Jusuf Thaçi: Asnjë qeveri e pasluftës në Kosovë nuk e ka trajtuar seriozisht arsimin

Ish Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës Jusuf Thaçi është ekspert i çështjeve të arsimit. Ai është lindur më 5 maj 1982 në Llapushnik të Drenasit dhe ka përfunduar studimet në Psikologji në Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës (2003-2006). Ai që prej përfundimit të studimeve merret ekskluzivisht me çështjet e arsimit në Kosovë. Fillimisht ka punuar si monitorues dhe analist i çështjeve të arsimit në Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) dhe pastaj ka punuar në Qendrën për Arsim të Kosovës (KEC), si koordinator i komponentit të arsimit të një projekti të BE-së për edukimin e komuniteteve RAE (EU-SIMRAES).

Ai aktualisht është Menaxher i Projektit ATOMI, si dhe Drejtor Ekzekutiv i Institutit ATOMI. Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta e Re ai ka reflektuar rreth problemeve me të cilat përballet sistemi arsimor në Kosovë, respektivisht “pikave më të nxehta” me të cilat ky sistem përballet. Ndër të tjera z. Thaçi ka kritikuar monitoruesit e këtij sistemi, qeverinë qendrore, ministrinë e arsimit etj, për  siç e thotë ai trajtimin e keq që ia kanë bërë këtij sistemi.

GeR: Z. Thaçi, a e konsideroni shkollimin parauniversitar si hallkën e parë ku nisin problemet në sistemin arsimor të Kosovës?

Thaçi: Sistemi i arsimit është një qark i mbyllur dhe sistem vetë-prodhues, rrjedhimisht çfarëdo problemi në cilindo nivel të arsimit detyrimisht reflekton në gjithë sistemin e arsimit dhe në “produktin” që nxjerrë ky sistem. Prandaj, vështirë të thuhet se vetëm arsimi parauniversitar është pikënisja e problemeve në arsimin e Kosovës.  Secili nivel i edukimit/arsimimit, që prej kopshtit deri te doktorata, e ka rëndësinë dhe ndikimin e vet, të drejtpërdrejtë a të tërthortë te nivelet tjera. Kështu që, të gjitha nivelet e edukimit/arsimimit në Kosovë i kemi me probleme të shumta, andaj për përmirësimin e sistemit të edukimit në Kosovë duhet të ndërhyhet dhe të përmirësohet gjendja në të gjitha nivelet.

GeR: Ç’mund të na thoni për Institutin ATOMI dhe veprimtarinë që zhvillohet aty, në fakt, a besoni që puna që e kryen ky institut ka dëshmuar se në Kosovë ka potencial për gjëra të mëdha?

Thaçi: Arritjet dhe sukseset ndërkombëtare të Institutit ATOMI dhe të atomistëve të përzgjedhur nga ATOMI janë dëshmi se edhe Kosova ka organizata dhe individë që me punën, angazhimin dhe potencialin e tyre, edhe në garë me më të mirët e botës, mund të arrijnë suksese kulmore në nivel ndërkombëtar në fusha të ndryshme të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit. Por fatkeqësisht, organizatat dhe individët e tillë në Kosovë përkrahen fare pak nga institucionet shtetërore të Kosovës, lokale e qendrore. Këta nxënës e të rinj (atomistët) kanë nevojë të identifikohen dhe të përkrahen vazhdimisht dhe në shumë drejtime, por megjithëse Instituti ATOMI ofron maksimumin e shërbimeve dhe aktiviteteve përkrahëse për atomistët në përputhje me burimet që ka në dispozicion ky institut, jemi të vetëdijshëm se në raport me nevojat reale të atomistëve ne mund të ofrojmë shërbime dhe aktivitete përkrahëse modeste për shkak të mungesës së burimeve financiare, rrjedhimisht edhe profesionale e infrastrukturore, me të cilat ballafaqohet Instituti ATOMI. Prandaj, në mungesë të përkrahjes së duhur nga institucionet shtetërore, shumë të rinj me potencial të jashtëzakonshëm intelektual, me dhunti e talente në Kosovë nuk arrijnë asnjëherë ta realizojnë maksimalisht potencialin e tyre dhe rrjedhimisht as të dëshmojnë rezultate e suksese kulmore në nivel vendi e në nivel ndërkombëtar, të cilët pastaj do të mund të jepnin kontribut në zhvillimin e përgjithshëm të vendit e shoqërisë. Kjo është një humbje e madhe për ata që kuptojnë!

GeR: Meqë jeni njohës i shkëlqyeshëm edhe i rrethanave politike, a mendoni se qeverisja qendrore po vjen duke u ndërgjegjësuar për sa i përket gjendjes së arsimit?

Thaçi: Asnjë qeveri e pasluftës në Kosovë nuk e ka trajtuar seriozisht arsimin dhe nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur me politika përkatëse e me financa. Sistemi i arsimit në Kosovë që nga paslufta funksionon vetëm në nivel mbijetese, sepse asnjëherë nuk janë ndërmarrë politika të mira e investime të mëdha në fushën e arsimit sa për të mundësuar një sistem arsimor cilësor, i cili përmirësohet e avancohet vazhdimisht në përputhje me zhvillimet bashkëkohore. As momentalisht nuk mund të vërehet ndonjë përpjekje e tillë, prandaj vështirë se mund të thuhet se qeveria, aktualja dhe të mëhershmet, është ndërgjegjësuar për gjendjen e keqe në fushën e arsimit në Kosovë.

GeR: Le t’i shikojmë çështjet nga një perspektiv tjetër, a besoni që një raport më i shëndosh ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, do të ndikonin edhe në rigjenerimin e fushave të ndryshme shoqërore? Ju besoni në idenë e bashkimit kombëtar, pse?

Thaçi: Së pari, bashkimi kombëtar nuk është thjesht një ide, është një projekt, një e drejtë e shqiptarëve ende e parealizuar. Sado i vjetër të duket si projekt, për aq kohë sa nuk realizohet, ai do të vazhdojë të mbetet edhe aktual.

Janë dy arsye kryesore, të ndërlidhura me njëra-tjetrën, pse personalisht besoj dhe kontribuoj për bashkimin kombëtar:

  1. Arsyeja dhe e drejta historike e shqiptarëve për të jetuar në një shtet të vetëm, e drejtë të cilën e kanë realizuar shumica apo të gjithë popujt e qytetëruar të Evropës.
  2. Arsyet praktike, sepse bashkimi i shqiptarëve në një shtet të vetëm nënkupton një shtet më të madh, më të fuqishëm, më të sigurt; një faktorizim më i rëndësishëm i shqiptarëve në planin rajonal dhe global; treg dhe konkurrencë më të madhe brenda vetes dhe rrjedhimisht ekonomi, arsim, shkencë, kulturë, art, sport, turizëm, etj. më të zhvilluar.

GeR: Na e lejoni që për fund t’ua shtrojmë këtë pyetje, gazetaria online e cila ka shpërthyer viteve të fundit, në përgjithësi vuan nga një mungesë e standardizimit etik e profesional, a mendoni që duhet bërë diçka në këtë drejtim?

Thaçi: Sigurisht, fillimisht vet komuniteti i gazetarëve duhet të rregullojë aspektet etike e profesionale bazuar në standardet e profesionit të gazetarisë dhe pastaj duhet të zhvillohet edhe legjislacioni përkatës që e rregullon gjerësisht këtë fushë, përkatësisht këtë format të ri të mediave./Gazetaere.com

Kategoritë
INTERVISTALajmet Kryesore

Të ngjajshmet