Kërkohet buxhet për rritjen e pagave për Policinë e Kosovës

Zjarrfikësve në të ardhmen pritet t’iu rriten pagat, edhe pse ende nuk dihet se cila do të jetë kjo rritje, ndërsa për Policinë e Kosovës nevojitet kosto sa i përket pensionimit të parakohshëm dhe rritjes së pagave.

Kjo është bërë e ditur sot gjatë një diskutimi në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në të cilën raportoi ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi.

Temë e debatit ishte edhe shkarkimi i Hilmi Mehmeti, ish-kryeshef i IPK-së, pasi thuhej se me veprimet e tij ka shkaktuar keqmenaxhim të vazhdueshëm të IPK-së dhe se ka dështuar të përmbushë objektivat strategjike të IPK-së.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi kërkoi sqarim nga ministri Gashi se si mund të mbajë dikush një post në institucionin e Policisë së Kosovës, nëse i njëjti është shkarkuar nga posti që kishte në Inspektoratin Policor.

Selimi: S’mund të ushtrojë post në PK dikush që lëndon integritetin profesional të IPK-së

“Ju thatë që ish-kryeshefi ka lënduar integritetin profesional të institucionit, të Inspektoratit të Policisë së Kosovës. Si mundet një person, i cili ka lënduar integritetin profesional të një institucioni të jetë po ashtu në pozita edhe më të larta çfarë ka qenë në institucionin tjetër të zbatimit të ligjit, në Policinë e Kosovës. Ju e keni shkarkuar, por ai ushtron një detyrë shumë të rëndësishme në Policinë e Kosovës. Nëse në PK, në pozita të tilla ekziston një person që sipas ministrit ka lënduar integritetin profesional të një institucioni tjetër atëherë si mund të ushtrojë një detyrë tjetër ai në një institucion tjetër, kur të dyja këto institucione janë nën domenin tuaj”, tha Selimi.

Sa i përket kësaj, ministri Gashi është arsyetuar se ish-kryeshefi i IPK-së nuk ka mund të përmbushë detyrat menaxhuese.

Gashi: Përgjegjësia morale dallon prej asaj operative

“Përgjegjësia menaxheriale dallon prej përgjegjësive operative, kështu që në këtë drejtim aktualisht nuk mund të jap komente, por jam i sigurt se dallime ka, dhe si rezultat i këtyre dallimeve, pozita e lartë që ka qenë në rrafshin menaxherial ish-kryeshefi nuk ka mundur me përmbush. Si rezultat i mos-përmbushjes, ai në aspektin e përgjithshëm e ka lënduar, sipas gjykimit tim në tërësi institucionin. Ka dallime shumë të mëdha për faktin se edhe përgjegjësitë janë të ndryshme aty nuk lidhet vetëm për rastin konkret, por në tërësinë tij në rrafshin e shkathtësive menaxhuese”, tha ministri Gashi.

Përveç debatit për emërimet dhe shkarkimet në institucionet e sigurinë, në mbledhjen e sotme u diskutua edhe për ligjin për pensionim të parakohshëm të Policisë së Kosovës dhe rritjen e pagave të pjesëtarëve të PK-së dhe zjarrfikësve.

Deputeti nga radhët e AAK-së Daut Haradinaj kërkoi nga ministri të japë sqarime nëse do të përfshihen zjarrfikësit në rritjen e pagave.

Haradinaj: A do të rritet koeficienti për zjarrfikësit?

“A janë paraparë zjarrfikësit në ligjin për nivelizimin e pagave, sepse gjendja si është e dimë. Ligji për nivelizimin e pagave është në përpunim e sipër, dhe a do të iu rritet koeficienti zjarrfikësve”, tha ai.

Por, ministri Gashi nuk dha ndonjë shifër, duke premtuar se do të ketë rritje për këta shërbyes.

Gashi: Do të rriten pagat për zjarrfikësit

“Zjarrfikësve do t’iu rritet rroga, realisht nuk mund të them me shifër saktë, por jam i sigurt se do të përmbushet kërkesa e tyre sa i përket shqetësimeve reale që ata kanë shpreh”, tha ai.

Ndërsa për Policinë e Kosovës, ministri Gashi tha se nevojitet kosto sa i përket pensionimit të parakohshëm dhe rritjes së pagave, por nuk tregoi se sa është shuma e buxhetit për të cilin kanë nevojë.

Gashi: Po kërkojmë sigurimin e buxhetit për rritjen e pagave për PK-në

“Jemi në proces të kërkimit për të siguruar buxhetin për rritjen e pagave dhe në të njëjtën kohë ligji për pensionimin e parakohshëm ka një kosto financiare. Kemi marrë edhe komentet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Jemi në diskutim ende, e kemi draftuar në qeveri, por nuk është hedh në diskutim. Si rezultat i buxhetit, dhe të njëjtën kohë shpresojmë se do të gjendet një mundësi për të krijuar parakushtet që të zbatohet ky ligj dhe të kalojmë në një fazë të re për faktin se nëse ky ligj kalon krijon mundësinë që mosha e PK-së të standardizohet dhe është një mundësi e mirë që në të ardhmen të kemi një dinamike dhe planifikim adekuat karshi kërkesave që ka policia ka”, tha ai.

Gjatë raportimit në Komisionin e Punëve të Brendshme, ministri Gashi u pyet nga deputeti Xhelal Sveçla nëse ka qenë i informuar për vizitën e presidentit Hashim Thaçi në Ujman.

Ai tha se vizitat brenda Kosovës janë agjendë e presidentit dhe nën autoritetin e tij, dhe se ministria është e obliguar të përmbushë kërkesat e vizitës së tij.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet