Kandidatët për kryetarë komunash; ende ka vend për përmirësime

Kanë mbetur edhe dy javë që qytetarët e komunave të Kosovës kanë rastin t’i dëgjojnë kandidatët për kryetar komunash si në kontakte të drejtpërdrejta, gazeta e televizione se çfarë i dallon e cilat janë ofertat e tyre më joshëse. Jo të pakta ishin edhe këto ditë për t’i dëgjuar ofertat e synimet e kandidatëve për të qeverisur me komunat e Kosovës. Rreth 200 kandidat i janë ofruar qytetarit por a janë këta të duhurit e që nuk do ta keqpërdorin pozitën e cila në një apo formë tjetër i bënë jo vetëm kryetar komune por edhe dominues të politikës lokale – shkruan Gazeta e Re.

Për mandatin e ardhshëm katër vjeçar, kandidatët për kryetarë të komunave zotohen se do të përmirësojnë dukshëm jetën e qytetarëve.

E mira e kësaj gare zgjedhore, është fakti që si partitë kaherë të etabluara në skenë, sikurse LDK dhe PDK, ashtu edhe partitë tjera, kanë nxjerrë shumë kandidatë të ri në garë, ka thënë ndër të tjera njohës i punës dhe praktikës parlamentare në Kosovës, Fatmir Haxholli.

“Disa nga këta kandidatë janë të njohur dhe të përkrahur nga strukturat partiake, për shkak të aktivizmit politik, që njohin problemet dhe kërkesat e qytetarëve që synojnë t’i përfaqësojnë. Kjo shton presionin mbi kandidatët që provojnë të ruajnë mandatin aty ku ata janë në qeverisje aktualisht, me fjalë tjera atyre u imponohet të vijnë me programe e projekte specifike. Kemi të bëjmë me një konkurrencë në rritje për programe e oferta cilësore, prandaj kjo situatë flet në favor të interesit publik dhe interesit të qytetarëve. Sidoqoftë, ka edhe raste kur e gjithë energjia është fokusuar në akuza e kundër-akuza. Rrjedhimisht nuk mund të thuhet se kemi kandidatët dhe ofertat më të mira në të gjitha komunat, por vihet re një përmirësim dhe një trend i përafrimit të politikës me realitetin në teren. Ka ende kohë, dhe duhet të presim më shumë kualitete e oferta cilësore, kjo çfarë po shohim nuk mjafton”, pohon Haxholli.

Ai vijon duke argumentuar se, “Legjislacioni mbi qeverisjen me komuna ju ofron kryetarëve shumë hapësirë dhe mundësi për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Sidoqoftë, është koha e fundit që kryetarët e komunave të merren më pak me tema të mëdha, e më shumë me probleme të vogla sikurse ambienti, parqet, fushat sportive, trafiku, apo parkingjet”. Sipas tij, ka shenja që sindromi i liderëve shpëtimtarë të kombit po tejkalohet, “…dhe besojë që kryetarët e komunave janë në dijeni që puna e tyre po vlerësohet, dhe që rrugëtimi i tyre në politikë tash varet drejtpërdrejtë nga vota e qytetarit që i vlerëson për cilësinë e shërbimeve, për hapësirat e gjelbra nëse kanë ku të shëtisin me prindër, fëmijë apo miq, nëse kanë hapësira ku luajnë futboll, basket, apo ndonjë tjetër disiplinë, apo hajde të themi nëse i pret ose jo kryetari në një takim për një ide, projekt, kërkesë apo shqetësim”.

E, analisti Blerim Burajni, ka thënë se ka shumë përsëritje në fjalorin e premtimeve të tyre, pra sipas tij, të gjithë partitë politike pothuajse janë të njëjta në premtime me disa dallime të vogla, të gjithë po thuajse nga kandidatët e partive merren me ndërtim të shkollave, çerdheve, tregjeve, dhe shumë pak flitet për ekonominë lokale.

“…s’kanë ide të cilat do të çojnë ka zhvillimi ekonomik, lirim nga taksat për bizneset ka ndodhë të përmendet por jo duke elaboruar, apo lirim prej taksave për të gjitha bizneset apo veç për start up, pra ka shumë pak gjasa të ketë një zhvillim lokal ekonomik. Shumë programe të partive duken shpenzuese në pa aftësi ideore dhe programore për rritje të buxhetit flitet vetëm për shpenzim pra për parat e mbledhura nga taksat komunale apo donacionet”, shprehet Burjani.

Tutje, “Kryetarët janë lider lokal, kanë kompetenca të gjëra, por kanë edhe probleme në rastet kur partitë politike kanë numër të madh të këshilltarëve komunal kurse kryetari ka shumë pak nga partia e tij këshilltar, rasti i Prishtinës, ku kryetari shpesh bllokohet për të nxjerr vendime, pra në këtë sistem kryetari ka kompetenca por s’ka mundësi t’i kalojë disa apo shumë vendime në kuvend komunal”.

Kujtojmë që, në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 22 tetor të këtij muaji për kandidatë për kryetar komunash qytetarit i janë ofruar rreth 200 kandidatë./Fahrije Bajrami/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet