‘Kështu foli Rugova’ promovohet në kuadër të Javës së Bibliotekës

Biblioteka ‘Hivzi Sulejmani’ në Prishtinë, qe nikoqire e bleut ‘Kështu foli Rugova’, një përmbledhjeje intervistash të dhëna për shtypin kosovar gjatë viteve të 90-ta. Libri u promovua në kuadër të Javës së Bibliotekës – shkruan Gazeta e Re.

Për librin me intervistat e realizuara me Ibrahim Rugovën nga shtypi i kohës, të cilat janë përgatitur nga Munish Hyseni, u folën fjalë të mëdha. Bleu, sipas panelistëve, përbënë një dokument të rëndësishëm, grishës për studiuesit por edhe qytetarët që duan të kuptojnë për kontekstin politik e social të kohës.

Poeti, publicisti dhe bashkëpunëtori i dikurshëm i Ibrahim Rugovës – Ibrahim Berisha, reflektoi mbi përmbledhjen e intervistave, duke i nxjerrë në pah ato që ai i cilësoi si “sentenca” të filozofisë politike të Rugovës.

“Asnjëherë nuk ka dhënë një intervistë me shkrim, nuk ka refuzuar asnjë gazetar të ardhur nga jashtë, ka qenë gjithmonë i gatshëm t’i pranojë gazetarët, pavarësisht nga cili shtet, nga cila agjenci…” – tha ndër të tjera Berisha, duke ua kujtuar të pranishmëve që vetëm mediat serbe kanë qenë të refuzuara nga ai.

“Çfarë personaliteti ishte Ibrahim Rugova? (Po flas për vitin 1990!) Në një anketë të Këshillit Ekzekutiv Federativ, të bërë për personalitetet më të njohura publike në Ish Jugosllavi, ky ishte i katërti” – si figurë e renditur, më popullore, tha ai përpara se t’i theksonte segmentet themelore të sentencave filozofike rugoviane. Disa prej tyre, sipas Berishës, ishin:

“Amerika dhe Evropa janë me ne!; Nuk marrim pjesë në zgjedhjet e Serbisë, sepse nuk janë tonat; Jemi kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës; ishte kundër provincializmit, nepotizmit, bajraktarizmit; Demokratizimi i Shqipërisë na ndihmon” etj, etj. Këto sentenca, sipas Berishës, tregojnë shumë për filozofinë dhe botëkuptimin politik të Rugovës.

Shkumbin Brestofci, në fjalën  e tij ndërkaq, kujtoi kontekstin e paqëndrueshëm politik në kohën e para shfaqjes së Rugovës. Sipas tij, intenca themelore e gjithë arsenalit diplomatik rugovian, duhet të shihet në një segment, ai është “angazhu për t’shmang luftën e planifikueme”, duke e filluar kështu një “rezistencë të refuzimit”.

Sipas Brestofcit, Rugova nuk qe aq optimist kur u fut në politikë, por përkrahja masive që gëzoi lëvizja e sapo-themeluar politike, bëri që ai të mbushej me optimizëm.

Studiuesi dhe politikologu Shkëlzen Gashi, vuri në dukje disa karakteristika të cilat e kanë shquar veprimtarinë politike të Rugovës. Mobilizimi dhe homogjeniteti politik, sipas tij, asnjëherë nuk janë arritur në shoqërinë Kosovare, para shfaqjes së Rugovës. Sipas tij Rugova përherë ka ditur të gjejë mekanizma nëpërmjet të cilëve e ka mbajtur dhe ruajtur këtë homogjenitet, ndërsa ka përdorur disa strategji të njohura të politikës paqësore, me të cilën ai është identifikuar.

Megjithatë, sipas Gashit, çështja pse Rugova nuk i ka radikalizuar veprimet, “për t’i pushtuar institucionet në mënyrë paqësore”, për ta pushtuar RTP-në, Rilindjen dhe institucionet e tjera, mbetet një pikëpyetje e madhe. Ai ka përherë ka thënë që përpara pavarësimit të plotë, “Kosovës i duhet një fazë e protektoratit ndërkombëtar” në mënyrë që të demilitarizohet Kosova, por që nuk ka pasur strategji të qartë se si do të duhej të arrihej ajo. Gashi para të pranishmëve tha ndër të tjera që te Rugova ka parë një riinkarnim të Hasan Prishtinës, sikurse që te Hashim Thaçi sheh një kipc të Isa Boletinit.

Libri ka përmbledhur të gjitha intervistat në një periudhë disavjeçare, nga viti 1990 deri në vitin 2005. Sipas të panelistëve, ai shënjon një dimension të favorshëm për ta njohur jo vetëm Rugovën si personalitet politik i cili i ka dominuar vitet e 90-ta, por edhe për ta kuptuar kontekstin e kohës dhe ngërçeve politike me të cilat është ballafaquar shoqëria kosovare./Gazetaere.com/

Kategoritë
KulturëLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet