Korona virusi dhe ekonomia e Kosovës

Shkruan:  Av. Faik MIFTARI

Korona virusi Covid-19 gjatë periudhës kohore të saj pa mëdyshje do të shkaktojë pasoja të mëdha për ekonominë e Kosovës në përgjithësi e me  theks të posaçëm për disa sektor të caktuar në veçanti.

Duke marrë parasysh se shkalla e eksportit dhe importit në Republikën e Kosovës  është në raport përafërsisht 1 me 9, në favor të importit,  apo  të shprehur në shifra, 10 % eksport, me rreth 300 milion Euro në vit , dhe 90 % import,me  rreth 3 miliard Euro  në vit, ky trend sivjet për shkak të pandemisë do të jetë edhe më i disfavorshëm.Pandemia e Korona virusit Covid-19 do të godasë disa sektorët e ekonomisë së Kosovës në një masë më të madhe, ndërsa disa sektorët nuk do të prek aq shumë  kjo pandemi e cila  e ka kapluar  gati tërë botën, njashtu  edhe Kosovën.

Sektori më i goditur është ai i biznesit të vogël, i cili për shkak të kufizimeve të lëvizjes, karantinës, mbylljes,  ka pësuar goditje më të madhe. Kur them biznesi i vogël, mendoj pikësëpari në rrjetin gjerë të dyqaneve dhe qendrave tregtare, kafeve, restoranteve, dyqaneve hoteliere(qebaptoreve, ëmbëltoreve, fast-food), hoteleve, etj., të cilat gjithandej Kosovës kanë zhvilluar një biznes sado kudo të qëndrueshëm, kush më tepër e kush më pak, dhe në të cilin ishin të punësuar një numër i konsideruar i punëtorëve me të ardhura personale më të vogla në krahasim me sektorin publik, por sado kudo  me paga të rregullta mujore.

Sektori i dytë i cili ka pësuar goditje të rëndë, është transporti urban, ndërurban e ndërkombëtar, pasi që kemi hyrë në javën e trete  që nuk lëvizin dot autobusët si brenda Kosovës ashtu edhe jashtë Kosovës. Krahas kësaj duhet shtuar edhe transportin ajror,  pothuajse  janë ndërprerë të gjitha  fluturimet nga aeroporti i Prishtinë drejt linjave të ndryshme në botë, përveç atyre për qëllime humanitare, transportuese, ushtarake apo të kthimit të shtetasve tanë që kanë mbetur jashtë.

Sektori i tretë është  sektori i shitjes së karburanteve dhe lubrifikantëve, pasi që me ndërprerjen e qarkullimit të transportit urban e ndërurban  dhe zvogëlimit  në një masë të madhe lëvizjes së njerëzve, shitja e tyre ka rënë dukshëm, përkundër saj se çmimi i tyre ka rënë  dhe kurrë nuk ka qenë më i lirë benzini apo dizeli, pasi që bareli i naftës në bursat botërore  ka rënë në 20 dollar.

Sektori tjetër që ka pësua rrënje të dukshme është sektori i bizneseve shërbyese, sikurse atyre që ofrojnë sektori publik poashtu edhe sektori privat, këtu mendoj në sektorin administrativ, judikaturës, shëndetësisë, të cilët për shkak të kufizimeve në një masë të madhe apo ndërprerjes së tyre nuk janë duke ofruar shërbimet e rregullta  gjatë kohës së pandemisë së Korona virusit Covid-19.

I vetmi  sektor që ka shënuar një rritje të fluksit, janë marketet(të mëdha e të vogla), furrat dhe barnatoret, të cilët për shkak të situatës së krijuar janë duke punuar shumë më tepër për shkak të gjendjes së krijuar dhe për shkak të frikës dhe panikut,  si rrjedhojë e kësaj qytetarët janë furnizuar me rezerva të shumta, nga ato  normale  të gjertanishme  të rregullta ditore.

Sektorët që nuk kanë pësuar goditje  në zhvillimin e biznesit të tyre janë sektorët e furnizimit me energjinë elektrike, ujë, dhe shërbimet komunale, telekomunikacioni, interneti, stacionet  televizive tokësore, kabllovike, portalet elektronike, të cilët  edhe në këtë situatë të krijuar janë duke punuar në një masë të konsiderueshme ,  varësisht prej llojit të shërbimit që ofrojnë.

Kjo goditje që pësoi ekonomia e Kosovës nga pandemia duhet të ndërgjegjësojë  jo vetëm institucionet  shtetërore por edhe qytetarët e Kosovës , se duhet ndryshuar në të ardhmen qasjen e perceptimit të zhvillimit të ekonomisë së Kosovës, për të qenë sado kudo më të përgatitur dhe me një ekonomi më të strukturuar në rrafshin e industrisë ushqimore, kundruall pandemive eventuale që do të mund të na godasin me periudha më të gjata kohore.

Ministria e bujqësisë së Republikës së Kosovës, tani e tutje duhet të bëjë një planifikim të shtuar  që të mos mbetet asnjë hektar tokë djerrinë në Kosovë, nga ata që nuk duan të punojnë tokën, dhe me subvencione të mundësojnë fermerët tjerë që të mbjellin këto sipërfaqe me grurë e misër, dy produkte  kryesore për ushqimin e njerëzve dhe të kafshëve. Poashtu duhet të bëhet stimulimi dhe subvencionimi edhe i blegtorëve në një masë të konsiderueshme për rritjen e stoqeve bagëtish (lopëve, gjedhëve, deleve, etj.), me të cilin automatikisht do të rritej prodhimi  i mishit në  Kosovë, por edhe i bylmeteve( qumështit, djathit, tëlyenit,etj.) me të cilin do të zvogëlohej dukshëm varshmëria e Kosovës nga importi i gjërave kryesore ushqimore, sikurse që janë drithërat, produktet e mishit dhe bulmetet, sepse  nuk mund të paramendohet jeta e njeriut pa këto produkte bazike ushqimore.

Tani e tutje, jo vetëm në fshatra, por edhe në qytetet, ata që kanë shtëpia me oborre përreth, në rast se i kanë mbuluar gjer tani  me kubëza apo beton, duhet të mendojnë të lirojnë një pjesë bukur të madhe, për të mbjell me perime të ndryshme me të cilin do të mund në rast se jo më tepër, bile të furnizojnë familjet e tyre me perime vetanake të mbjella, sikurse janë, qepë, hudhra, domate, speca, tranguj, karota, patate e tjera, e aty këtu që mbetet hapësirë e lirë të mbjellin edhe ndonjë pemë, sikurse molla, dardha, qershia, kajsia, pjeshka, etj.

Këtë kur e them, mendoj se po të rritej zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë në një masë  më të madhe, aq më tepër do të zvogëlohet varshmëria e Kosovës për importin e këtyre gjërave ushqimore esenciale pa të cilin nuk mund të paramendohet jeta e njeriut. Sa për ilustrim të ceki se vetëm për dy ditë prej se u hoq taksa 100% , nga Serbia kanë hyrë 100 maune me produkte të ndryshme, krahas  dhjetëra mauneve tjera të rregullta nga shtete tjera që hyjnë përditë në Kosovë, me të cilin nënkuptohet se   Kosova kryesisht  varet nga importi. Varshmëria   e Kosovës kryesisht  nga importi, është e paqëndrueshme, e sidomos në raste të caktuara  mund të jetë e dëmshme , sidomos gjatë pandemive të ndryshme që do të mund të  paraqiteshin eventualisht  kohë pas kohe dhe që do të mund të zgjasnin në periudha më të gjata kohore, me ç’rast si pasojë e kësaj, do të mund të zvogëlohet apo të ndalet importi, pasi që në situata të këtilla secili shtet do të mundohet pikësëpari të furnizojë shtetasit e vet, dhe në këtë mënyrë Kosova do të mund të përjetonte kolaps.

Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, duhet të përballen  seriozisht dhe nga kjo pandemi të nxjerrim mësim, se tani e tutje më nuk duhet investuar  vetëm në asfalt e beton anekënd Kosovës, por  sa më shumë duhet investuar  në zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, si dy sektor bazik  për  mbajtjen gjallë të qytetarëve të Kosovës.

Dhashtë Zoti që kjo pandemi të zgjat 3 muaj, e ruana Zot të mos zgjat 3 vjet!

 

                                                  


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
FamiljeOPINIONEOpinione - BallinaShëndetësi

Të ngjajshmet