Koment – Greqia dhe Shqipëria, miqtë e tensionuar të Ballkanit

Nga Dr. Erhan Türbedar

Shoqëritë dhe individët, për të kuptuar veten, sjelljet dhe identitetin e tyre, kanë nevojë të njohin të kaluarën. Nga ana tjetër, njohja e fakteve, është e rëndësishme nga aspekti i përparimit të shoqërive dhe realizimit të nevojave që ndjehen në këtë drejtim. Por kur bëhet fjalë për historinë e Ballkanit, vendet e këtij rajoni mund të thonë shumë pak gjera të përbashkëta. Kurse ngjarja, që ndodhi në 28 tetor 2018 dhe që rezultoi me vdekjen e nënshtetasit shqiptar me origjinë greke, Konstandinos Kacifa, tregoi se vendet e Ballkanit jetojnë në hijen e të kaluarës. Sepse historia në Ballkan, nuk shërben për të përparuar dhe ndryshuar, por gjallëron çështjet e të kaluarës.

Në Luftën I Botërore Shqipëria ishte një vend i pushtuar nga fqinjët. Në atë periudhë Shqipëria u njoh me ushtritë e 7 vendeve të ndryshme. Një prej tyre ishte edhe ushtria greke, e cila kishte pushtuar jugun e Shqipërisë. Kurse në prill të vitit 1916, grekët deklaruan jugun e Shqipërisë si një pjesë të territoreve të tyre. Edhe pse Shqipëria shpëtoi nga fuqitë e huaja në vitin 1921, mbeti për një kohë të gjatë nën ndikimin e Italisë.

Në Luftën e II Botërore edhe Shqipëria, edhe Greqia, si fillim u pushtuan nga Italia. Normalisht, kërcënimi i pushtimit italian duhet të drejtonte Shqipërinë dhe Greqinë drejt bashkëpunimit. Por për shkak se Athina ja kishte ngulur sytë territoreve në jug të Shqipërisë, ndodhi një gjendje e kundërt dhe në vitin 1941, pranë njësive italiane, në Greqi hynë edhe garnizonet shqiptare.

Vendimi i Greqisë për ti dhënë fund gjendjes së luftës, së shpallur kundër Shqipërisë në vitin 1940, u mor në vitin 1987. Por parlamenti i Greqisë, edhe sot e kësaj dite, nuk ka zhvilluar votimin e nevojshëm për të hequr Ligjin e Gjendjes së Luftës, për të cilën folëm më sipër. Tirana dhe Athina rikujtuan në vitin 2016 se Ligji i Gjendjes së Luftës vazhdon të qëndrojë teknikisht në zbatim dhe filluan punimet për ti dhënë fund kësaj gjendjeje.

Faktikisht, që nga viti 2016 e deri më sot, Greqia dhe Shqipëria kanë bërë përpjekje të rëndësishme për të gjetur zgjidhje të problemeve dypalëshe. Në këtë kuadër, në Shqipëri u zgjerua liria e përdorimit në nivel zyrtar të gjuhës amtare në bashkitë, ku e pakta 20% e popullsisë përbëhet nga pakicat greke ose ato të tjera. Ndërmjet Athinës dhe Tiranës filluan përsëri negociatat e marrëveshjeve të kufirit të Detit Jon. U krijua një grup i përbashkët pune përgjegjës për pastrimin e paragjykimeve reciproke në tekstet e librave të historisë. Në këtë kuadër, Greqia kërkon që nga librat e historisë dhe gjeografisë së Shqipërisë, të hiqen shprehjet në lidhje me Çamërinë. Nëse na duhet ta rikujtojmë, Greqia, me pretekstin se bashkëpunuan me fuqitë pushtuese italiane, dëbuan rreth 30 mijë çamë. Sigurimi i rikthimit të këtyre familjeve shqiptare në Greqi dhe rikthimit të pronave të tyre, refuzohet vazhdimisht nga autoritetet greke. Madje jo vetëm që refuzojnë të drejtat e këtyre familjeve por Greqia nuk dëshiron të dëgjojë edhe shprehjet (emrin) në lidhje me Çamërinë. Sigurisht që në bisedimet dypalëshe me Tiranën, Athina nuk harron të paguaj (në mënyrë të mbuluar) median shqiptare dhe disa sektorë të tjera. Këto shuma duhet të jenë aq të larta sa që Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias u detyrua të japë dorëheqjen në datën 17 tetor 2018.

Në kuadër të afrimit ndërmjet Athinës dhe Tiranës, që nga viti 2016 e këndej, ka tërhequr vëmendjen edhe në çështje tjetër. Këto negociata mundësuan kërkimin e mbetjeve të ushtarëve grekë, që vdiqën në tokat shqiptare gjatë luftës Greqi-Itali në vitet 1940-1941 dhe hapjen me ceremoni të varrit përkujtimor. Pikërisht në një varr të tillë përkujtimor, Kostandinos Kacifa, një nënshtetas shqiptarë me origjinë greke hapi zjarr kuturu me armë në datën 28 tetor 2018 dhe u vra pas ndërhyrjes së policisë shqiptare.  Edhe pse kjo ngjarje shkaktoi përballje reciproke ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë, edhe Athina, edhe Tiranë kanë kujdes në mënyrë që të mos dëmtohet atmosfera pozitive e kapur vitet e fundit ndërmjet dy vendeve. Por mediat e të dyja vendeve vazhdojnë akuzat reciproke për ngjarjen e Kacifas.

Kjo ngjarje tregoi se faktet historike të jetuara në Ballkan mund të shtyjnë me lehtësi rajonin në destabilitet edhe sot e kësaj dite. Duke pasur një prapaskenë historike, një ngjarje e zakonshme policeske, mund të kthehet në një çështje të madhe. Për më tepër, Kacifa në të ardhmen do të bëhet hero nga ana e nacionalistëve grekë, ndërsa nga ana e shqiptarëve do të kujtohet si një tradhtar separatist.

 


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet