nga nivelet e larta të informalitetit

“Duhet të jemi të vetëdijshëm që ekonomia në Kosovë vuan nga nivelet e larta të joformalitetit që rezulton në ndrydhjen e rritjes ekonomike dhe në zhvillimin afatgjatë ekonomik. Kjo inkurajon punësimin e pamjaftueshëm, i zvogëlon stimujt për zhvillim dhe për çdo rritje të prodhimit vendor dhe për rritje të eksportit. Për USAID-in, është nderë që është pjesë e një lloj lëvizje ose përpjekje si kjo. Pra, po them që është inkurajues që shoh në vepër këtë bashkëpunim”, deklaroi Mike.

Drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, Arian Zeka theksoi se një format i dialogut si ky duhet të jetë i vazhdueshëm ndërmjet bizneseve dhe ATK-së për një aspekt të rëndësishëm që është raportimi i korrupsionit me të cilin bizneset ballafaqohen.

Zeka tha në bazë të një studimi, ATK rangohet në aspektin e korrupsionit real këtë vit.

Zeka: ATK rangohet në aspektin e korrupsionit real

“Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës ka kryer tash së fundmi një anketë dhe një studim në bashkëpunim me programin e aktivitetit të drejtësisë komerciale të financiare po ashtu Agjencioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvillim ndërkombëtar, dhe ngjashëm si vitin e kaluar edhe këtë vit, ATK rangohet goxha mirë në aspektin e korrupsionit real, jo korrupsionit të perceptuar, edhe pse ka pasur një rënie të lehtë krahasuar me të gjeturat e vitit të kaluar. Ajo çka është shqetësuese, nuk po i përmendi shifrat, ai studim do të publikohet javën e ardhshme”, tha Zeka.

Zeka theksoi se ajo çka është shqetësuese është se prej atyre që janë ballafaquar me korrupsion real, jo vetëm në rastin e ATK-së, por edhe në institucionet e tjera shtetërore, është që një përqindje shumë e vogël e atyre e kanë raportuar korrupsion.

Fikret Havolli nga kompania ‘Passable’, duke paraqitur vërejtjet e tij, tha se në këtë plan për integritet nuk është përfshirë plani zhvillimor afatgjatë për luftën e informalitetit në përqindje sipas viteve.

Havolli shtoi po ashtu se padrejtësisht si biznes është ndëshkuar edhe nga ATK-ja.

Havolli: Informaliteti dhe ndëshkimet pa bazë ligjore duhet të ndalohen

“Unë kisha sugjeruar që raportin e informalitetit dhe një plan për luftimin e informalitetit të trajtohet me një kujdes të madh dhe të ndahet në operacione. Për këtë, por them, sepse nuk përdoren shënimet prej BQK-së dhe bankave komerciale për të hyrat e individëve dhe të hyrat e kompanive si dhe dorëzimi i bilanceve që bëhet në banka kompanitë e ndryshme. Andaj, këto të dhëna duhet të verifikohen të jenë transparente në raport me ATK-në për mos me i ndëshkuar bizneset reale sikur që ka ndodhur rasti te ne, ku inspektori vjen na ndëshkon dhe arsye është kjo, sepse ne kemi bërë shitje në bazë të ligjit, me arkë fiskale. Mirëpo, inspektori thotë: ‘Kjo nuk bënë kështu” Pse nuk bënë kështu? “Nuk e di, po kështu nuk bën”. Realisht ky është një problem i madh, sepse kthehemi prapë te informaliteti dhe te arkat fiskale që nuk janë implementuar realisht”, deklaroi Havolli.

Ndryshe, hartimi i këtij plani është duke u mbështetur nga Programi i USAID-it për Qeverisje Ekonomike në Kosovë, që njëherësh është edhe bashkë organizator i procesit të konsultimeve publike.

Kategoritë
EkonomiLajmeVendi

Të ngjajshmet