Kështu u pasuruan kompanitë farmaceutike në kurriz të pacientëve kosovarë

Monopoli që kanë krijuar kompanitë farmaceutike në dy vitet e fundit u ka mundësuar që të shumëfishojnë çmimet e barnave. Ky monopol dhe rritja e çmimeve iu është mundësuar edhe nga shteti, duke dëmtuar kështu buxhetin dhe pacientët
Miliona euro të dedikuara për barna në vitet e fundit nuk i kanë mjaftuar Ministrisë së Shëndetësisë që të përmbushin asnjëherë furnizimin e rregullt dhe të plotë nga Lista Esenciale. Kjo ministri është njëri nga dikasterët me më së shumti zyrtarë të akuzuar për korrupsion, sidomos nga zyra e prokurimit.

Raporti “Depoja e keqpërdorimeve farmaceutike” i Institutit Columbus me autore, gazetaren Saranda Ramaj, ka gjetur se miliona euro kanë shkuar te disa kompani të caktuara farmaceutike për furnizim me barna në vitet 2016-2017, por që me të njëjtën shumë parash nuk është arritur të blihen më shumë barna sesa në vitet paraprake. Madje sasia e barnave të blera ka rënë për shkak të rritjes së çmimeve.

Një njësi e medikamentit Noradrenalina në vitin 2015 është paguar me 2.78 euro, ndërsa një vit më vonë MSH-ja ka paguar për të njëjtin produkt 22 euro. Kështu në vitin 2015 për këtë produkt janë paguar 1960 euro, ndërsa në vitin 2016 sasia e njëjtë MSH-së i ka kushtuar 15 mijë e 400 euro. Propofoli është një tjetër bar që është paguar shumëfish më shtrenjtë në këto dy vite. Në vitin 2015 ka kushtuar 4.60 euro, ndërsa një vit më vonë çmimi është rritur në 18.20 euro, thuhet në raport, transmeton Gazeta Shneta. Përveç barnave, çmimet kanë pësuar rritje astronomike edhe në materialet shpenzuese.

Produkti “Parenkima Sutura Set deri në vitin 2016 është blerë me çmim 3.83 euro, ndërsa në kontratën e fundit ky set është blerë me 83 euro. Skalperi i dorës është blerë me 0.10 euro në vitin 2015, ndërsa tash MSH-së i kushton 1 euro i njëjti.

Në bazë të kontratave Instituti Columbus ka gjetur se nga viti 2014 janë dy kompani që kanë fituar më së shumti tenderë, Liri Med dhe Exclusive. Këto dy kompani, siç raportohet, nga viti 2016 kanë filluar rritjen e çmimeve pa ndonjë arsyetim. Raporti thekson se deri në vitin 2015 Ligji për Produkte dhe Pajisje Mjekësore ka lejuar që barnat ose materiali shpenzues të konkurrojë në tender publik nëse të njëjtat janë të regjistruara për qarkullim në vendet e BE-së. Ndërsa në vitin 2015 një Udhëzim Administrativ për Marketing Autorizim ka ashpërsuar kriteret që sipas Shoqatës së Distributorëve Farmaceutikë ka shkaktuar rritjen e çmimeve. Kjo me arsyetimin se kompanitë farmaceutike nuk rrezikojnë të paguajnë tarifa për barna që konkurrojnë në tender, për shkak se nëse nuk fitojnë atëherë mallit do t’i skadojë afati.

Gjithnjë sipas raportit, Shoqata e Distributorëve thotë se nëse do të lejoheshin të konkurronin me barnat që qarkullojnë në BE, atëherë çmimet do të uleshin. Megjithatë, kompanitë farmaceutike e arsyetojnë rritjen e çmimeve duke thënë se janë fabrikat e barnave që kanë rritur çmimet poashtu.

Raporti nxjerr përfundimin se blerja e barnave i ka kushtuar shtetit shumëfish më shtrenjtë sesa çmimi real i tregut. Kjo për faktin se disa kompani farmaceutike kanë krijuar monopol dhe ndonëse buxheti për barna është rritur, nuk ka ndikuar në furnizim më të mirë në spitalet publike. Monopoli i këtyre kompanive i ndihmuar edhe nga institucionet e shtetit, ka kufizuar konkurrencën në prokurim çka dëshmohet edhe me rënien e ofertave.

“OSHP dhe KRPP kanë përdorur standarde të dyfishta kur kompanitë janë ankuar për çmime të larta të konkurrentëve pos çmimet e rekomanduara për nënshkrim kontrate. Mungesa e konsistencës në vendime ka bërë që MSH të vazhdojë kontraktimin e produkteve me çmime marramendëse, edhe pse e vetëdijshme se po dëmtohet buxheti publik e edhe pacientët të cilët i kanë blerë këto barna, për shkak që çmimet kanë determinuar edhe uljen e sasisë për furnizim”, thuhet në përfundimin e raportit.

Në raport janë dhënë edhe disa rekomandime ku kërkohet që të adresohen kontratat e trashëguara të barnave tek organet e hetuesisë, të ndryshohet Ligji për Produkte dhe Pajisje Medicinale, të blihen produkte nën patentë me procedurën e negocimit të kontratës me prodhuesin apo distributorin vendor, të shmanget mundësia e përshtatjes së kriterve për kompani të caktuara, etj. Raportin e plotë mund ta gjeni duke klikuar KËTU.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet