Jetlir Buja: Zullumi sot nuk na vjen veç nga klasa e korruptuar politike

Artikujt e Jetlir Bujës, gazetar dhe opinionist, janë shquar jo vetëm për kah natyra rezonuese e thellë mbi fenomenet, por edhe stilit pikant. Ai ka studiuar për filozofi në Universitetin e Prishtinës, ndërsa prej vitesh i ka bërë vend zërit të tij në publicistikën shqiptare. Nën regjimin e lapsit të Bujës, më së miri pasqyrohet realiteti ynë shoqëror. Konteksti social, politik dhe përgjithësisht kulturor, janë terrene nëpër të cilat ai bredh guximshëm, meqë edhe i njeh mjaft mirë.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re, ai ka reflektuar rreth ‘krizës’, jo vetëm si nocion por edhe si fenomen me të cilin përballemi. Ndër të tjera ai ka treguar se krahas publicistikës, shkruan edhe letërsi. Mos u befasoni këtej e tutje, nëse në vitrina librarish, hasni ndonjë përmbledhje me tregime të shkurtra, që për autor ka Jetlir Bujën.

 GER: Te një artikull i publikuar para disa vitesh* argumentonit, ndër të tjera, se kriza tek ne trajtohet vetëm në kuadër të një terreni, atij politik. Megjithatë, edhe sipas jush, si fenomen, ajo nuk mund as të definohet vetëm përbrenda këtij kuadri. Disa konsiderojnë se e tëra ka të bëjë me një reflektim nga sistemi arsimor i stërkequr… etimologjia e këtij fenomeni, a të duket që është kaq e thellë? (*Kriza e imazhit)

J.Buja: Etimologjia e fjalës ‘krizë’ nga greqishtja e lashtë thotë “pikë vendim-marrëse” ose “pikë ku gjërat marrin kthesë vendimtare”. Për çka vendosi shoqëria kosovare? Luftën e bëri një grup i vogël njerëzish të cilët ajo i këqyrte me tallje e përbuzje duke mos pasur guxim të rrezikonte bythën e vet. Me lirinë s’e din se çka të bëj as sot, i duket barrë e rëndë sepse ajo sjellë me vete përgjegjësi. Shtetësinë, që bazohet në projektin e internacionalizmit liberal, e vendosi komuniteti ndërkombëtar. Prandaj, ta shtrojmë hapur pyetjen më thelbësore që i bën domethënëse dy dekadat e fundit: Çka në lesh bëri shoqëria jonë? Kurrgjë hiç. U sill poshtë e përpjetë, i shtriu koçet dhe u turr nëpër kafene. Iku nga përgjegjësia. Më 1999 jo të gjithë ishin të detyruar të iknin në Bllacë, epo ja që një pjesë e madhe vullnetarisht ikën nga vendi duke e lehtësuar planin serb për spastrim etnik. Pas 1999-s, siç thonë statistikat e ASK-së (që numëruan vetëm deri më 2015), më shumë njerëz ikën nga vendi se në tri dekada të paraluftës. Shoqëria iku edhe nga përgjegjësia, kur iu mori turr universiteteve për një diplomë, krejt e papërgatitur, dhe bëri presion të lehtësoheshin studimet. Ka faj të madh edhe për nepotizmin e klientelizmin, sepse rrin gatitu në radhë për një vend pune të pamerituar. Për faj të saj është bërë një trill i mosvetshëm vitet e fundit, janë krijuar mijëra vende pune që nuk prodhojnë asgjë e nuk ua sheh hairin askush. Sepse në gjendjen e saj gatitu në-ikje, ajo u bë edhe kollaj e korruptueshme. Dhe, zullumi sot nuk na vjen veç nga klasa e korruptuar politike, por edhe nga kjo masë e stërgatshme për të përfituar nga korrupsioni. Në çdo drejtim. Padyshim, në trupin e saj vetë ajo shpërndan përditë stimulantë anti-krizë, që i pamundësojnë njerëzit të jetojnë me dinjitet. Ajo ankohet e rënkon, por këtë e bën skutave, me pëshpërimë, e e padëgjuar. Dhe po ajo, përçmon më poshtërsisht se çdo shoqëri tjetër njerëzit e varfër. Nuk i han palla për punët reale në vend, për mbledhësit e bërllokut, zanatçinjtë, për pastruesit, e për njerëz të tjerë që shkilen pamëshirë.

Jo, në Kosovë nuk ka kurrfarë krize. Me gjendjen sociale në vend janë të pakënaqur veç pak njerëz, disa varfanjakë të shtypur dhe disa njerëz të tjerë që shkaku i kokfortësisë që kanë s’e durojnë me të drejtë skemën e korruptuar të prodhimit. Ama, ky mllef përmban kurthe. Ne nuk duhet ta mendojmë ikjen nga vendi veç pse gjërat shkojnë keq e ne jemi të pafuqishëm. Jo. Gjërat për fat të mirë ndryshojnë, e zullumit që po na bëjnë këta qindra-mijëra njerëz do t’i vijë fundi. Zhgënjimi e rënkimi janë parakushte për t’u bërë edhe vetë të korruptuar.

GER: Ndoshta Kosova ndodhet në një rrugë, nëpër të cilën kanë kaluar edhe shtetet e tjera post-komuniste dhe post-socialiste. Mësimi që mund ta nxjerrim nga shembujt e tillë është edhe ky që: përveç transformimit të sistemit politik, shoqërisë medoemos i duhet edhe një transformim në kuptimin e sistemit të vlerave. A mos ndodheminë stadin e konsolidimit të sistemit të vlerave?

J.Buja: Në fakt, Kosova po hapëron më shpejt se shtetet e tjera në zëvendësimin e vlerave. Kemi një vetëdijësim të gjithandejmë mbi atë që është e padrejtë. Nëse dikur shihej e drejtë ta mbysje dajak gruan a djalin, sot shihet si diçka kriminale. Dalëngadalë po kriminalizohet ‘i zoti i shtëpisë’ si një burrë që kishte pronësinë dhe të drejtën e trupave të ‘robëve’ të tij, gruas e fëmijëve, po njëjtë si mbi tokën e tij.

Ju i përmendët shtetet e tjera komuniste, por nëse flasim veç për Jugosllavinë, nuk duhet të mos i pranojmë meritën për luftën institucionale që ajo bëri kundër prapambeturive tona. Ta zëmë, kishte xhobë ndaj familjeve që vendosnin të mos i çonin në shkollë vajzat (babai i gjyshes time në Prishtinë ishte mësues, e çikën e vet e la të mësonte veç katër vjet). Pastaj, edhe dënimi i rëndë që parashihej me kodin penal për rastet e gjakmarrjes. E vërteta është se luftën e parë kundër shtypjes e vrasjeve që bënte kanuni e bëri ky shtet, shumë më përpara aktivizimit të lëvizjes për pajtimin e gjaqeve. Pra, nuk është se gjatë periudhës komuniste vlerat e prapambetura u prezervuan – jo, ato u luftuan edhe më ashpër se sot. Bile kështu ndodhi edhe në BRSS, Shqipëri, Çeki e kudo. Mirëpo, kapitalizmi është shumë më efektiv, natyrisht. Ai ta jep lirinë të zgjedhësh, ama secili e di mirë se qysh ia qet më mirë. Mund të mos e lejosh vajzën që të shkollohet e të shkojë në punë, ama kështu i ngushton mundësitë financiare. Por, këtu fshihen shumë kurthe, sepse kapitalizmi për aq sa njerëzve iu konvenon, i konservon format e ndryshme të shtypjes. Për shembull, shtypjen gjinore e atë racore. Në Amerikë, sot kapitalizmi është aleat i racizmit kundër njerëzve me ngjyrë.

Por, nuk besoj se jemi në një kaos vleror siç besonin disa tjerë bashkë me mua dikur. Jo, në të vërtetë kaosi shpreh nevojën për vendosjen e një autoriteti apo disa autoriteteve të panevojshme. Vlerat po ndryshojnë dhe ky nuk është një proces që do të bëhet pa therrë në këmbë. Do të përjetojmë shumë trauma, secili prej nesh që s’do t’ia dalë të përshtas rolin e tij, ta modifikojë që të mos jetë shtypës ndaj askujt.

GER: Në këtë kontekst, përse arteve në përgjithësi, e në veçanti letërsisë, nuk i kushtohet mjaftueshëm vëmendje?

J.Buja: Nuk e di. Ndoshta se njerëzit e këtushëm nuk kanë kurrfarë gajlesh ekzistenciale. Asnjë gajle që iu shkon matanë ekonomisë. Ndoshta, nevojën për art e letërsi e kanë zëvendësuar me rrëfime kafenesh, tregime e përgojime, rrena e fjalë boshe. Por edhe me argëtime tjera si futbolli, sportet e tjera, seritë televizive, emisionet politike. Ndoshta edhe janë bërë maniakë të seksit e masturbimit. Ndoshta janë bërë perversë që këqyrin gjithë ditën pornografi. Kushedi. E ndoshta, se e paragjykojnë rrethanën në të cilën po jetojmë. Mendojnë se ajo nuk meriton të rikrijohet kurrqysh si artistike. Për ta shijuar artin vyen ta mbyllësh gojën për pak, t’i pauzosh planet për ta mashtruar tjetrin, të mos jesh në-ikje, por të mbështetesh në të tashmen e të jesh i durueshëm. Raporti i shoqërisë sonë me artin është tepër i trishtë shkaku i gjithë asaj shpërfilljeje. Zor të merret vesh çka bëjnë njerëzit me gjithë atë kohë të lirë.

GER: Ti shkruan edhe letërsi, unë kam pasur rastin t’i lexojë disa nga tregimet e tua. Çka shkruani më me qejf? Letërsi, artikuj publicistikë?

J.Buja: Unë punoj për një medium ku shkruaj opinione e editoriale dhe bëj përkthime. E bëj këtë punë nga nevoja për një rrogë. Natyrisht, letërsia më lejon më shumë hapësirë që të luaj me ide, karaktere e njerëz. E bëj më me qejf. Për dallim nga shoqëria, unë kam kurreshtje të madhe për realitetin dhe përpiqem me takatin tim ta fiksionalizoj aq mirë sa mundem. Sivjet nëse ia dal të kursej nga rroga, do ta botoj një koleksion me tregime.

GER: A të falë letërsia njëfarësoj lirie? Ose më mirë të ju pyes, sa është e vështirë ta ruash pavarësinë individuale?

J.Buja: Duhet të luftosh për pavarësinë individuale. Krejt në fillim ndaj familjes. Pastaj, shokëve e shoqeve. Të dashurave e të dashurve. Gjithkujt që i rras hundët dhe me dashamirësi të tregon se çka është mirë e çka është keq.

Letërsia të bën të ndihesh i lirë, qoftë edhe ndaj ligjeve të fizikës dhe absurditetit të botës. Të bën të ndihesh i lirë nga bajatësia e fortë që inskenon veç rrethana të pështira kaotike që e mpijnë trurin. Unë për këtë arsye lexoj e shkruaj. Është e nevojshme të kesh hapësirën tënde, ku tjetri është i pazoti të të ndërhyj. Realiteti është trill i mendjeve tona trill-bërëse. Nëse nuk dimë shumë trille, do të ndërveprojmë vrazhdë si kafshë, dhe ai që e quajmë realitet do të duket si një gërmadhë e shëmtuar nga e cila do të neveritemi.

GER: Le t’i kthehemi, edhe njëherë për fund kontekstit politik. Sa ka gjasa të çlirohemi nga kjo klasë politike, e cila edhe nepotizmin, klientelizmin, korrupsionin etj, që ligjërisht cilësohen si krime, i ka bërë legjitime?

J.Buja: Përpjekja për normalizimin e këtyre dukurive negative është e predestinuar që të dështojë. Vlerat nuk ndërrohen për një natë, dhe nëse kemi mësuar diçka nga klasa jonë politike është pafuqia e tyre e vazhdueshme në raport me çdo zhvillim në vend. Asnjë vendim i rëndësishëm për vendin nuk mund t’i atribuohet atyre. Edhe shpalljen e Pavarësisë, si një vendim i marrë në bashkërendim me ndërkombëtarët, sot shihet si një ndodhi e parëndësishme duke qenë se statusin e vendit po e rinegociojmë. Përfaqësuesit tanë politikë janë të parëndësishëm. Janë thjesht përfaqësues vlerash e pikëpamjesh që shoqëria i prodhon. Nëse do ta shihnim nepotizmin e klientelizmin si të gërditshëm e kriminal, atëherë përfaqësuesit politikë nuk do ta bënin. Por, për aq sa e tolerojmë në rrethin tonë, korrupsioni nuk do të ndalet.

Sa i përket teatrit politik, gjërat janë të qarta. PDK-ja e ka humbur pushtetin real që nga koha kur e humbi postin e kryeministrit. Shkaku i veprimeve qorre të Hashim Thaçi, ajo ka mbetur pa aleatë politikë për zgjedhjet që vijnë (përveç nëse Lutfi Haziri e merr timonin e LDK-së). E ka humbur besueshmërinë edhe te komuniteti ndërkombëtar, shkaku i të qenit jokonstruktive në dialog. E ka humbur edhe një masë të madhe votuesish. Dhe duke qenë se nuk mbron asgjë që ka të bëj me të mirën e përbashkët, ajo ka mbetur pa arsye për të ekzistuar.

Padyshim, ndryshime drastike në këtë teatër janë në ardhje. Besoj që Albin Kurti do ta marrë pushtetin për të qeverisur pastaj në dy-tri dekadat e ardhshme. Albin Kurti veçse ndodhet në pushtet, duke qenë se ka peshë të madhe në diskursin e institucioneve të Kosovës, duke e diktuar atë që do të thonë e do të bëjnë liderët kosovarë. Ma merr mendja se e gjithë ideja e ‘korrigjimit të kufijve’ e promovuar nga Thaçi, e që për fat të mirë dështoi, u bë si rrjedhojë e nënshtrueshmërisë së tij diskursive ndaj kryetarit të Vetëvendosjes. Thaçi tashmë edhe vet ka nisur të flas keq për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se përmes saj do të bëhej ‘Republika Srpska’ në Kosovë. Aspak e vërtetë. Tash filloi të fliste keq edhe për korrigjimin. Një ditë do të fillojë të flas keq edhe për veten. Por ja, kur e zgjedh një analfabet në krye të shtetit, ai pastaj vjedh qëndrimet qoftë edhe të kundërshtarëve të tij politikë./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
INTERVISTALajmeLajmet Kryesore

Të ngjajshmet