Karabaku Malor – Lavrov pret veçmas në Moskë homologët e tij nga Azerbajxhani dhe Armenia

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, u takua veçmas në Moskë dhe diskutoi situatën në Karabakun Malor me homologët e tij nga Azerbajxhani dhe Armenia, përkatësisht Jeyhun Bayramov e Zohrab Mnatsakanyan.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Lavrov u takua të martën (20 tetor) me shefin e diplomacisë armene, Mnatsakanyan, kurse të mërkurën (21 tetor) me kryediplomatin azerbajxhanas, Bayramov.

Njoftimi thekson se takimet pasuan bisedat e fundit telefonike të Presidentit rus, Vladimir Putin, me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe Kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan.

“Gjatë takimeve u diskutuan çështjet urgjente në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve të armëpushimit (humanitar) të arritura më parë dhe formimin e kushteve për një zgjidhje të qëndrueshme në Karabakun Malor”, thuhet në komunikatën e Moskës zyrtare.

Më datë 10 tetor, Armenia dhe Azerbajxhani arritën në kryeqytetin rus një marrëveshje për vendosjen e armëpushimit humanitar me qëllim shkëmbimin e pengjeve dhe trupave të viktimave duke filluar nga ora 12:00 me kohën lokale.

Ushtria armene e shkeli armëpushimin disa orë më vonë kur vrau 10 dhe plagosi 35 civilë në një sulm me raketa në qytetin Ganxha (Ganja).

Kurse më 15 tetor, forcat armene sulmuan gjithashtu kortezhin azerbajxhanas në Tartar duke vrarë 4 civilë dhe plagosur 4 tjerë.

Në sulmin tjetër me raketa në Ganxha, forcat armene vranë 13 civilë dhe plagosën më shumë se 50 të tjerë javën e kaluar, para se delegacionet e Azerbajxhanit dhe Armenisë të binin dakord sërish në Moskë për një armëpushim që hyri në fuqi më 18 tetor.

Megjithatë Bakuja zyrtare njoftoi mëngjesin e së nesërmes se pala armene vazhdonte të mos e respektonte armëpushimin duke kryer sulme ndaj provincës Jabrayil dhe vendbanimeve të tjera të çliruara nga ushtria azerbajxhanase pas tre dekadave të okupimit armen.

Karabaku Malor, një territor azerbajxhanas i njohur ndërkombëtarisht, mbahet i pushtuar ilegalisht nga ushtria armene që prej vitit 1991.

Katër rezoluta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dy rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe shumë organizata ndërkombëtare bëjnë thirrje për tërheqjen e forcave pushtuese armene nga Karabaku Malor dhe 7 rajone të tjera të okupuara të Azerbajxhanit.

Kategoritë
BotaLajme