Kërçovë, varrosen mbetjet mortore të viktimave shqiptare nga masakrat e shekullit të kaluar

“Nuk mund të ketë pajtim pa një rezolutë të aprovuar në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë”, u shpreh Ahmeti.

Në Qendrën Përkujtimore “Nëna Shqiptare” në fshatin Zajaz të Kërçovës u varrosën mbetjet mortore të viktimave shqiptare nga masakrat nga viti 1913 dhe deri pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat u gjetën në disa varreza masive në këtë qytet.

Varrimi i mbetjeve mortore u mundësua nga Këshilli Organizativ për zbulimin e krimeve ndaj shqiptarëve në shekullin e kaluar, me mbështetjen e kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, si iniciator i aktiviteteve për zbardhjen e krimeve gjenocidale ndaj shqiptarëve.

Kohë më parë, në fshatin Zajaz dhe në vende tjera në Kërçovë u zbuluan varreza masive të viktimave nga masakrat ndaj shqiptarëve nga viti 1913 dhe deri pas Luftës së Dytë Botërore.

Ahmeti, i cili u adresua para të pranishmëve, tha se “banda çetnikësh të organizuara nga ideologji shfarosëse me shpërbërjen e Perandorisë Osmane vërshuan në hapësirat shqiptare”, duke ushtruar siç tha ai, gjenocid për herë të parë në Evropë.

“E kaluara të mos na përsëritet. Mbase ky apel del nga zemra e një njeriu që është masakruar barbarisht, mbi 60 anëtarë të familjes. Ky apel del nga zemra e zhuritur që duhet dëgjuar dhe lexuar nga të gjithë popujt e Evropës, e aq ma shumë nga popujt fqinj. Aq më shumë duhet dëgjuar nga të gjithë ata njerëz që duan paqen, stabilitetin dhe sigurinë se ne nuk duam të na përsëritet e kaluara, por ajo e kaluar nuk duhet harruar dhe ne se harrojmë. Ky apel duhet të trokasë edhe tek bashkëqytetarët maqedonase, sepse edhe ata kanë njerëz të vrarë e të masakruar”, deklaroi Ahmeti.

Kreu i BDI-së apeloi që edhe maqedonasit të solidarizohen dhe të dënojnë gjenocidin që është ushtruar mbi shqiptarët, por edhe mbi ata. Ai theksoi se dora për maqedonasit do të jetë gjithmonë e zgjatur, që bashkërisht, shqiptarët dhe maqedonasit, të solidarizohen deri në përpilimin e një dokumenti ku do të dënohet gjenocidi i ushtruar mbi shqiptarët. “Nuk mund të ketë pajtim pa një rezolutë të aprovuar në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë”, u shpreh Ahmeti.

Në varrimin e mbetjeve mortore, përveç përfaqësuesve shqiptarë në institucionet e Maqedonisë, të Shqipërisë dhe Kosovës, të bashkësive lokale e fetare, të pranishëm ishin edhe ministri i Diasporës i Shqipërisë, Pandeli Majko, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, Hazbi Lika, kryetari i komunës Skenderaj të Kosovës, Bekim Jashari, kreu i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI), Sulejman Rexhepi, si dhe shumë mysafirë të tjerë.

Ministri Majko, theksoi se sot shqiptaria e Maqedonisë nuk ka në krah të vet vetëm Shqipërinë, por ka dy binjakë, Shqipërinë dhe Kosovën. “Ne duam paqe. Nëse na ofrojnë paqe, paqe do të ketë”, tha ai.

Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, tha se institucioni që drejton ai i bashkohet kësaj iniciative për zbardhjen e krimeve gjenocidale ndaj shqiptarëve. Ai paralajmëroi se të premten e ardhshme do të dërgojnë një qarkore tek të gjitha myftinitë e BFI-së në Maqedoni, me qëllim që çdo xhami në vend viktimave t’u fal namazin e xhenazes në jo-prezencë.

Qendra Përkujtimore “Nëna Shqiptare” u inaugurua më 28 nëntor të vitit 2013, në nder të viktimave shqiptare nga Luftërat Ballkanike. Në këtë qendër të shtrirë në një hapësirë prej 10 mijë metra katrorë ndodhen rreth 300 varre të viktimave nga Luftërat Ballkanike./AA

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet