Koronavirusi: Shkupi me masa parandaluese, Shqipëria me rrezikshmëri të ulët, Kosova apelon për ngritjen e vigjilencës

Në aeroportin ndërkombëtar Shkup ka filluar zbatimi i masave parandaluese kundër koronavirusit, ndërkohë Shqipëria ka deklaruar se mbetet me rrezikshmëri të ulët, ndërsa Kosova ka apeluar për ngritjen e nivelit të vigjilencës.

Në aeroportin ndërkombëtar Shkup nga sot ka filluar zbatimi i masave parandaluese kundër koronavirusit, ndërkohë Shqipëria ka deklaruar se mbetet me rrezikshmëri të ulët për depërtimin e koronavirusit, ndërsa Kosova ka apeluar që institucionet shëndetësore publike dhe private të ngrisin nivelin e vigjilencës, raporton Anadolu Agency (AA).

Maqedoni e Veriut: Nuk ka hapësirë për panik, por do të ndërmerren masa parandaluese

Në aeroportin ndërkombëtar Shkup nga sot do të zbatohen masa parandaluese kundër koronavirusit. Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, informoi se është mbajtur mbledhje me Komisionin për sëmundje infektive me ç’rast theksoi se një nga konstatimet është se nuk ka hapësirë për panik, por pas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), do të ndërmerren masa parandaluese.

Me kamera termale do të skanohen pasagjerët e fluturimeve nga Stambolli dhe Dubai që kanë lidhje me rajonin në Kinë, ku është vatra e këtij virusi. Në aeroport do të aktivizohen edhe ekipe mjekësore të cilat do të bëjnë kontrolle të pasagjerëve të dyshuar.

“Ne nuk kemi komunikim të drejtpërdrejt dhe fluturime direkte me këtë rajon, kjo do të thotë se njerëzit të cilët do të vinin eventualisht prej atje tashmë disa herë janë skanuar në aeroportet tjera. Ne do të ndërmarrim masa parandaluese dhe tashmë prej nesër për fluturimet nga Stambolli dhe Dubai, të cilët kanë lidhje me këtë rajon në Kinë, pasagjerët do të skanohen me kamerë termale”, deklaroi dje ministri Filipçe.

Siç tha ai, aeroporti i Shkupit në pajtim me zhvillimet e fundit është vlerësuar në nivelin më të lartë dhe se përmbush standardet më të larta të detektimit dhe njohjes së hershme dhe izolimit të hershëm nëse tek pacientët potencialisht të infektuar gjenden simptome të tilla.

Shqipëri: Mblidhet task-forca për të koordinuar masat për koronavirusin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, njoftoi se Shqipëria mbetet me rrezikshmëri të ulët përsa i takon depërtimit të koronavirusit të ri. Ajo ka mbledhur task-forcën e institucioneve të shëndetësisë dhe ekspertëve për të koordinuar masat për koronavirusin e ri, i cili është identifikuar në qytetin Ëuhan, Kinë.

Manastirliu gjatë këtij takimi ka theksuar se Shqipëria po merr masat paraprake, për mbrojtjen ndaj këtij virusi.

“Nga raportimi i fundit që kam nga strukturat tona të shëndetit publik, Shqipëria mbetet vend me rrezik të ulët përsa i takon depërtimit të koronavirusit të ri”, tha Manastirliu.

Sipas saj, situata po menaxhohet bazuar në rregulloren ndërkombëtare të shëndetit dhe çdo veprim është në koordinim me OBSH-në.

Ndërkohë, në njoftim theksohet se edhe pse Shqipëria nuk ka lidhje direkte ajrore me Kinën, bazuar në rekomandimet e OBSH-së, janë marrë masat përkatëse në aeroport.

“Kemi rritur survejancën në aeroport dhe pikat kufitare me njësinë tonë të përhershme të shëndetësisë. Janë shtuar masat higjieno-sanitare, është trajnuar stafi i njësisë së shëndetësisë në pikat kufitare dhe janë riaktivizuar protokollet përkatëse për situata të tilla”, ka theksuar Manastirliu.

Task-forca e përbërë nga drejtues të institucioneve shëndetësore, mjekë dhe ekspertë të shëndetit publik, drejtues të njësive në pikat e kalimit kufitar, përfaqësues të policisë kufitare, zhvilloi takimin e parë për të koordinuar masat parapërgatitore mbi koronavirusin ri.

Kosova formon grup punues për koronavirusin

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) po ashtu ka mbajtur takim të hënën me Komitetin për Sëmundje Ngjitëse, me temë diskutimi pneumoninë virale me koronavirus.

Siç bëhet e ditur nëpërmjet një njoftimi të këtij instituti, drejtori Ekzekutiv i IKSHPK-së, Naser Ramadani, lidhur me këtë sëmundje ka thënë se në Kosovë nuk ka akoma asnjë rast të konfirmuar zyrtarisht me koronavirus. Por, Ramadani theksoi se është e nevojshme të aktivizohen të gjithë mekanizmat shtetërore e institucionale, në rast të paraqitjes së ndonjë rasti të dyshimtë.

Po ashtu, ai tha se Instituti “është i gatshëm, për menaxhimin e të gjitha rasteve dhe përcjelljen e situatës epidemiologjike, ndërsa shtoi se nuk ka nevojë për panik, por, sipas tij, ka nevojë për kujdes”.

Përfaqësuese nga Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, Isme Humolli, njoftoi se matja e temperaturës së udhëtarëve me laser, në aeroportin e Prishtinës, mund të mos jetë aq efektiv, në zbulimin e kësaj epidemie.

Në anën tjetër, Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj, potencoi faktin se kanë bërë kërkesë që të pajisen me maska dhe mjete tjera mbrojtëse, si dhe tregoi planin për të krijuar një repart të izolimit, brenda kësaj klinike, në rast të paraqitjes së ndonjë rasti.

Në fund të këtij takimi, u vendos që të formohet një grup punues, në lidhje me pneumoninë virale me koronavirus. Instituti Kombëtar ka rekomanduar te të gjithë drejtorët rajonal të Shëndetësisë Publike dhe punëtorët shëndetësor që të rritin nivelin e vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.

Gjithashtu nga masat e marra në Kosovë, në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” është vendosur ekipi mjekësor, me të cilët IKSHP është në kontakt të vazhdueshëm për mbikëqyrjen e situatës në rast të shfaqjes së personave të dyshimtë me sëmundje ngjitëse.

Koronavirusi

Në qytetin kinez Ëuhan, në të cilin u paraqit lloji i ri i koronavirusit (2019-n VoC), që më vonë kaloi në epidemi, deri tani jetën e kanë humbur 80 persona, ndërsa numri i të infektuarve është rritur në 2.744. Sipas njoftimit të cilin e lësoi Komisioni për shëndetësi kombëtare të Kinës, koronavirusi është përhapur në çdo krahinë dhe krahinë autonome, përveç në krahinën autonome Tibet.

Krahas kësaj, në Hong Kong janë regjistruar 8 raste të koronavirusit, 5 në Makao dhe 4 raste në Tajvan.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet