Këshilltari i Vjosa Osmanit – Isa Mustafës: I pëlqeu dikujt apo jo, Vjosa është në këtë pozitë siç thotë Kushtetuta

Këshilltari i u.d., të presidentes së Kosovës, Faton Peci i është kundërpërgjigjur liderit të LDK-së, Isa Mustafa, pasi ky i fundit ka deklaruar se s’e pranon Osmanin për presidente të vendit, shkruan GazetaBlic.

Në një postim në Facebook, Peci ka thënë se Osmani, sipas tij, ka bërë pikërisht atë që ia kërkon kushtetuta.

“UD. Presidentja Osmani është aty sipas obligimit kushtetues dhe kjo duhet të jetë nder për gjithsecilin. Ajo aty nuk është vetëm. Ka pas vete afro 200 mijë vota, të cilat i japin legjitimitet përfaqësimit”, ka shkruar ai ndër të tjerash.

ostimi i plotë:

Të gjithë ne, e sidomos personat që marrin pjesë në bërjen e ligjeve, duhet ta dijnë se ushtrimi i një funksioni shtetëror nuk është çështje dëshire, por obligim kushtetues. Në rastin e pozitës së Presidentit, ky obligim është shumëfish më i madh sepse për dallim nga pozita e Kryeministrit e Kryetarit të Kuvendit, Presidenti nuk ka Zëvendës, që do të mund ta zëvendësonin. Pra, nuk lejohet të ketë vakuum institucional as edhe për një orë, e lëre për më gjatë. Pra, UD. Presidentja Osmani ka bërë pikërisht atë që ia kërkon kushtetuta.

Duke qenë se disa i trajtojnë kushtetutën e ligjet si “llastiku”, i kuptueshëm një turfullim i tillë i tyre! Ama, mos harroni se tradita institucionale nuk ndërtohet mbi bazën emotive të situatave të krijuara. I pëlqeu dikujt apo jo, UD.Presidentja Osmani është aty sipas obligimit kushtetues dhe kjo duhet të jetë nder për gjithsecilin. Ajo aty nuk është vetëm. Ka pas vete afro 200 mijë vota, të cilat i japin legjitimitet përfaqësimit. Shteti nuk mund të mbetet peng i qasjes përplot urrejtje që persona të caktuar, brenda e jashtë politikës, kanë ndaj Znj.Osmani. Transferi i pushetit është standard demokratik, ndaj është leksion i mësuar, të cilin nuk duhet ta anashkaloni.

Kategoritë
LajmeVendi