Kilometrat që i ndajnë Kosovën dhe Serbinë, nga një marrëveshje përfundimtare

Nuk ka indikacione që marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndodh brenda një kohe të shkurtë. Palët po qëndrojnë në vendnumëro. Në Beograd, duket se janë më unik, ndërsa në Prishtinë krerët më të lartë të shtetit, bashkë me politikanët nga radhët e opozitës, janë pikë e pesë për sa i përket çështjes – shkruan Gazeta e Re.

Për sa i përket arritjes së marrëveshjes, ka një pritshmëri të lartë nga ana e ndërkombëtarëve. Ndonëse pas vendimit për taksën, procesi i dialogut është ndërprerë, është bërë përpjekje që ai të rikuperohet nën monitorimin e Berlinit dhe Parisit zyrtar.
«Shpresoj që të arrihet një marrëveshje në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm. Më lejoni të them se Norvegjia e ka mbështetur marrëveshjen mes Maqedonisë së veriut të Greqisë shpresoj që të shërbej si shembull. Inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë për një dialog normalizim, për një derë të hapur që për momentin kjo derë është e mbyllur» – tha sot Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë Per Srand Sjaastand. Këtë koment ai e bëri në kuadër të Konferencës Zëri i popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e organizuar nga RIDEA.

Në këtë konferencë qenë të pranishëm, ndër të tjerë, edhe Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, Kryetari i Partisë Socialdemokrate, njëkohësisht edhe bashkëudhëheqësi i delegacionit shtetëror për bisedime Shpend Ahmeti, si dhe Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së.

Të tre këta, shfaqën pikëpamjet e tyre të ndryshme për sa i përket procesit të dialogut. Për Presidentin Thaçi, zvarritja e procesit të dialogut, është një lajm i keq për të dyja vendet.
«Përmbyllja e dialogut me Serbinë në kuadër të marrëveshjen finale është interes nacional i Kosovës. Ne duam që njëherë e përgjithmonë t’i qartësojmë raportet tona me Serbinë dhe kjo mund të arrihet me një dialog që ka afat kohor, dhe kërkesa të qarta. Nuk kam kurrfarë dilema që marrëveshja do mund do të arrihet këtë vit, por në të kundërtën mund të ketë destabilizim në rajonin e Ballkanit».
Nga ana tjetër, ndonëse për Kurtin «Projekti i Serbisë për ndarjen e Kosovës ka dështuar, por nuk ka vdekur», marrëveshja finale është larg së realizuari. Sipas tij pala kosovare po vijon të hedh hapa strategjik të gabuar. Ndonëse në kuadër të këtij njëzetvjeçari, ajo ka mjaft referenca për të mos i përsëritur ato. Një «negociator i mirë», sipas tij, nuk e projekton fillimisht të ardhmen, pa kërkuar llogari për të kaluarën dhe pa e analizuar të tashmen.

Shpend Ahmeti, ndërkaq, u shfaq kritik ndaj krerëve të shtetit. Disharmonia ndërmjet tyre, sipas tij, është evidente. Secili nga krerët institucional, nuk është i gatshëm që të sakrifikojë diçka nga egoja e tij, por secili vrapon për të qenë i pari, bajraktar, në çdo çështje. Tendenca e tre liderëve (presidentit, kryeministrit dhe kryeparlamentarit), që në çdo manifestim dhe organizim të flasin rreth marrëveshjes së madhe, tregon hiç më pak se «mungesë uniteti».
Me tone po kaq të ashpra është shfaqur edhe Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së. «Kosova sot është e pa udhëhequr me përgjegjësi të pritura përkundrazi po vazhdon të lë peng vendin për nevoja të brendshme», tha ai ndër të tjera.

I ashtuquajturi Samit i Parisit, pikërisht për shkak të këtyre kushteve të vështira politike, është shtyrë dhe nuk do të mbahet me 1 korrik ashtu siç ishte paraparë. Megjithatë, sipas mediave të huaja, Berlini zyrtar është shumë i interesuar për të punuar edhe më tutje me palët relevante, në mënyrë që të përafrohen qëndrimet, dhe në këtë mënyrë, të ndodhemi më pranë realizimit të një marrëveshjeje./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet