Kërkon 25 mijë euro, arrestohet zyrtari policor

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës përmes rrugëve operative kanë pranuar informatat se një zyrtar policor i Drejtorisë së Mitrovicës së Veriut ishte i përfshirë në një aktivitet të kundërligjshëm.

Sipas të dhënave fillestare, i dyshuari D.K., pjesëtar i Policisë së Kosovës në Njësinë Reaguese të Shpejtë – Drejtoria Rajonale Veriu, ka kërkuar 25.000 euro nga një qytetar për t’i mundësuar transferimin e pajisjeve të një fabrike nga komuna e Zveçanit në komunën e Graçanicës.

Hetuesit e IPK-së kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore që ka përfshirë grumbullimin e informacioneve shtesë në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

IPK ka filluar hetimi penal me dyshimin se nga zyrtari policor janë kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje e ryshfetit.

Bazuar në Kodin e Procedurës Penale hetuesit e IPK-së kanë siguruar urdhëresën për masa të fshehta nga Gjykata Themelore e Mitrovicës duke përfshirë këtu edhe masat e fshehta të hetimit respektivisht simulimit të veprës penale.

Gjatë arrestimit tek i dyshuari janë gjetur 12.500 euro, të cilat dyshohet që i ka pranuar nga ankuesi.

Të dyshuarit të arrestuar nga hetuesit e IPK-së me vendim të prokurorisë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet