Kinezimi i Ballkanit

Bashkimi Evropian përherë i ka parë me dyshim investimet kineze në Ballkan, mirëpo për këtë nuk ka ndërmarrë asgjë konkrete. Brexit-i dhe zgjedhjet e BE-së, përbëjnë për momentin gjithë fokusin e politikave evropiane, por këtë situatë është duke vazhduar ta shfrytëzojë Kina – shkruan Gazeta e Re.

Zoran Arbutina në një artikull të paradokohshëm, shkruante ndër të tjera se tek fuqitë tradicionale, BE e Rusi, është shtuar edhe Kina. Kjo e fundit është “një aktor i angazhuar dhe aktiv. Në rajon kjo fuqi identifikohet me një fuqi aktive. Kina ndjek ‘interesa gjeostrategjike’, kjo është frika e përbashkët, sidomos në Bruksel. Në një kohë që të gjitha rreziqet për paralajmërime mbeten të vagullta, vështirë se dikush e përcakton avantazhin politik konkret të Kinës në angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor.”

Arbutina nuk është i vetmi autor që përcjell shqetësimin e heshtur të BE-së. Kina Ballkanin, veçanërisht Ballkanin Perëndimor, po e sheh si “rrugë të mëndafshë”, për investime.

Investimet përfshijnë sektorë të teknologjisë së rëndë, metalurgjisë, eksplorimit të qymyrit, pastaj ndërtimin e projekteve të mëdha infrastrukturore si aeroporte, ura, autostrada etj.

Me fjalë të tjera, nuk është e vetmja Rusia që po i shkakton kokëdhimbje BE-së, por edhe një lojtar tjetër shumë i fuqishëm, Kina.

Investimet kineze aktualisht janë të ulëta. Ato përbëjnë vetëm 2% sipas AFP-së (agjencisë franceze të lajmeve), ndërsa ato të BE-së mbeten në nivel dominues (afro 60%).

Megjithatë, ritmi i investimeve kineze ka shënuar një ngritje marramendëse, galopane, sipas hulumtimeve. Në një artikull në T.Ch, që i referohet AFP-së, thuhet që për një projekt i cili ua siguron mallrave kineze rrugën për  në BE, pritet të investohen mbi 1 trilion dollarë.

Kinezimi i Ballkanit Perëndimor, do të jetë një ndër temat edhe në Samitin e Dubrovnikut – raportojnë mediat e ndryshme të rajonit. 12 miliardët e huazuar për realizimin e 16 projekteve në vende si Serbia, Bosnja dhe Mali i Zi (në periudhën 2007, 2017), ka treguar që rajoni është një treg atraktiv për këtë investitor gjigant.

“Këto investime kineze shihen në Bruksel me mosbesim. Komisioni Evropian ka nisur edhe një procedurë hetimore për planet kineze për ndërtimin e hekurudhave të shpejta në Hungari, ndërkohë që kinezët e vlerësojnë këtë si një win-win strategji…

BE ka frikë se me këto investime do të shtohet influenca kineze në këto vende” – shkruante vitin e kaluar mediumi gjerman DW. Megjithatë vetëm në Gjermani, “kinezët kanë investuar 13.7 miliardë euro, një vlerë rekorde. Nga ana tjetër edhe investimet gjermane në Kinë shënojnë rekord prej 70 miliardë eurosh.”

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kosova nuk ka treguar gatishmëri për ta hapur tregun për këtë investitor.

Në fakt, pikërisht këtu grumbullohen akuzat e kundërshtarëve politik, ndaj qeverisë. Kjo e fundit është cilësuar si e pa përgatitur për të joshur investime të huaja në vend. Korrupsioni dhe nepotizmi endemik, duket që po i tremb edhe kinezët./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet