JETË/ Mes tymit dhe kancerit, fshati kosovar që po venitet nga tmerri mjedisor

Mëngjesi në Dardhishtë fillon me lindjen e diellit dhe daljen e tymit. Kjo është pamje që banorët e këtij vendi e përjetojnë prej se mbajnë mend.

Me të hyrë në fshatin që gjendet përballë tymtoreve të termocentralit Kosova B, gjendet shtëpia e familjes M. nga komuna e Obiliqit. Kjo familje, dikur e njohur si familje e madhe, sot numëron më pak anëtarë. Shumë prej tyre kanë vdekur nga kanceri. Një burrë i prekur nga sëmundja thotë se kanceri në Dardhishtë është bërë si virus që e ka prekur çdo familje.  Sot, ai rri i shtrirë në dhomë të ndejës, teksa shikon nipërit e tij që rriten me alergji dhe probleme të frymëmarrjes.

Zonja e shtëpisë, pasi zgjohet nga gjumi, hyn në dhomë të nipërve dhe i analizon nëse sot po marrin frymë më mirë. Shpesh i zgjon nga gjumi para orës 8 sepse e kanë orarin e ilaçeve. Dhe jo vetëm nipërit. Orarin e barërave e ka edhe bashkëshorti, e ndonjëherë edhe nusja.

Zonja F. hap frigoriferin, merr ilaçet e secilit, dhe ua shpërndan me përpikëri. Ky është ritmi i mëngjesit për të. Tym, alergji, pluhur, barëra, kancer janë fjalët që sillen në shtëpinë e familjes. Kryefamiljarja shpenzon detergjentë dy herë më shumë se gratë e zakonshme. Rrobat që ajo pastron, shpesh duhet të futen përsëri në ujë, pasi tymi i ka bërë më të papastra se që ishin. Era e fenolit i bën ato edhe më të vështira për t’u pastruar.

Nusja e familjes, teksa bëhet gati për të vizituar prindërit, u thotë fëmijëve: “Po shkojmë te dajat, atje luani në oborr”. Tre djemtë e saj vuajnë nga probleme të mushkërive. Djali i madh është alergjik nga tymi, prandaj nuk mund të dalë asnjëherë në oborr. Djali i dytë ka bronkit kronik dhe të shumtën e kohës është nën terapi. Djali i vogël vuan nga pagjakësia dhe astma. Prandaj fëmijët daljet në oborrin e shtëpisë i kanë të ndaluara, dhe derisa hipin në veturë, ua mbyllin hundët me faculetë.

Familja M. shkojnë në Prishtinë për kontrolle shëndetësore thuajse çdo javë. Tashmë kryefamiljari ka vendosur të marrë disa barëra kundër dhimbjeve, dhe nuk dëshiron të kontrollohet më. Ndërsa gruaja e tij thotë si me humor se vetë nuk sëmuret, dhe se gjatë 40 viteve martesë, po kalben gurtë e shtëpisë, por ajo jo. Dhe kalbja e gurëve nuk është metaforë. Përveç tymit, edhe lagështia e tokës është problem shqetësues. Muret e jashtme të shtëpisë së tyre janë mbuluar nga alga, pasi lumi Sitnica kalon nëpër Dardhishtë.  Mbetjet e KEK-ut që hidhen aty e kanë bërë të duket si përroskë që sjell vetëm rreziqe. Zonja F. tregon se sa herë ka ndodhur që kafshët të pinë ujë në Sitnicë, ato janë sëmurë, e ndonjëherë edhe kanë ngordhur.

Bashkëshortët po e mbyllin edhe këtë ditë. Ata shohin se si fqinjët e tyre po pakohen teksa po zhvendosen nga fshati, apo kur po sëmuren nga kanceri. Dhe në Dardhishtë, të dyja këto, kërkojnë lamtumirë. /tesheshi.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet