Korab Sejdiu: Do të angazhohem për fuqizimin e rinisë, drejtësi për qytetarët dhe ulje të papunësisë

Korab Sejdiu studimet bazike i ka përfunduar në vitin 2001 në The College of New Jersey, duke diplomuar në Biznes Ndërkombëtar dhe Ekonomi. Në 2004, ai fitoi titullin Juris Doctor nga Widener University në Delaware të SHBA-ve. Në vitin e fundit të studimeve të doktoratës, ai u emërua Wolcott Fellow,  gjë që i mundësoi atij që të punojë në Gjykatën Kancelare të shtetit Delaware. Gjithashtu, gjatë studimeve të doktoratës, ai shërbeu si Redaktor i Jashtëm Menaxhues i Delaware Journal of Corporate Law, që është zhurnal me renome ndërkombëtare.

Sejdiu gjithashtu ka edhe një LLM nё tё Drejtën Bankare dhe Financiare nga në Universitetin e Bostonit. Ka licencë avokati dhe ka shërbyer si bashkëpunëtor në Gjykatën Supreme të New Jersey-it. Në Kosovë, pas kthimit në fund të vitit 2007,  e gjejmë fillimisht si këshilltar në instancat më të larta të shtetit, pastaj të angazhuar në disa kolegje e universitete private. Ai njihet edhe për publikimet në fushat si e drejta komerciale, bankare etj. Përveç gjuhës shqipe, Sejdiu flet edhe anglisht dhe serbisht. Ai është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet parakohshme të përgjithshme të 11 qershorit.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re, ai flet për angazhimet e tij në të ardhmen si deputet në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht vizionin e tij për perspektivën e të rinjve në vend.

Kur flet për dallimin ndërmjet përbërjes së legjislaturës së re me përbërjet e legjislaturave nga e kaluara, Sejdiu ndër të tjera thotë se legjislatura e re “ka dallim përmbajtjesor” duke thënë se shpreson që ta rikthej këtë potencial “në veprime konkrete dhe suksese për Kosovën dhe qytetarët e saj”.

GeR: Z. Sejdiu ju jeni njëri prej deputetëve të rinj të kësaj legjislature, cili do të jetë hapi i parë që do të ndërmerrni ju si deputet i Kuvendit të Kosovës?

Sejdiu: Unë kam garuar në këto zgjedhje duke premtuar angazhimin dhe përkushtimin tim lidhur me tri çështje specifike, përkatësisht fuqizimin e rinisë, drejtësi për qytetarët dhe ulje të papunësisë. Prandaj, menjëherë do të filloj me mobilizimin e masës kritike edhe brenda Kuvendit por edhe partnerëve nga institucionet e tjera që të më mbështesin e të bashkëveprojmë në arritjen e qëllimeve tona në këto tri drejtime.

GeR: A mendoni se ka hapësirë të mjaftueshme për deputetët e rinj në Kuvendin e Kosovës?

Sejdiu: Ndoshta është herët pak të flitet për hapësirë, pasi që ende nuk kemi filluar punën.  Por besoj, pavarësisht a jemi të rinj apo veteranë të Kuvendit, në pozitë jemi të barabartë dhe rrjedhimisht, hapësira në Kuvend e krijojmë vet. Punë ka shumë dhe varet nga ne se sa dëshirojmë të përdorim pozitën që kemi për të arritur rezultate konkrete për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Ne mund të krijojmë hapësirë si në seanca, ashtu edhe komisione, por edhe në koordinim me institucionet e tjera që i përkasin sferave në të cilat ne kemi përkushtim për kontribut.

GeR: Çfarë do t’i sillni të re ju Kuvendit të Kosovës?

Sejdiu: Besoj mbi të gjitha sinqeritet, profesionalizëm, angazhim me përgjegjësi dhe qasje korrekte. Do ta angazhohem që problemet me të cilat do të ballafaqohemi të jenë të adresuara profesionalisht, të ketë angazhim maksimal për të arritur rezultatin më të mirë të mundshëm dhe qasja e deputetëve të jetë korrekte ndaj njëri tjetrit. Veçanërisht kjo e fundit ka munguar në legjislaturat e kaluara.

GeR: Legjislatura e gjashtë, pjesë e së cilës do të jeni edhe ju, për mendimin tuaj, me çka do të mund të dallohet nga të kaluarat?

Sejdiu: Nga jashtë, duket se kjo legjislaturë ka potencialin të frymojë ndryshe nga ato të kaluarat. Këtij Kuvendi i takojnë një numër relativisht i madh i njerëzve me energji dhe ide të reja se si të zhvillohet vendi. Pra, po flasim për profesionistë që kanë qasje krejt tjetër nga ajo që kemi parë në të kaluarën. Po ashtu, është krijuar një masë kritike për ndryshim. Pjesë të këtij ndryshimi janë një numër i madh i deputetëve, që po shtyjnë përpara ndryshimin edhe në Kuvend, edhe në parti, edhe në shoqëri, por edhe në mes të gjeneratave. Prandaj, ka dallim përmbajtjesor dhe shpresoj që do të mund ta përkthejmë këtë potencial në veprime konkrete dhe suksese për Kosovën dhe qytetarët e saj.

GeR: Dhe për fund cili është mesazhi juaj për votuesit tuaj?

Sejdiu: Një falënderim i veçantë i takon të gjithë qytetarëve nga e tërë Kosova që më kanë votuar dhe të gjithë atyre që më kanë ndihmuar që të marr këtë përgjegjësi mbi supe. Jam mirënjohës ndaj ekipit tim të ngushtë, të përbërë pothuajse tërësisht nga të rinjtë profesionistë, strukturave të partive që përbëjnë koalicionin tonë dhe të gjithë vullnetarëve nga e tërë Kosova të cilët pa asnjë interes më kanë mbështetur në këtë sfidë. Prandaj, mesazhi i im për votuesit dhe të gjithë qytetarët është se do të angazhohem me përkushtim të plotë, që detyrën që kam marrë ta kryej më së miri që mundem dhe që kam kapacitet. Do të jem i sinqertë me ju, si në suksese, ashtu edhe në dështime.

Thënë atë, qytetarët i porosis të mos dorëzohen, se ditët e mira po vijnë dhe shpresa po i kthehet Kosovës. Puna jonë e përbashkët dhe e palodhshme, që nganjëherë do të jetë edhe shumë sfiduese, do të na e ndërtojë Kosovën për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë./Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTA JAVORE

Të ngjajshmet