Katolicizimi i sekularizmit dhe rrënimi i një propagande (Foto)

Kur në mars të këtij viti disa lojtarë të Përfaqësueses së Kosovës në Futboll, publikuan një fotografi brenda një xhamie përpara ndeshjes me Islandën, erdhën reagime të forta nga ata që konsideronin se “uniforma” po e cenon sekularizmin e laicizmin e republikës. Kur para disa vitesh qarkulloi një fotografi ku shiheshin disa ushtarë të FSK-së me gishtat tregues përpjetë që sugjeronin se Zoti është Një, pati po aq reagime të forta nga të gjitha anët, me pretekstin e njëjtë se “po rrezikohej sekularizmi”. Atëbotë, Petrit Selimi (ish zyrtar i lartë shtetëror), pat reaguar nëpërmjet një artikulli*, ku ndër të tjera shprehej se: <<Pjesëtarët e FSK-së që fotografohen duke bërë rite kolektive fetare në ambiente sekulare ushtarake dhe me uniformën e shtetit sekular dhe multi-konfesional, veç sa bëhen mjet i fuqishëm i propagandës…>>. Vetëm pak vite më vonë, drejtoria e një shkolle fillore shtetërore, pra sekulare thënë në gjuhën e Selimit, sipas disa mediumeve lokale, i ka detyruar nxënësit e saj ta vizitojnë Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, e megjithatë gardianët e sekularizmit, nuk janë dëgjuar të kenë nxjerr zë – shkruan Gazeta e Re.

Shkolla Fillore e Mesme e Ulët Naim Frashëri në Prishtinë, përkatësisht drejtoria e kësaj shkolle, para disa ditësh (14 tetor, 2017), sipas disa mediumeve lokale, i ka detyruar nxënësit e kësaj shkolle që të shkojnë e ta vizitojnë Katedralen Nën Tereza. Fotografitë e vizitës kanë qarkulluar nëpër rrjetet sociale, ndërsa janë shoqëruar nga një reaksion i gjerë komentesh negative, kryesisht nga besimtarët të cilët i kritikonin institucionet për standarde të dyfishta.

“Grindjet” se në hapësirat e ashtuquajtura sekulare, (nuk) duhet akomoduar besimtarët, nuk janë të reja. Këtë e përshkruan  më së miri rasti i reagimit të Petrit Selimit te shkrimi: *Me dy gishta përpjetë i vitit 2013. Arbër Fetiu, një njohës i mirë i këtyre termeve dhe jo vetëm, ia pat hedhur poshtë pretendimet qesharake të Selimit se ushtarët besimtarë të FSK-së kanë cenuar sekularitetin, duke iu përgjigjur kësisoj:

<<Si ambient i mbyllur që është, sikurse spitalet apo burgjet edhe ushtria duhet domosdo t’i akomodojë  besimet fetare dhe diversitetin fetar, por edhe atë botëkuptimor (ateist, agnostik etj). Kështu për shembull, ligji  i vitit 1905 për laicitetin në Francë (pasi fetishizuesit e “ndarjes” i referohen shpesh Francës si model) në artikullin e tij të 2-të, tek përcakton se Shteti nuk njeh dhe nuk subvencionon asnjë kult, thotë shprehimisht kështu: “Sidoqoftë, mund të regjistrohen për benificione buxhetore shpenzimet relative për shërbimet e intervenantëve fetarë, si dhe shpenzimeve të tjera të destinuara për të garantuar shprehjen e lirisë së kultit në institucionet publike si lice, kolegj, shkollë, spital, azile (hapësira të qëndrimit të përhershëm apo të gjatë)  dhe burgje”. Është mbi këtë princip, që Franca sot, jo vetëm se garanton lirinë fetare në ushtri mu mbi parimin e laicitetit, por edhe paguan klerin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të kultit brenda ushtrisë. Sekularizmat tjerë në hemisferën Perëndimore janë po aq akomoduese e edhe me shumë. Petritin dhe pushtetarët tanë, duket se perceptimi i përzier i laicitetit, i ka penguar të pyeten ndonjëherë mbi akomodimin e besimeve dhe botëkuptimeve në gjirin e ambienteve të tilla të mbyllura, ndërkaq, jo të shpërfytyroj nocionin kompleks.>>

Diskutimet që janë zhvilluar në këtë frymë, këtu e sa vite, janë karakterizuar nga diskursi përjashtues, ndërsa kohëve të fundit, siç vuri në dukje para disa javësh Redi Shehu në një debat televiziv <<islamofobia dhe paragjykimi>>  ndaj muslimanëve bëjnë që gjërat të marrin kahje për të keq.

Por vet vizita në një tempull fetar, nuk përbën “rrezik” sipas profesorit dhe sociologut Ardian Gola.

<<Vizitat e tempujve fetarë, të organizuara në mënyrë institucionale për nxënësit, duhet të kenë karakter kulturor dhe edukativ e jo fetar. Fetë janë pjesë përbërëse e historisë dhe kulturës së shqiptarëve aq sa edhe e njerëzimit në përgjithësi. Andaj këto vizita ndihmojnë që praktikisht nxënësit të familjarizohen me këtë trashëgimi të njerëzimit>> – konstatoi Gola për Gazeta e Re. Mirëpo, sipas tij, <<që të arrihet ky qëllim, vizita duhet të përmbushë dy kushte: së pari, që vizita të mos jetë selektive, pra në organizim t’i përfshijë tempujt e të gjitha feve që i përkasin historisë dhe kulturës së shqiptarëve dhe, së dyti, gjatë vizitës të mos iu predikohet nxënësve për konvertim fetar ose për epërsi të një feje në raport me tjerat>>.

Pikërisht për shkak të mungesës së këtyre kritereve, respektivisht raportit selektiv që e kanë institucionet me zhvillimin jetës fetare, ka zgjuar përherë një reaksion të ashpër nga ana e qytetarëve besimtarë.

<<Kosova (institucionet shtetërore), shumë herë ka dëshmuar veten se është shtet “katolaik”>> – u shpreh për Gazeta e Re Xhavit Muslija, një qytetar që jeton në Zvicër, por që i ndjek me interes zhvillimet në Kosovë. Sipas tij, në kushte normale, një vizitë në një tempull fetar, në këtë rast katedrales, nuk përbënë problem, nëse gjatë kohës së vizitës, nuk ka pasur << meshë apo ndonjë mësim fetar>>.

Muslija, nuk kujton të ketë ndodhur një vizitë e ngjashme e organizuar nga ndonjë shkollë publike e Kosovës, në ndonjërën nga xhamitë e shumta të Kosovës. Prandaj sipas tij, këtu vihet në pikëpyetje laiciteti/ sekulariteti i shtetit dhe institucioneve.

Ai tërheqë paralele të tjera, për ta forcuar argumentin e tij, se këtu, njëmend aplikohen standarde të dyfishta.

<<Ja, le t’i tërheqim disa paralele, sa për referencë: Në Kosovë ka investime për krishtlindje, ndërsa nuk ka për bajrame. Në Kosovë është ndërtuar katedralja në vendin e një shkolle, ndërsa ka kundërshtime për xhaminë qendrore. Filharmonia e Kosovës mbanë koncerte nëpër kisha, e në anën tjetër, asnjë aktivitet i ngjashëm nëpër xhami apo teqe>>.

Përfundimisht sipas Muslisë, <<krejt diskursi sillet rreth asaj që: katolicizmi është baras me perëndimorizmin/civilizim, ndërsa islami është baras me lindjen / pra prapambeturin>>.  Për më shumë, sipas tij, diskursi i tillë ka kapluar jo vetëm gjuhën institucionale, por edhe literaturën.

Edhe besimtarë të tjerë muslimanë kanë reaguar në lidhje me aktivitetet e shkollës. Alban Çuli, teologu i njohur nga Shqipëria, duke e komentuar fotografinë dhe duke i kritikuar ashpër standardet e dyfishta institucionale në raport me jetën fetare, e ka cilësuar qasjen e tyre si <<laicizëm idiot kosovar>>. Duhet ritheksuar se krejt reaksionet që ngjalli aktiviteti i shkollës në fjalë, nuk kishin për objektiv vet vizitën e organizuar të shkollës në katedrale, por te standardi i dyfishtë institucional që është shndërruar në dukuri, sipas besimtarëve. Për rastin në fjalë Gazeta e Re ka provuar të kontaktojë me drejtuesit e shkollës dhe Drejtorinë për Arsim në Komunën e Prishtinës për sqarim të mëtejmë, nëse ata këtë aktivitet e kanë marr  në pajtim me pëlqimin e prindërve, por kjo gjë ka qenë e pamundur.

Shqetësimi i besimtarëve muslimanë, që përbëjnë numrin më të madh të qytetarëve të republikës është pikërisht ajo që ngrihej nga Petrit Selimi dikur, vetëm me kurs të kthyer nga e kundërta.  Sipas tyre, sikur Petriti ta shkruante tash reagimin pas publikimit të vizitës në katedrale, me siguri do ta rikonfirmonte konstatimin se nxënësit e një shkolle sekulare që fotografohen brenda një kishe, veç bëhen mjet i fuqishëm i propagandës./ImerTopanica/Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet