Jusuf Buxhovi: Kur shteti kthehet në plaçkë

Jusuf Buxhovi u lind në Pejë më 4 gusht të vitit 1946. Mësimet e para dhe shkollën e mesme i kreu në Gjakovë. Studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku u diplomua në vitin 1968. Studimet pasuniversitare i kreu në degën e historisë së Universitetit të Kosovës në vitin 1979, me ç’rast , me temën “Lidhja shqiptare në dokumentet gjermane”, mori titullin e magjistri të shkencave të historisë.

Karrierën e nisi si poet dhe gazetar i kulturës në gazetën “Rilindja” në vitin 1967, të cilën e vazhdon si korrespondent i saj në Gjermani, deri në fund të vitit 2008. Rreth krijimtarisë letrare të viteve të fundit të autorit, mund të thuhet se me romanet “Prapë Vdekja I, II, III” (1991-1995) pastaj me “Letrat për Kryeprincin” (2002), “Vera e fundit e Gjin Bardhit” (2003), si dhe “Trilogjinë Gjermane” (Vdekja e Kolonelit, Kujtimet e zonjës Von Braun dhe Kodi i Dashurisë) të botuara në vitet 2004-2006, krijon një cikël tematik të eposit të prozës shqipe, i cili mbështetet mbi qenien ekzistenciale të popullit që nga antika e deri në ditët tona. Ai është edhe laureat i çmimit ‘Azem Shkreli’, i shpërblyer pra, për krijimtari letrare.

Së fundi ai është sprovuar edhe si historian. Veprat e tij në fushën e historisë mbi Kosovën, kanë zgjuar jo pak polemika. Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta e Re ai ka folur mbi raportin e Kosovës me vendet e tjera, me hapat e parë të saj të demokracisë, rolin e shteteve të fuqishme dhe indiferencën e institucioneve kosovare në raport me kulturën.

GeR: Z. Buxhovi pasi që ju jeni njëri prej historianëve shqiptar që keni depërtuar me librat tuaj në biblioteka të ndryshme e prestigjioze të botës, do të donim të dinim mendimin tuaj, si u bë puna që edhe kësaj radhe Kosova nuk u anëtarësua në UNESCO? Nuk kemi trashëgimi apo nuk i kemi ekspozuar si duhet vlerat e saj?

Buxhovi: Hapja e kësaj çështje nxjerr në pah mungesën e konceptit tonë rreth trashëgimisë kulturore historike, rreth historisë në përgjithësi si dhe rreth vlerave themelore që kanë të bëjnë me përkatësinë e qytetërimit perëndimor tonën, me rrënjë të thella në antikitet si dhe pasojave që vinë prej saj. Fillimisht duhet  thënë se shteti i Kosovës me pakon e Ahtisarit, kur kishës ortodoks serbe me pa të drejtë  iu dhanë “tapitë” e krishterimit mesjetar, jo vetëm që hoq dorë nga trashëgimia kulturore dhe shpirtërore në përputhje me zhvillimin e vet historik,siç ishte krishterimi të cilin në Dardani dhe Ilirik u pranua nga shekulli IV e këndej, por Beogradit iu njoh edhe “e drejta historike” ndaj Kosovës! Natyrisht se Serbia, e cila shfrytëzoi këtë “peshqesh” tonin që paraprakisht gjithë trashëgiminë mesjetare ta regjistrojë në UNESCO  si “krishterim ortodoks serb” dhe “kulturë serbe”, nuk e pati të vështirë, që bashkë me Rusinë, Greqinë dhe mentorët tjerë politikë, ta amortizojë maksimalisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim. Nëse kësaj i shtohet edhe e dhëna se fushata për anëtarësim në UNESCO ishte joprofesionale (me disa katalogje turistike), me mangësi të shumta dhe pa animime intelektuale që janë të domosdoshme në rrethana të tilla kur para botës vlerat e tilla duhet të pasqyrohen me kompetencë,  ishte më se e qartë se epilogu mund të ishte tjetër pos atij që pamë. Me heqjen dorë nga kërkesa për anëtarësim, siç ndodhi tash nga qeveria jonë, gabimeve të mëparshme ia shtoi edhe dyshimin e drejtë se kësaj politike, me shumë e shumë hipoteka të rënda të keqqeverisjes, nuk i intereson kultura dhe trashëgimia kulturore  dhe ajo shpirtërore në përmasat e saj  reale, e cila shtetit të Kosovës do t’i shërbejë “si certifikatë” e pashlyeshme historike, meqë futja e saj nën mbrojtjen e UNESCO-s, pamundëson që disa rajone, ku gjurmët e saj janë transparente, të mbesin në “pronësi” të feudeve kriminale dhe mafioze!

GeR: Ju keni një përvojë edhe në politikë, e cila po ashtu i kalon përmasat vendore të njohjes e informacionit. Shteti i Kosovës është duke ecur apo ka stagnuar duke ngelur e vetëkënaqur me 115 njohjet që i ka deri më tani? Është fajtore politika vendore apo ngufatja nga kushtëzimet ndërkombëtare?

Buxhovi: Pse kemi ngecur me njohje, fajin duhet kërkuar te politika jonë e papërgjegjshme, e cila, në vend se të shfrytëzojë praninë ndërkombëtare dhe resurset e saj për ngritjen e një shteti në përputhje me standardet më të avancuara demokratike, ku krahas zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies shoqërore, liria dhe të drejtat e qytetarëve do të respektoheshin gjithanshëm, gjithë energjinë e vet e ka drejtuar për interesa personale, pra që pushtetin politik ta shfrytëzojë për kthimin e shtetit në një plaçkë, gjë që e gjitha është pasqyruar me korrupsion, nepotizëm, kriminalitet dhe veprime të tjera të ngjashme, që atë e kanë radhitur ndër vendet e krizës. Kështu, kjo klasë politike, me infrastrukturën e saj mafioze të lansuar në të gjitha strukturat e shtetit, krahas humbjes së kredibilitetit të brendshëm ka filluar të humb edhe përkrahjen e jashtme, veçmas nga aleatët tanë, që ndihmuan çlirimin dhe shtetndërtimin tonë. Ky degradim u pa më së miri kohëve të fundit në kryeneçësinë e pjesës më të madhe të klasës politike që t’u japë përgjigje të duhur kërkesave të ndërkombëtarëve rreth krijimit të kushteve për anëtarësimin në BE dhe strukturat e NATO-s, ndër të cilat duhet theksuar luftën kundër korrupsionit, luftimin e kriminalitetit institucional si dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare (demarkacionin me Malin  e Zi). Meqë mbijetesa e kësaj klase politike lidhet me mbetjen në pushtet me çdo kusht, atëherë ishte e pritshme që ndaj sfidave  të mëdha të brendshme dhe të jashtme të kundërpërgjigjej me destrukcione të vazhdueshme, siç ishin ato gjatë dy-tri viteve të fundit me kthimin e parlamentit në një arenë të turpshme me çka u inskenuan zgjedhje që nuk sollën gjë pos riciklimit të së keqes  me të keqe. Kundruall këtyre rrethanave të papërgjegjshme dhe komprometuese, kur vihet në lojë autoriteti i shtetit nga vetë pushtetarët deri aty  sa të hapet dyshimi se mos është fjala për një shtet të dështuar, nuk mund të pritet kurrfarë njohjesh, pos që ndonjë prej tyre edhe të tërhiqet! Për fat të keq, kjo klasë politike (në pozitë dhe opozitë) nuk po tregon kurrfarë shenjash se e do të  ndërrojë sjelljen për të mirë. Përkundrazi, edhe më tutje po injoron këshillat dhe sugjerimet e miqve ndërkombëtar për sjellje ndryshe!

GeR: Dialogu mes Kosovës e Serbisë, i njohur si dialogu i Brukselit, i nisur vite më parë, ç’të mira solli për Kosovën? Po për insistimin e Presidentit të Kosovës që dialogu të bëhet në nivel presidentësh me Serbinë, cili është mendimi juaj dhe çfarë mund të prodhojë ky dialog?

Buxhovi: Dialogu me Serbinë, për të cilin është folur aq shumë, në të vërtetë është një huqje e madhe e kësaj politike të papërgjegjshme, jo pse nuk duhet të ketë dialog me Serbinë, po pse ai ka nisur gabimisht, meqë ka anashkaluar fare dialogun me serbët e Kosovës, që duhej t’i paraprinte atij me Serbinë pasi që pakica serbe në Kosovë të arrinte një marrëveshje për kyçjen dhe inkuadrimin e saj të plotë në jetën institucionale të vendit qoftë në përputhje me kushtetutën e Ahtisarit, që atyre u siguron shumë e shumë privilegje. Në këto rrethana, politikanët e Kosovës, i kanë bërë një shërbim shumë të keq vendit, duke i mundësuar Serbisë që të faktorizohet, pra të kthejë ndikimin në Kosovë përmes instrumentalizimit të pakicës serbe, siç u pa më së miri me rastin e zgjedhjes së qeverisë së re kur ajo demonstrativisht përdori “Listën serbe” për instalimin e saj në faktor kryesor në Kosovë, i varur drejtpërdrejt nga sjellja e Beogradit! Andaj, edhe insistimi i Presidentit për “ngritjen” e bisedimeve në nivel të Presidentëve, nuk është tjetër pos një marifet tjetër i kësaj politike të shantazhuar gjithanshëm, që me “nivele” të shpifura, të fsheh të vërtetën se dialogu me Serbinë, si i tillë që e pamë deri më tash, Kosovës nuk do t’i sjell tjetër pos futjen dhe zgjerimin  e mëtutjeshëm të  ndikimit politik dhe shtetëror të Serbisë në Kosovë me anë të dyerve të  hapura, që për pasojë do të ketë destabilizimin e mëtutjeshëm të vendit, ngaqë e gjitha do të përcillet me kërkesa të tjera Beogradit, me të cilat shteti i Kosovës do të vihet para telasheve të vazhdueshme. Përballë këtyre realiteteve të hidhura, klasa politike e Kosovës, duhet të arrijë një konsensus kombëtar, në mënyrë që raportet me Serbinë të mbështeten mbi një platformë që çon kah njohja e plotë e shtetit të Kosovës si subjekt ndërkombëtar dhe jo të rikthimit të saj politik në Kosovë, siç po ngjet tani me “Listën serbe”, e cila haptas injoron shtetin e Kosovës.

GeR: Në Serbi, Aleksandër Vuçiq kohë më parë e inicioi një dialog brenda serb për Kosovën. I njëjti ka thënë se në mars do të vjen me konkluzione nga ky dialog. Çfarë prisni ju si konkluzion?

Buxhovi: Serbia tashmë e ka të qartë se ia ka dalë që ta kthejë ndikimin e vet politik në Kosovë dhe madje, me bisedime që Kosovës nuk i kanë sjellë ndonjë të mirë, po faktorizohet në raport me Bashkimin Evropian. Natyrisht se Serbia, me “nisma” tilla, ku  “heqjen”  e Kosovës nga preambula e kushtetutës së vetë “si krahinë serbe” e ka kusht për anëtarësim në BE, do të mundohet që t’i heq të gjitha hipotekat e së kaluarës ndaj Kosovës, siç janë edhe ato për gjenocid të hapur ndaj shqiptarëve,  për çka edhe u bombardua nga NATO. “Pajtimi me shqiptarët”, pasi që të jenë arritur të gjitha parametrat e saj politikë dhe nacional në Kosovë,  me siguri se do të shfrytëzohet si një mundësi e mirë që  të kthehet edhe në një faktor rajonal.

GeR: Në vende të ndryshme të Evropës pati procese zgjedhore, së fundi ato ishin në Gjermani e Austri dhe në të dyja këto vende, sikur pati një fitore të madhe të forcave djathtiste e konservative. Janë këto shenja të mira për rrugëtimin e BE-së, e posaçërisht të vendeve të Ballkanit Perëndimor të cilat synojnë BE-në apo jo?

Buxhovi: Jo vetëm në Gjermani dhe Austri pati ndryshime në skenën politike kah etablimi i të partive të djathta. Ato u paraprinë me të ngjashme në Francë, në Holandë dhe në pjesën më të madhe të vendeve të BE-së në nivelet lokale dhe ato rajonale. Ky zhvillim ishte edhe i pritshëm, meqë shqetësimeve të deritanishme (sistemit monetar), iu shtua edhe ai i migracionit të pambikëqyrur, i cili gjatë këtyre dy viteve të fundit, me mbi dy milionë refugjatë nga Lindja e Afërme dhe Afrika, mori përmasa alarmante. Nëse kësaj i shtohen edhe tendencat gjithnjë e më të hapura të shfaqjes së islamit politik në shumë vende perëndimore, i pasqyruar me radikalizmin fundamentalist (akte të terrorit), atëherë përgjigjja politike ndaj një zhvillimi të tillë është e natyrshme, veçmas kur kihet parasysh se fundamentalizmi islamik dhe terrorizmi prekin themelet e vlerave të shoqërisë perëndimore: sekularizmin dhe laicizmin. Sigurisht se ngritja e  të djathtës në skenën politike të shumë vendeve perëndimore, përfshirë edhe Gjermaninë si lokomotivë e BE-së, ka filluar të kuptohet drejt, jo si “ekses” as “si ekstremizëm” konservativ fashizëm” e të ngjashme, siç është quajtur deri tash, por si një vërejtje e serioze ndaj koncepteve të ekonomisë globale dhe liberalizimit të pambikëqyrur, që pamëshirshëm rrënojnë ekonomitë kombëtare dhe ndaj migracionit me valë të mëdha refugjatësh, që duhet parë nga shkaqet dhe jo  riparimi i pasojave me “humanizëm” pa kufi, që sjell përmbysje sociale gjetiu.

GeR: Z. Buxhovi siç e dimë nga historia, zona e Ballkanit ka vazhduar të jetë zonë e interesave të ndryshme të fuqive botërore. Angazhimin e Republikës së Turqisë, ndaj së cilës kritikat shkojnë aq larg sa çdo angazhim i saj portretizohet si gjëja më e keqe që mund t’i ndodh rajonit. Sipas jush pse duhet të ketë këso qasjesh përderisa Turqia pa shumë fjalë, por me veprime konkrete ka qenë krah i paqes në Ballkan?

 

Buxhovi: Evropa Juglindore përherë ka qenë hapësirë e fërkimeve politike dhe kulturore të përmasave të mëdha botërore ku janë konfrontuar interesat e ndryshme antagoniste. Natyrisht se shpërbërja e ish Jugosllavisë dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik bashkë me rënien e komunizmit si dhe realitet e reja të krijuara në rajon, sidomos shfaqja e shtetit të Kosovës, përkundër ndryshimit të raportit të forcave në dobi të Perëndimit, kësaj pjese nuk ia kanë hequr rëndësinë e madhe gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Kështu, faktori rus, përpiqet ta kthejë ndikimin e vet me anën e gjeoekonomisë, duke shfrytëzuar problemet e BE-së, por njëherësh duke shfrytëzuar edhe Serbinë dhe vendet e tjera përreth, të cilat kanë qenë aletë tradicionalë të saj. Në këtë konfigurim, futet edhe Turqia, e cila, po ashtu, kërkon që të shtojë ndikimin  në rajon, veçmas në vendet e ish Jugosllavisë (Kosovë, Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni), por edhe në Shqipëri dhe Bullgari, ku fitohet përshtypja se po fut në lojë kartën e neo-otomanizmit, sado që nga aspekti i sotëm  politik kjo është e pamundur . Natyrisht se Turqia si një vend tepër i rëndësishëm që lidh nyjën strategjike midis lindjes dhe perëndimit, shfrytëzon këtë faktor, por edhe atë ekonomik dhe fetar njëherësh në përputhje me interesat e veta. Por, përkundër fërkimeve me BE-në dhe ndonjë mosmarrëveshje të vogël  me NATO-n, nuk duhet pritur që Turqia t’ia kthejë shpinën aleancës veriatlantike ose SHBA-ve, e aq më pak që të lidhet me Rusinë, sepse kjo do të ishte një vetëvrasje për vetë Turqinë. Pra, Turqia mbetet edhe më tutje partner shumë i rëndësishëm për Perëndimin e me këtë edhe i stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Si e tillë, Turqia  shfaqet  si faktor i rëndësishëm edhe për Kosovën dhe për Shqipërinë. Andaj, përpjekjet e saj për pozicionim sa më të favorshëm në rajon, siç janë ato në raport me Serbinë, nuk duhet parë si diçka që shkojnë  në dëm të Kosovës ose të Shqipërisë, ngaqë shqiptarët në rajon nuk janë më objekt kusuritjesh, siç ishin gjatë Krizës Lindore e deri te luftërat ballkanike, por si subjekte të rëndësishme shtetërore, që ruajnë baraspeshën strategjike në dobi të Perëndimit. Ajo që mund të shfaqet si shqetësim këtu, është pikërisht sjellja e papërgjegjshme e elitës politike në Kosovë dhe Shqipëri, në raport me rolin që ka sot faktori shqiptar në këtë konfigurim të rëndësishëm gjeopolitik dhe gjeostrategjike, ku Turqia zë një vend të rëndësishëm.  Bie në sy se Shqipëria dhe Kosova, veçmas kjo e fundit,  bashkëpunimin e gjithanshëm me Turqinë nuk e kanë vu në binarët e partneritetit strategjik, por e kanë rrudhur në pazaret allaturka për interesat e grupeve politike, pa ngurruar që projektet e rëndësishme ekonomike dhe zhvillimore aq të domosdoshme të zëvendësohen me biznese të pista, ku është futur edhe karta e religjionit, që në njëfarë mënyre, me ndërtimin e xhamive të shumta me anën e parave të dyshimta,  i është hapur rruga edhe islamit politik.

GeR: Dhe për fund, çka janë duke iu shërbyer shqiptarëve këto takimet mes qeverive të Kosovës e Shqipërisë?

Buxhovi: Takimet e deritanishme  midis qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë  janë pasqyrë e sjelljes së papërgjegjshme në nivel shtetëror dhe kombëtar ndaj një të arriture historike që është pasqyruar me faktorizimin e shqiptarëve në rajon. Ato, siç i kemi parë deri më tani, kanë qenë më shumë sa për sy e faqe, një tiradë folklorike për ndonjë fushatë zgjedhore, ose për çallme klanesh mafioze dhe pak në dobi të të dy shteteve e aq më pak në dobi të interesave kombëtare, edhe pse në agjendën e retorikës ato thuajse janë të përhershme. Është vërtetë e pakuptueshme se si një favor historik aq i madh, siç është shteti i Kosovës, nga klasa politike në Tiranë dhe Prishtinë, jo vetëm që nuk është  shfrytëzuar, në mos për një afri të natyrshme të brendshme drejt një bashkimi në rrethanat e reja, as për një bashkëpunim normal ekonomik dhe  kulturor  midis dy shteteve të barabarta, të cilave nuk u pengon kush që kufiri të jetë vetëm një shenjë pa ndonjë rëndësi!  Andaj, nuk është për t’u habitur pse kemi bashkim të kriminelëve për hesape kriminale, kemi bashkim të mafisë politike për hesape të përbashkëta, kemi bashkim të mediumeve me mediokër dhe spekulantë që kontaminojnë hapësirën mediatike me gënjeshtra dhe jo vlera. Po ashtu, nuk duhet habitur pse edhe pas më shumë se një çerek shekulli të rënies së murit të hekurt ndërshqipar, nuk kemi bashkim intelektual dhe shpirtëror për projekte të përbashkëta kulturore në nivel kombëtar, siç do të duhej të ishin ato rreth historisë së përbashkët, teksteve shkollore dhe çështjeve të tjera madhore, ku do t’u jepeshin përgjigje atyre thelbësore, me çka nuk do të lejohej që identiteti kombëtar të ngatërrohet me atë krahinor (kosovar) dhe me atë fetar, siç po ngjet shpesh në Shqipëri, në Kosovë dhe veçmas në Maqedoni!./Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTALajmet Kryesore

Të ngjajshmet