Koalicionet e mundshme mes subjekteve politike sipas deputetëve e analistëve

Të flitet për zgjedhjet parlamentare në Kosovë e të mos mendohet për koalicionet e mundshme parazgjedhore e zgjedhore është e pa mundur.

Republika e Kosovës gjatë historisë së vetë pluraliste, ku kanë funksionuar shumë subjekte politike asnjëherë nuk e ka përjetuar ndonjë qeveri të drejtuar me shumicë vetëm nga një subjekt politik e të mos ketë pasur nevojë për koalicione. Disa janë konsideruar koalicione natyrale mes subjekteve politike e disa jo natyrale, dhe kjo duke u nisur nga orientimi i tyre politiko-filozofik.

Zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në vitin 2014, veç koalicioneve parazgjedhore nxorën edhe koalicionin pas-zgjedhor mes PDK-së, LDK-së dhe partive minoritare. U deshën më shumë se pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare që dy partitë më të mëdha politike në Kosovë, PDK dhe LDK, të bien dakord për formimin e institucioneve të reja qeverisëse në vend.

Aktualisht, kur po flitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare si pasojë e krizave politike të shkaktuara nga tema që po konsiderohen të ndjeshme, diskutimi për koalicionet e mundshme parazgjedhore veç ka filluar të merr formë. Në lidhje me këtë çështje për Gazeta e Re kanë folur deputet subjektesh politike dhe njohësit e çështjeve politike në vend.

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovë (LDK) Lirije Kajtazi, duke diskutuar për çështjen e koalicioneve ka thënë për Gazeta e Re se “kjo është çështje me të cilën merren organet e partisë.” Kajtazi më shumë ka insistuar në vullnetin e vazhdimit të Qeverisë aktuale duke thënë se “po mendojmë që të vazhdojmë të punojmë si jemi duke punuar, dhe jo të shkohet në zgjedhje” por shton ajo “nëse vjen deri aty sigurisht që partia në kohën e duhur ulet dhe bisedon për modalitetet se si do t’i qasen zgjedhjeve, a vet apo me koalicione. Po, është gjithherë vendim i organeve të partisë”, përmbyll deputetja Kajtazi. Insistimin e saj për të ec me mandatin aktuale të qeverisë nën drejtimin e kryeministrit Mustafa e mbështet tek, siç thotë ajo “suksesi i qeverisë, vetë kryeministrit dhe ministrave”.

Edhe deputetja Blerta Deliu-Kodra, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nuk ka folur diçka konkrete se me kë do të mund të bënte koalicion partia e saj, por ka shtuar ajo, “Kryesia e Partisë Demokratike ende nuk i ka diskutuar modalitetet për shkuarjen në zgjedhje, s’ka marr ende vendim për çështje të koalicioneve”. Deputetja Deliu-Kodra thotë për Gazeta e Re se “Kryesia ka me vendos për detajet në të ardhmen, nuk ka ndonjë vendim aktualisht, organet e partisë marinë vendim lidhur me koalicionet e mundshme”.

E, Albulena Haxhiu deputete e Lëvizjes Vetëvendosje e ka konfirmuar për Gazeta e Re hapjen e diskutimit sa i përket koalicioneve të mundshme. “Në mbledhjen e parafundit të Këshillit të Përgjithshëm, ne kemi diskutuar gjerë e gjatë në lidhje me këtë dhe kemi marrë vendim që të takohemi me përfaqësues të partive jo parlamentare e po ashtu përfaqësues nga shoqëria civile pra, bashkim me subjekte anti-krim” ka deklaruar deputetja Haxhiu. Ajo decidivisht ka përjashtuar mundësinë e koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë se, “Këtu pra përjashtohet PDK dhe LDK-ja e Isa Mustafës”.

Tutje ajo shton se, “Është tejet i rëndësishëm bashkimi i forcave në mënyrë që klanin Pronto ta heqim nga institucionet e Republikës. Këta njerëz, bashkë me Mustafën duhet të marrin përgjegjësinë për dëmet që i kanë shkaktuar”,  përfundon Haxhiu.

Në anën tjetër njohësi i çështjeve politike Haki Abazi, duke folur për atë se kush me ke mund të shkojë në koalicion ka kritikuar kornizën aktuale zgjedhore, e cila sipas tij nuk jep hapësirë për ndryshime. “Nëse shkohet në proces zgjedhor në këtë kornizë ligjore dhe me arsyetimet banale për zgjedhje, duke tentuar që të kërkohet justifikim për dështimet dhe pastrim të listave nga të pandërgjegjshmit thënë kushtimisht, nuk do të ketë ndryshim të madh, por mendoj që PDK, AAK dhe NISMA mund të krijojnë koalicion parazgjedhor”, arsyeton Abazi.

Kjo thotë Abazi “nuk garanton stabilitet dhe humbësi më i madh do të jetë Nisma”. Përmes kësaj, sipas tij “PDK po tenton të ruaj vendin e parë dhe pastaj pas zgjedhjeve të vendos për formacionin e qeverisë. Kjo është formula e vazhdimit të status-quos dhe mbajtjes së klanit Pronto në pushtet”.

Kurse, opinionisti Bajrush Morina, vlerëson se zgjedhjet e parakohshme duket se janë “te dera!’. Sipas tij, “Këto zgjedhje do të mbahen jo për qefin e opozitës apo për mocionin e dështuar të Nismës por për shkak të inatit politik të PDK-së. Kadri Veseli dhe PDK-ja nuk e durojnë LDK-në e Isa Mustafën 4 vjet kryeministër, prandaj do të kemi zgjedhjet të parakohshme”.

Ndërkaq, se a do të kemi koalicione parazgjedhore kjo mbetet të shihet. Ai thotë se, “Tash për tash vetëm AAK e Nisma kanë paralajmëruar koalicion parazgjedhor, e ndoshta mund të bashkohet edhe AKR-ja. Por koalicionet parazgjedhore nuk shprehin fuqinë reale politike të secilës parti politike”, thotë Morina.

Kujtojmë se diskutimet për zgjedhje të parakohshme janë hapur e konkretizuar pas deklarimeve të krerëve edhe shtetëror, se nëse nuk kemi vendime nga Kuvendi e Qeveria atëherë nuk ka arsye të rri më koalicioni aktual./gazetaere.com

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet