Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së i kërkon Mianmarit të lirojë lideren Suu Kyi

Rezoluta e HRC-së i bëri thirrje “ushtrisë së Mianmarit dhe forcave të tjera të sigurisë dhe autoriteteve të ndërmarrin hapa menjëherë për të mbrojtur të drejtat e lirisë së mendimit dhe shprehjes, fesë ose besimit, shoqërimit dhe tubimit paqësor”

Këshilli i të Drejtave të Njeriut (HRC) i Kombeve të Bashkuara (OKB) bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë atyre që u arrestuan në mënyrë arbitrare në grusht shtetin e 1 shkurtit në Mianmar, duke përfshirë udhëheqësen Aung San Suu Kyi dhe presidentin Win Myint, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një seancë të posaçme, HRC me 47 anëtarë miratoi një rezolutë pa ndonjë kundërshtim.

Rezoluta i bëri thirrje “ushtrisë së Mianmarit dhe forcave të tjera të sigurisë dhe autoriteteve të ndërmarrin hapa menjëherë për të mbrojtur të drejtat e lirisë së mendimit dhe shprehjes, fesë ose besimit, shoqërimit dhe tubimit paqësor”.

Gjithashtu bëhet thirrje për heqjen e menjëhershme dhe të përhershme të kufizimeve të internetit, telekomunikacionit dhe rrjeteve sociale, si dhe shmangien e shkeljeve të mëtejshme të të drejtave të lirisë së mendimit dhe shprehjes.

Rezoluta gjithashtu kërkoi një “qasje të sigurt dhe të papenguar humanitare për të gjithë njerëzit në nevojë, përfshirë përmes rivendosjes së fluturimeve të ndihmave të Kombeve të Bashkuara”.

Përderisa nuk votuan kundër rezolutës, Bolivia, Kina, Filipinet, Rusia dhe Venezuela “u distancuan” nga ajo, duke thënë se kjo është një çështje e brendshme e Mianmarit.

Në seancë, Raportuesi Special i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Mianmar, Tom Andrews, i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vlerësojë sanksionet siç janë “embargo armësh dhe ndalim udhëtimi” ndaj vendit.

“Një pengesë e thellë”

Nada al-Nashif, zv/komisarja e lartë për të drejtat e njeriut, në fillim të debatit të thirrur nga BE dhe Britania e Madhe, tha: “Marrja e pushtetit nga ushtria e Mianmarit në fillim të këtij muaji përbën një pengesë të thellë për vendin, pas një dekade përfitimesh të arritura me vështirësi në tranzicionin e saj demokratik”.

Përparimi i bërë nga Mianmari u shqyrtua nga HRC më pak se tre javë më parë në Rishikimin Periodik Universal.

“Autoritetet ushtarake nuk duhet të lejohen të përkeqësojnë situatën e popullit Rohingya, pas dhunës ekstreme dhe dekadave të diskriminimit që ata kanë duruar”, tha zyrtari i HRC-së.

U Myint Thu, ambasadori i Mianmarit në OKB në Gjenevë, tha: “Në dritën e parregullsive paszgjedhore dhe situatës komplekse vijuese në vend, Tatmadaw (ushtriaa e Mianmarit) u detyrua të marrë përgjegjësitë e shtetit, në përputhje me Kushtetutën e Shtetit”.

Megjithatë, Rui Macieira, i dërguari i Portugalisë në OKB në Gjenevë, tha se marrja e pushtetit nga ana e ushtrisë kërcënon të përmbysë 10 vjet të tranzicionit demokratik.

SHBA bëri deklaratën e parë që nga e hëna kur njoftoi se do të angazhohej përsëri me HRC-në si vëzhgues pasi administrata e ish-presidentit Donald Trump u tërhoq në vitin 2018.

Mark Cassayre, i ngarkuari me punë i misionit të SHBA-së në Gjenevë, tha se Washington-i zyrtar dënon grushtin e shtetit të ushtrisë kundër “qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike të Mianmarit”.

Duke kërkuar sanksione të shënjestruara kundër udhëheqësve të grusht shtetit, Cassayre u bëri thirrje anëtarëve të HRC-së të “nxisin ushtrinë të lirojë menjëherë të gjithë ata që janë ndaluar padrejtësisht, duke përfshirë politikanë, përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarë, shtetas të huaj dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut”.

HRC nuk ka fuqinë për të vendosur sanksione mbi individë ose shtete, gjë që mund ta bëjë Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Kategoritë
BotaLajme