Komisioni Hetimor njollosi ish-senatorin Bob Dole, parathënien për Thaçin e kishte shkruar pa pagesë (Dokument)

Në përshkrimin e punëve që kishte kryer kompania e mikut të shqiptarëve Bob Dole “Alston &Bird;”, thuhej se senatori Bob Dole “ka edituar dhe reviduar fjalën e tij hyrëse në librin e ardhshëm të presidentit Thaçi”.

Komisioni Hetimor Parlamentar, duke u bazuar në një faturë që kjo kompani ia kishte dërguar Qeverisë së Kosovës në korrik të vitit të kaluar, në vlerën prej 65, mijë dollarë kishte konstatuar se ajo dëshmonte se Hashim Thaçi e shfrytëzoi këtë kompani për librin e tij.

E njëjta gjë konstatohet edhe në raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar, lidhur me shpenzimin e parave të taksapaguesve kosovarë për lobim.

Në këtë raport, siç kishin raportuar mediat, dëshmohet se presidenti Thaçi e kishte shfrytëzuar kontratën që Qeveria e Kosovës ka pasur me “mikun e shqiptarëve” për librin e tij biografik.

Por, KosovaPress ka siguruar një letër të ve ish-senatorit Bob Dole, ku ai sqaron se puna e tij në hyrjen e biografisë së presidentit Thaçi nuk ishte pjesë e kontratës që ka të nënshkruar me Republikën e Kosovës dhe ajo parathënie është bërë në kapacitetin e tij personal dhe në interesin që ka për Republikën e Kosovës.

Letra e senatorit Dole dërguar ambasadores së Kosovës në SHBA Vlora Çitaku

“E nderuara Zonja Ambasadore, Dua t’iu falënderoj për mundësinë që më keni dhënë që të punoj në emër të Republikës së Kosovës, në emër të këtij vendi dhe shteti për njerëzit e të cilit unë kujdesem thellësisht.

Kosova, një shtet i ri i lindur prej vështirësish, vazhdon të jetë inspirim për botën teksa zhvillohet në një demokraci të begatë në Ballkanin Perëndimor. Puna ime në emër të Republikës së Kosovës, ashtu siç përcaktohet në kontratën tonë, përmban këshillime strategjike dhe avokim në emër të shtetit tuaj, përfshirë këtu në Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, në shërbim të forcimit të lidhjes ShBA – Kosovë.

Unë shpresoj që reprezentimi që i kam bërë Kosovës ka qenë ndihmues në përfshirjen e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara në çështje që përbëjnë rëndësi të veçantë për shtetin tuaj.

Me qëllim sqarimi, dua të përmend se puna ime në hyrjen e biografisë së presidentit Thaçi nuk ishte pjesë e kontratës që kam nënshkruar me Republikën e Kosovës dhe është bërë në kapacitetin tim personal dhe interesin që kam për Republikën e Kosovës.”, thuhet në këtë letër të ish-senatorit Bob Dole. /kp/

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet