Komshiq: Kosova është shtet i pavarur

Anëtarit kroat në Presidencën e Bosnjës e Hercegovinës, Zhelko Komshiq, krahas gjendjes aktuale në këtë shtet të ndarë në tri entitete, ka folur edhe mundësinë e njohjes së Kosovës.

Komshiq, duke folur për iniciativat në rajon për ndryshimin dhe korrigjimin e tyre, në një intervistë për Deutsche Welle, ka thënë se mendon që kufiri i Bosnjë-Hercegovinës nuk duhet të ndryshojë, nuk duhet të preket dhe nuk duhet të ketë shkëmbime territoresh, sepse kështu krijohen precedente të rrezikshme.

“Kufijtë e B-H janë përcaktuar dhe këtë e ka konfirmuar edhe i ashtuquajturi Komisioni i Badinterit. Shkëmbimi i territoreve nuk vjen në konsiderim, sepse do të ishte një precedent i rrezikshëm”.

A vlenë ky qëndrim edhe për Serbinë dhe Kosovën?

Komshiq: Unë nuk mund të flas në emër të Serbisë dhe Kosovës.

Shumëkush bën paralele mes ndryshimit eventual të kufijëve atje me B-H?

Komshiq: Shumëkush mund t’i ndërlidhë këto gjëra me B-H, por kjo nuk do të lejohet në këtë vend. Kjo nuk ka lidhje me B-H. Se çfarë do të bëjnë Serbia dhe Kosova, kjo është çështje e tyre dhe do të ishte shumë e pahijshme të përzihemi në këto punë. Unë kam mendimin tim për këtë çështje, por ky është mendim privat.

Cili është ky mendim?

Komshiq: Po ju them: Ky është mendim privat. Unë vërtet mendoj që raportet mes Serbisë dhe Kosovës duhet të zgjidhen si raporte mes dy shteteve fqinje dhe miqsore. E si do të zgjidhen ato, kjo është çështje e tyre. Unë nuk kam kurfarë dileme se Kosova është shtet i pavarur. Por duhet ta dini – ky është mendimi im privat.

Cila do të jetë pozita juaj në këtë mandat për njohjen e pavarësisë së Kosovës? 

Komshiq: Pozita ime është absolutisht e qartë. Ju thash që Kosova është shtet i pavarur dhe do të ishte e mençur sikur ta njihte edhe Bosnjë-Hercegovina, por me Miloradom Dodikun në Presidencë, dyshoj se do të merret një vendim i tillë. Pra unë nuk e fsheh qëndrimin tim: Kosova është shtet i pavarur. /Dw/

Zhelko Komshiq, nga Fronti Demokratik, është zgjedhur anëtar i Presidencës, si pjesëtar i popullit kroat. Komshiq ka qenë dy herë më parë, para Dragan Çoviqit, anëtar i Presidencës së B-H.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet