Korrigjimi i kufijve, ide e rrezikshme…

Një valë e re e analizave, sintezave, komenteve, deklarimeve etj, ka vërshuar mediat e Kosovës, nëpërmjet të cilave autorët po përpiqen ta zbërthejnë atë që ende ka mbetur i mistershëm, opsionet e një plani për marrëveshje finale të Kosovës me Serbinë. Vet Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka shfaqur karakterin e tij kundërthënës brenda një kohe shumë të shkurtër, duke e mohuar fillimisht idenë e korrigjimit, pastaj duke e promovuar si variant të mundshëm në procesin e bisedimeve. Por rreziku i madh qëndron, sikundër thonë disa, te një bosnjëzim i vendit, dhe jo te shkëmbimi i territoreve – shkruan Gazeta e Re.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, sot në një koment të publikuar në të përditshmen Koha Ditore, ka përjashtuar në mënyrë kategorike versionin e ndarjes së Kosovës: <<Në asnjë rrethanë, ndarja e Kosovës nuk do të jetë temë e dialogut>> – është shprehur ai ndër të tjera.

<<Kosova do të shkojë në dialog, në mënyrë që finalja e tij ta prodhojë një marrëveshje ndërkombëtarisht obliguese – e cila sjell njohjen e Kosovës, ulësen në OKB dhe përshpejtimin e rrugës së integrimeve euroatlantike. Kjo është agjendë e jona e përbashkët me SHBA-në dhe BE-në>> – ka sqaruar ai më tej.

Ndërsa Presidenti Thaçi, edhe njëherë, ka këmbëngulur se plani i tij është shumë i qartë: <<Nuk ka ndarje përgjatë vijave etnike, por po në korrigjimin e kufirit dhe njohje reciproke>>.

Presidenti e di që partitë në pushtet nuk janë pro kësaj kauze të rrezikshme të tij, për ndarje ose korrigjim kufijsh, siç nuk janë të pajtimit edhe partitë e tjera opozitare. Në fakt, iniciativa e Partisë Socialdemokrate për ta kthyer çështjen në kuvend dhe për ta veshur me përgjegjësi të plota këtë institucion për sa i përket procesit të bisedimeve, u tregua e dështuar, ndërsa propozim rezoluta për dialogun, nuk mori mbështetjen e duhur.

Por <<nuk është qëllimi i Serbisë shkëputja e veriut të Kosovës e bashkimi i tij me Serbinë. As i bashkësisë ndërkombëtare. Qëllimi është një ‘Republika Srpska’ në kuadër të Kosovës. Jo shkëputje. Presidenti i Kosovës po e hedhë idenë e ndarjes, në kuptimin e shkëputjes, me qëllim që kur të ndodhë ndarja e brendapërbrendshme, pra ‘Republika Srpska’ në kuadër të Kosovës, ne të themi: Epo, në rregull, me rëndësi nuk ndodhi shkëputja>> – ka komentuar Shkëlzen Gashi, studiues dhe njohës i zhvillimeve politike në vend.

Po kaq të rrezikshme këtë ide e sheh edhe analisti Blerim Gashani, ndonëse sipas tij: <<Idetë për shkëmbime territoresh nuk janë të reja në fushën e gazetarisë e publicistikës shqiptaro e serbe, kurrë pa ia arritur të hyjnë në tryezat politike, diplomatike e ushtarake. Arsyeja për këtë është se shqiptarët e Kosovës kanë pasur vetëm pretendimet dhe të drejtën e popullatës shumicë, ndërsa serbët i kanë pasur krejt ato territore të ‘shkelura me çizme ushtarësh’. Diçka që do të mund të ndihmonte në këtë rast, e ka vështirësuar tej mase çështjen: indiferenca makabre (shpesh rreshtimi i plotë kah serbët) e Shqipërisë Londineze ndaj territoreve të kontestuara.>>

Gashani mendon se serbët, e kanë të vështirë ta vendosin në tavolinën e bisedimeve opsionin e tillë, por mandej, me përvojën e tyre, ata pa dyshim, do t’i mundin shqiptarët e përfaqësuar nga liderët e ngelur politikë.

Daniel Serwer, analist amerikan, opsionin e ndarjes dhe shkëmbimit të kufijve, e ka cilësuar, po ashtu si të rrezikshëm. Korrigjimi sipas tij, është një <<Kuti e Pandorës>> e cila mund të ketë efekt domino në tërë Ballkanin. Në një mendje me të janë edhe Albert Rohan, një ndër zyrtarët e përfshirë në procesin negociator për statusin përfundimtar të Kosovës. Rohan, në një bisedë për Kohën Ditore, ndër të tjera ai ka thënë se diplomacia Kosovare nuk guxon ta ulë vlerën e kompromisit nën atë ça e parasheh Pakoja e Ahtisarit. Në këtë valë reagimesh është përfshirë edhe shkrimtari e publicisti shqiptar nga Maqedonia Kim Mehmeti. Ky i fundit mendon që korrigjimi i kufijve të Kosovës me Sërbinë, do të çojë në një valë korrigjimesh të kufijve ndërmjet shumë shteteve të Ballkanit. Për Kallxo.com ai ka thënë se <<duhet njeriu të jetë mbi mesataren idiot>>, që të besojë se Kosova do të përfitojë nga kjo ide, pa humbur asgjë nga territori i saj. Sipas raportimeve, Qeveria e Kosovës sot do të mund ta ketë në ‘dorë’ draftin për Asociacionin. Deri në reagimin zyrtar të qeverisë, nuk mund ta dimë me saktësi se ç’përmbajtje do të ketë ky draft, ndërsa diskutimet vijojnë. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet