Kizolli: Realiteti i ri duhet të jetë një mundësi për kryeministrin aktual

Shkruan: Dr. sc. Beni Kizolli*

Koalicioni PAN në natyrshmërinë e tij ka pasur kundërthënie, dhe si të tillë nuk ka qenë e lehtë që me arsyetimet standarde të imponohet qytetarëve. Si rezultat ky kurorëzim dështoi në zgjedhjet e 11 qershorit.

Ndër arsyetimet më standarde, sot e kanë përgjigjen: “Si shtet kemi obligime para BE-së, dhe duhet të bashkohemi”, “Janë ca detyra që neve na takon të kryejmë, si demarkacioni dhe bisedimet”, “Kemi nevojë për stabilitet, jemi pran marrjes së vizave”.

Ky koalicion, votoi demarkacionin, falimentoi autoritetin e shtetësisë së Kosovën në arenën ndërkombëtare, nuk aplikoi për UNESCO, dështoi në Interpol, mori përgjigjen negative për vizat, dhe së fundmi në mungesë së kredibilitetit të institucioneve vendore po na vërsulën autoritetet perëndimore me presionet e tyre për të fuqizuar idenë hegjemoniste të Serbisë.

Tani, kemi një realitet të ri falë politikës individuale të Kryeministrit: Ushtria dhe taksat ndaj Serbisë.

Përderisa Presidenti aktual është autor i këtyre proceseve, ai është vet burimi i problemit ndërsa qeveria është vetëm problemi. Tani është koha që ta shuajmë këtë burim, pastaj ta zgjidhim problemin. Realiteti i ri duhet të jetë një mundësi për kryeministrin aktual, pas Ushtrisë që do të votohet me 14 dhjetor duhet të dorëzoj detyrën dhe ti jep fund qeverisë të konstruktuar nga Presidenti.

Eh, tash sa për meselenë e gomarit të theksuar nga Kryeministri Rama dua t’ju tregoj një ngjarje që kishte përjetuar Nasradini. Një ditë prej ditëve, Nasradin Hoxha dëshiron ti jep një mësim të mirë fshatarëve, të cilët torturojnë kafshët e tyre me barra të rënda. Ai merr një thes të rëndë në supe dhe hip mbi gomarin. Fshatarët habiten kur e shohin hoxhën dhe e pyesin: “Hoxhë mbi supe ke thesin dhe ke hipur mbi gomarin si bën kjo punë kështu?” Hoxha shkrep një buzëqeshje të vogël dhe me mendjemprehtësi ua jep përgjigjen: “Kafsha e shkretë është duke më shërbyer ditë e natë. Më bartë në shpinë, bartë barrën time dhe ma rrokullisë rrotën e mullirit. Pas të gjitha këtyre punëve të rënda nuk desha ta ngarkoj edhe me këtë thes të rëndë, për këtë arsye unë e bartë thesin”.

Kryeministri Rama, mundet me vazhdu me bartë thesin. Boll u bë, tek ne edhe lodhjen e kanë lodh.


*Beni Kizolli, Nënkryetar i partisë Lëvizja Për Drejtësi


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet