Javë e re, qeveri e re?

Pasi dështuan disa iniciativa për konstituimin e kuvendit, zyrtarë të koalicionit PAN, e kanë nisur javën me premtime të forta, duke thënë që themelimi i institucioneve do të ndodhë së shpejti. Koalicioni më i madh parazgjedhor, asnjëherë, në asnjërën prej vazhdimeve të seancës konstituive, nuk propozoi kandidatin e saj për kryekuvendar, gjë që solli një bllokadë institucionale disajavore. Por gjatë kësaj kohe, as partitë e tjera, nuk arritën ta gjejnë formulën magjike të bashkëpunimit, duke lënë përshtypje që kriza institucionale do të thellohej edhe më shumë – shkruan Gazeta e Re.

Pavarësisht se ende nuk është caktuar data e mbajtjes së vazhdimit të seancës në fjalë, zëra nga koalicioni PAN, kanë siguruar se gjatë kësaj jave do të ketë zhvillime pozitive për zgjidhjen e krizës politike në vend. Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, ka thënë se kjo javë do të jetë vendimtare për krijimin e institucioneve, përkatësisht konstituimin e kuvendit dhe për formimin e qeverisë.

Mirëpo, nëse ndodh e kundërta dhe kuvendi nuk konstituohet as këtë javë, analisti Imer Mushkolaj thotë se në këtë çështje duhet të përfshihet edhe presidenti. “Partitë tashmë e kanë kaluar çdo limit të papërgjegjësisë politike dhe morale për krijimin e institucioneve. Nëse zgjedhja e kryeparlamentarit dështon edhe këtë javë, atëherë në lojë duhet të hyjë presidenti i cili, në bazë të përgjegjësive të veta kushtetuese, duhet të gjejë zgjidhje për zhbllokimin e situatës”, është shprehur ai për Gazetën e Re.

Gjasat që brenda kësaj jave do të marrë fund kriza politike dhe do të formohen institucionet po rriten pas ndarjes së AKR-së nga koalicioni LAA. AKR pritet që së shpejti t’i bashkohet koalicionit PAN për të bashkëqeverisur. Të paktën këtë e ka lënë të nënkuptohet i pari i kësaj partie Behgjet Pacolli me anë të një letre drejtuar kryesisë së AKR-së për të shpjeguar pse AKR në qeveri. Pas një vargu arsyetimesh që Pacolli jep në këtë letër ai ka shkruar se AKR nuk bën koalicion as me PDK dhe as me dikë tjetër por ndërton marrëveshje qeverisë me mandatarin Ramush Haradinaj, me një mori propozimesh për reforma të cilat vendin do ta ridrejtojnë në binarët e duhur.

Por, sipas njohësit të çështjeve politike në vend Agron Hotit, pa një marrëveshje me shkrim mes PAN-it dhe AKR-së, si dhe pa sqarimin e këtyre të dyjave përballë minoritetit serb sa i përket themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, krijimi i institucioneve do të jetë i pamundshëm. Përkundër kësaj, ai duke u bazuar në interesin e përgjithshëm publikë thotë se krijimi i institucioneve nuk do të duhej vonuar.

“Ndërkohë që bashkësia ndërkombëtare është duke kërkuar që sa më shpejtë të themelohen institucionet. Zgjatja e pafund e kësaj gjendjeje mund të rrisë pakënaqësinë qytetare me mundësi të përsëritjes së një eksodi të ngjashëm siç e patëm përjetuar pas formimit të institucioneve në vitin 2014. Për të evituar kriza të tilla do të duhej që subjektet politike për hir të interesit të përgjithshëm të reflektonin arsyeshëm karshi nevojës për themelimin sa më të shpejtë të institucioneve për të vazhduar me reformat e nisura në kuadër të procesit të Stabilizim Asociimit”, ka thënë Hoti.

E Fatmir Haxholli, njohës i punës dhe praktikës parlamentare në Kosovës thotë se kjo javë pritet të jetë përcaktuese në lidhje me formimin e institucioneve, pasi që sipas tij, tashmë është e qartë që po shohim tentativat e fundit në këtë proves. “Të gjitha opsionet janë të hapura, sidoqoftë gjasat më të mëdha dhe më reale duket se i ka PAN-i. Përmbyllja e marrëveshjeve është proces i komplikuar dhe kompleks, dhe PAN-i ka dhënë sinjale se është fare pranë një marrëveshje, ndonëse edhe LVV dhe LDK nuk kanë hequr dorë nga një mundësi bashkëpunimi”, është shprehur Haxholli më tutje.

Ndërsa, analisti Blerim Burjani mendon se deklarimet e vazhdueshme të zyrtarëve të koalicionit PAN kanë humbur kuptimin pasi që pas tyre nuk po ka rezultate. Mirëpo, sipas tij, edhe nëse PAN arrit të formojë qeverinë me minimumin e votave 61 ose 62 nuk do të ishte një qeveri stabile. Për këtë, Burjani thotë se është më mirë të ketë zgjedhje të reja sesa një qeveri të tillë.

Ndryshe, sot gjatë ditës ishte paralajmëruar një takim mes kreut të AKR-së Behgjet Pacollit dhe mandatari për kryeministër të PAN-it Ramush Haradinaj, mirëpo mediet kanë shkruar se ky takim është shtyrë për ditën e nesërme. /Yllnorë Shala /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet