Konkursi për IT të Komunës së Prizrenit “tërbon” opozitën në Prizren

Shqetësimeve të opozitës se në Prizren niveli i abuzimit ka mbërri në një shkallë të paparë deri më tash, zyrtarët komunal i përgjigjen: lidershipi i Komunës ka vetëm një kërkesë për zyrtarët komunal, zbatimin e ligjit në tërësinë e tij.

LDK, Nisma për Kosovën dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë reaguar kundër konkursit të fundit për IT të zyrës së personelit në Prizren, konkurs i cili sipas zyrtarëve të opozitës shpërfaq diskriminimin dhe padrejtësitë që ju bëhen kuadrove të reja.

Dega e LDK-së në Prizren, shprehet se përveç diskriminimit në këtë konkurs janë gjetur edhe shumë parregullsi në testin e ofruar për kandidatët ndërsa komisioni vlerësues është përzgjedh në kundërshtim me ligjin.

“Fillimisht kandidatët janë maltretuar duke humbur shumë kohë për pyetjet alternative të cilat në fund kanë rezultuar të mos kenë përgjigje sipas alternativave të dhëna, gjë që vërteton se një gjë e tillë ka qenë e përgatitur paraprakisht” shprehet zëdhënësi i LDK-së Shkëmbim Cikaqi .

Sipas LDK-së në komisionin përzgjedhës, përfaqësuesi nga fusha IT-së ka qenë me përgatitje më të ulët sesa kandidatët që janë intervistuar, që është në kundërshtim me rregulloren  nr. 02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil i cili thotë se “komisioni përzgjedhës përbëhet nga anëtarë të cilët kanë pozita më të larta se pozita që duhet të rekrutohet”.

Në Degën e Nismës për Kosovën në Prizren konsiderojnë se pasi kemi hyrë në vitin zgjedhor, pushteti dhe akterët e para politikës aktuale në Prizren rekrutojnë militantët për zgjedhje.

“Si gjithmonë në vitet zgjedhore hapen ofertat e punësimit për klientelën dhe militantët partiak, si shantazh, për të abuzuar në emër të votës. Pra duke vepruar si përherë edhe në konkursin e fundit për IT nuk respektohen as dispozitat minimale ligjore” u shpreh Afrim Bekteshi, sekretar i Degës së Nismës në Prizren.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje në shpalljen e konkursit për IT kriteret profesionale janë eliminuar në mënyrë të kundërligjshme.

“Fillimisht nuk është përcaktuar në mënyrë strikte arsimimi përkatës për këtë fushë e as përvoja në punë në fushën e IT, ndërsa vetë përbërja e komisionit përzgjedhës është një tjetër tregim në vete” thotë Drita MIllaku, nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren .

Sipas Vetëvendosjes niveli i abuzimit në Komunën e Prizrent ka mbërri në një shkallë të paparë deri më tash.

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, i kundërshton pretendimet e opozitës. Ai thotë se “Komuna e Prizrenit në politikën e konkurseve  operon mbi bazën e kërkesave të njësive administrative ose të zyrave komunale dhe të gjitha këto  kërkesa shtrohen në drejtim të zyrës së personelit .

“Zyra e personelit mbi bazën e këtyre kërkesave dhe mbi bazën e ligjit për rekrutimin e stafit civil hap mundësinë e konkursit. Konkurrojnë të gjithë qytetarët që e ndiejnë veten se janë të përgatitur dhe që mendojnë se i plotësojnë kushtet e konkursit. Paneli intervistues e nxjerr më të mirin sepse dy e më shumë  kandidatë përzgjidhen pasi i plotësojnë kushtet. Paneli intervistues i fton në intervistë. Personi që është më i përgjegjshëm me dokumente sipas kërkesave të konkursit në intervistim poentohet nga komisioni, i cili i sugjeron zyrës së personelit më të mirin dhe absolutisht nuk ka të bëjë as me politikën dhe as aspekte tjera”shprehet Berisha.

LDK shkon edhe më larg në reagim duke dhënë emra militantësh të PDK-së të punësuar në konkurset e fundit e këta sipas LDK-së janë: Xhevdet Dervishaj PDK (ish punëtor në zyren e PDK-së); Bashkim Rakaj PDK (për të cilin madje është anuluar konkursi nga këshilli i pavarur për mbikëqyrje); Adelina Hoxhaj – PDK (anëtare e forumit rinor); Ejup Ibrahimi PDK (anëtar i kryesisë, nëndega Kurillë) 5. Elhame Berisha PDK (ish drejtoreshë, madje kjo e pranuar në dy pozita të punës).

LDK, Nisma dhe Vetëvendosje kërkojnë nga organet hetuese, përkatësisht nga policia (departamenti i hetimeve) që t’i nisë procedurat hetuese pranë zyrës së personelit në komunën e Prizrenit, ndërsa kërkojnë edhe anulimin e këtij konkursi dhe shpalljen e një konkursi të ri, bazuar në legjislacionin në fuqi.

Ymer Berisha ka përgjigje edhe në këtë shqetësim të opozitës. “ Në adresë të të gjithë zyrtarëve komunal nga lidershipi i komunës ka vetëm një kërkesë zbatimi i ligjit në tërësinë e tij”. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet