KFOR-i Turk rinovon klasat e shkollës “Lekë Dukagjini” në Prizren

Në Prizren sot u bë përurimi i tetë klasave të katit të parë të shkollës fillore “Lekë Dukagjini”, të rinovuara dhe të pajisura nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk).

Në një fjalë rasti, Konsullja e përgjithshme e Republikës së Turqisë në Prizren, Eylem Altunya tha se e njohin mirë rëndësinë e arsimimit të fëmijëve dhe të rinjve për të ardhmen e një populli. “Për këtë arsye mendojmë se ky projekt i realizuar nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë është shumë kuptimplotë dhe i rëndësishëm”, tha ajo, raporton AA.

Komandanti i Njësisë Trajnuese të Kryesisë së Këshillit Turk në Kosovë, koloneli Ömer Varol duke falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar për realizimin e projektit tha se “Shpresoj që ky projekt do të jetë i dobishëm për vitin e ri akademik dhe arsimor”.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se kjo nuk është hapja e parë që po bëhet me investimet e KFOR-it nëpër shkollat e Prizrenit, duke shprehur kënaqësinë që të gjitha këto investime po shkojnë për fëmijët dhe rregullimin e gjendjes në shkolla.

Haskuka falënderoi KFOR-in turk për këtë investim si dhe për shpejtësinë e kryerjes së punimeve, në mënyrë që këto klasa të arrijnë të hapen në vitin e ri akademik.

Drejtoresha e shkollës “Lekë Dukagjini”, Jehona Krasniqi tha se “Rreth 400 nxënës sa i frekuentojnë këto 8 klasa nga të dy ndërrimet, këtë vit e startojnë me një atmosferë tjetër me fytyra të buzëqeshura të tyre, ngase ambienti në klasa është tejet atraktiv për nxënës, falë kontributit të KFOR-it Turk”.

Ajo tha se deri më tani kjo shkollë nuk ka gëzuar ndonjë donacion të tillë. “Jemi të vetëdijshëm se shteti turk mund të ketë nevoja për investime edhe në shkollat në vendin e tyre në Turqi, por zemërgjerësia humanitare i ka shtyrë që të investojnë në tërë territorin e Kosovës dhe më gjerë”, tha Krasniqi.

Për nder të këtij përurimi nxënësit e kësaj shkolle organizuan një program me vjersha, këngë e valle.

Në kuadër të këtij projekti është bërë lyerja e mureve dhe të tavanit të klasave, rinovimi i dyshemesë, ndërrimi i armaturës, ndërrimi i dyerve, furnizimi me 120 banka dhe karrige, furnizimi me perde si dhe tavolinë dhe karrige për mësimdhënësit. Projekti është financuar nga Republika e Turqisë në kuadër të Projektit të Bashkëpunimit Ushtarak-Civil të KFOR-it Turk.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet