Konjufca pas takimit në LDK: Nuk ka kushte nga asnjëra palë, nuk folëm për ministri

Për gati dy orë ka zgjatur takimi i parë i grupit punues të Vetëvendosjes dhe LDK-së lidhur me marrëveshjen e koalicionit qeverisës, ku të dyja grupet janë dakorduar lidhur me përmbajtjen dhe parimet e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Pas takimit i vetmi që u deklarua ishte Glauk Konjufca nga LVV, i cili  tha se kanë folur për temat të cilat e presin vendin dhe reformat e thella sektoriale.

Ai ka mohuar se është diskutuar për ndarje të ministrive, ndërsa ka mohuar gjithashtu edhe zërat se këto dy parti kanë kushte ndaj njëra tjetrës.

“Janë fol temat më të rëndësishme të cilat e presin qeverinë e ardhshme dhe reformat e thella sektoriale të cilat duhet t’i ndërmerr qeverisja e ardhshme VV së bashku me LDK. Nuk mund të flas në hollësi, sepse ne mendojmë që gjëja më e mirë e cila do t’i mund t’i kontribuonte kësaj atmosfere shumë të mirë të bashkëpunimit me të cilën filluan takimet tona do të ishte njëfarë lloj mirëbesimi, që e kemi ne në trajtimin e temave. Kështu që, krejt çka do të mund të thosha unë sot është që ne kemi shumë nevojë për reforma të thella në drejtësi, në arsim, në shëndetësi, në administratë. Pra, janë folur më shumë reformat sektoriale për të cilat ne kemi nevojë, nuk është folur as për ministri, nuk është fol as për ndarje të resorëve në këtë takim”, tha ai.

Ai deklaroi se nuk kanë kushte për LDK, e sipas tij as LDK nuk ka kushte për ta për qeverisjen e ardhshme.

“Kurrfarë kushti nuk ka pasur, takimi ka qenë në atmosferë shumë miqësore dhe në një bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Unë mendoj që kjo është rruga e duhur për arritjen e qeverisjes. As ne nuk kemi kushte për LDK as ata nuk kanë kushte për neve. Ky nuk ka qenë takim i kushteve, as përballje mes kushteve. Ky ka qenë një takim shumë i mirë me ç’rast janë fol temat më të rëndësishme të cilat e presin qeverinë e ardhshme dhe reformat sektoriale. Duke filluar prej atyre politike, në politikën e jashtme, pastaj në politikën e brendshme. Njëra prej temave është edhe dialogu”, tha ai.

I pyetur se nëse koalicioni Nisma-AKR-PD e kalon pragun a do t’i ftojnë për koalicion, ai tha se për këtë temë nuk kanë folur.

“Kjo nuk ishte tema e diskutimit tonë”, tha ai.

Grupi punues i Vetëvendosjes përbëhej nga Besnik Bislimi, Glauk Konjufca, ndërsa ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës përbëhej nga Avdullah Hoti dhe Lumir Abdixhiku.

Një takim i radhës i grupeve punuese të të dyja partive do të mbahet të mërkurën nga ora 15.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet