Këta persona lirohen nga pagesa në QKUK

Tash e disa ditë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është duke u zbatuar një formë e re e pagesave në mënyrë elektronike në hyrje dhe dalje. Por, për këtë po ankohen shumë qytetarë të cilët kanë thënë se iu duhet të presin gjatë për të hyrë apo për të dalë nga QKUK-ja.

Megjithatë, ekzistojnë kategori të personave për të cilët nuk vlen rregulli i ri i pagesës.

Në një prononcim për ‘Indeksonline’, menaxheri i kontratës dhe zyrtari i IT-së në QKUK, Faton Hajzeraj ka treguar se deri më tani lirohen nga kjo pagesë disa persona.

“Deri më tani lirohen nga kjo pagesë, pacientët ose shoqëruesit e tyre që janë në dializë, po ashtu njëjtë edhe pacientet e Onkologjisë, të gjithë zyrtarët me vetura zyrtare, si dhe gazetarët veçse duhet që të marrin një dokument tek zëdhënësi i QKUK-së dhe të njëjtin ta sjellin tek vendi ku bëhet pagesa. Për lirimin e gazetarëve është vendos pasi është kërkuar nga Asociacioni i Gazetarëve”, është shprehur Hajzeraj.

Ai më tej shpjegon se të njëjtit nuk pajisen me kartela. Sipas tij, kushdo që lirohet prej pagese e merr kuponin për pagesë, por në qendër të pagesës i faturohet zero.

Hajzeraj ka shtuar se personat që nuk janë të pajisur me kartelë, mund të shfrytëzojnë librezën apo ndonjë dokument që tregon se ai/ajo është nga shoqata e liruar nga pagesa.

Sa i përket kategorive siç janë veteranët e UÇK-së dhe personat me aftësi të kufizuar, Hajzeraj ka thënë se do të vendoset gjatë ditëve në vijim.

“Gjatë ditëve në vijim pritet që të vendoset edhe për kategoritë tjera të cilat do të lirohen nga kjo pagesë. Komisioni vlerëson çdo kategori që e ndien të arsyeshme për lirim. Ne presim nga shoqata e tyre kërkesë, pastaj si komision vendosim”, ka përfunduar ai.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet