Komunat

Albinot Maloku

Edhe një herë qytetaret e Kosovës do ta kenë rastin t’i dëgjojnë e t’i shohin politikanët e vendit, duke dhënë premtime nëpër fjalimet e tyre të shumta, se si do ta bëjnë mrekullinë kur ata të vijnë në pushtet. Për dallim nga ata politikanët që defiluan në tubime e medie të ndryshme për zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit, tani do të jenë politikanët e komunave. Zgjedhjet e nivelit lokal të cilat do të mbahen me 22 tetor do të jenë rasti i dytë brenda këtij viti kalendarik, ku qytetarët do të përcaktojnë për katër vitet e ardhshme se kush do t’i qeverisë ata, kuptohet pra, në nivel komunal.

Për 38 komunat e Kosovës qytetarëve u janë ofruar rreth 7000 emra të cilët duan të jenë pjesë e asambleve komunale nga 91 subjekte politike, me rreth 200 kandidatë për kryetarë komunash. Nga këta 200 kandidatë, dominojnë meshkujt kundrejt një numri minoren të kandidateve për kryetare të komunave. Një është e sigurt, kuantitet ka me bollëk ndërsa kualiteti nuk është se mungon, por është shumë më i vogël.

Komuna si njësia më e afërt e qytetarit, e cila drejtpërdrejt i prek sfidat jetësore, është menduar në vazhdimësi të jetë adresa e cila në çdo moment do t’ia lehtësojë sfidat me të cilat përballet ai, në çdo moment, në çdo kohë e rrethanë. Niveli lokal edhe në rrethana tjera në të cilat është përcaktuar fati i Kosovës është cilësuar prioritar për qytetarin. Nisur nga kjo, ka ndodhur edhe decentralizimi si segment ndihmues për qytetarin. Sa ka arritur komuna të jetë zgjidhëse e sfidave, kjo gjë ende mbetet çështje e cila diskutohet.

Komunat e Kosovës po përballen me situata aspak të volitshme dhe atë në të gjitha segmentet në të cilat ato kanë kompetenca. Këtë e kanë konstatuar edhe monitoruesit e punës së qeverive lokale. Problem i cili po duket i pakalueshëm është politizimi i sektorëve të cilët prekin drejtpërdrejt qytetarin. Arsimi po konsiderohet i degraduar, shëndetësia jo e nivelit, aspak në pajtim me premtimet e dhëna dhe pritshmëritë e qytetarit, nga garniturat qeverisëse, kultura e sporti ende  po vazhdojnë të jenë në pritje të përmirësimit të tyre. Mirëqenia sociale ku komuna ka kompetenca e mundësi ende është me plotë vështirësi.

Nisur nga këto e probleme tjera brenda kësaj fushate do të ketë premtime nga më të ndryshmet. Mundësia për t’i realizuar premtimet të cilat do t’i dëgjojnë qytetarët bazuar në rrethanat aktuale janë pa dyshim të vogla. Nëse flasim për premtimet si punësimi dhe zhvillimi ekonomik i komunave, e nëse nuk përfshihet vazhdimi i politizimeve të atyre vendeve të punës, për vende të reja të punësimit mundësit gati asnjëra komunë nuk i ka reale. Nëse flasim për arsimin, prioritet i patjetërsueshëm është depolitizomi dhe insistimi në rritje të cilësisë mësimore e jo në premtime për ndërtime të objekteve të reja arsimore. Trafiku urban dhe rrugët gati në të gjitha komunat kanë sfida të njëjta, me ndonjë ndryshim të vogël, ku përkundër investimeve nevojat për rregullime e ri-rregullime për secilën komunë sipas kapaciteteve të tyre janë jo të vogla. Bujqësia e cila vazhdon me u pa si segment i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik nuk ka marr vëmendjen e duhur të qeverive lokale, pavarësisht premtimeve që janë dhënë. Mjedisi ka pësuar një degradim gati sistematik.

Të gjitha segmentet e lartpërmendura nuk do të ndryshohen përderisa nuk do të ketë qeverisje efikase e të mirë të qeverive lokale. Efikasiteti i qeverive lokale është vënë nën llupën e kritikës gati në çdo mes ku është folur për qeveritë lokale të Kosovës. Mos efikasiteti i qeverive lokale kryekëput ka qenë si pasojë e politizimit e partiakizimit të çdo gjëje ku ka pas mundësi të ndodh e inspirohet nga partia në pushtet.

Përgjithësisht thënë, këto zgjedhje lokale nuk janë test vetëm i forcës politike e nuk do të duhet të ishin, por test që do të nxjerr forca të pastra e të pa ngarkuara politike të cilat nuk do ta shohin komunën si pronë të partisë e të partiakëve, por të zhvillimit e prosperitet të komunës dhe qytetarëve të saj. E ajo që ngelet tek qytetarët është që të votojnë duke mos harruar bëmat e asnjërit kandidatë, çoftë për asamble a kryetar komune, dhe të dalin fitues ata që u shërbejnë më së miri qytetarëve.

Kategoritë
ANALIZA JAVORELajmet Kryesore

Të ngjajshmet