Janë më të kritikuarit, por sot ndihen të harruar: Gjyqtarët e Kosovës pa paga, Shoqata e Gjyqtarëve në ‘gjumë’

Thuajse në fundin e çdo ndeshje, gjyqtarët e Kosovës bëhen cak i sulmeve e akuzave nga akterët e ndeshjes dhe jo vetëm. Mirëpo, ata sot në këto ditë të vështira, ndihen të harruar.

Përhapja e koronavirusit në të gjithë botën ka paralizuar gjithçka, teksa ky virus po shkakton edhe krizë financiare te Federatat, klubet e futbollit dhe jo vetëm.

Teksa po bëhen reagime të shumta nga zyrtarët e klubeve për mënyrën se si do të kompensohen ‘dëmet’ e shkaktuara nga ky virus, diçka e tillë nuk ka ndodhur ende edhe nga gjyqtarët e Kosovës.

Gjyqtarët e Kosovës paguhen me mëditje dhe tash e më shumë se dy javë ndeshjet e futbollit janë pezulluar, e kjo nënkupton që ata nuk kanë të ardhura nga futbolli.

Njëri nga gjyqtarët në Kosovë (anonim) ka konfirmuar për Gazeta Metro se ende për këtë nuk i ka pyetur askush, përfshirë këtu Federatën e Futbollit të Kosovës dhe Shoqatën e Gjyqtarëve.

“Për momentin nuk jemi pyetur nga askush. Por, ne presim që obligimet të kryhen ndaj neve, pasi edhe ne jemi pjesë e komunitetit sportiv. Po presim, nëse përkrahet dikush, besoj se do përkrahemi edhe ne”.

“Por, te ne është situata më e vështirë. Ne [Gjyqtarët e Kosovës] paguhemi me mëditje. Pra, kur ka ndeshje paguhemi, kur s’ka duhet të qëndrojmë në shtëpi. Situata është e vështirë, të shohim” – tha ai për Gazeta Metro.

Gazeta Metro ka kërkuar një përgjigje edhe nga Shoqata e Gjyqtarëve, por deri më tani ka qenë e pamundur.

Kujtojmë që disa ditë më parë, Ministra e Kulturës, Rinisë dhe Sporti ka ndarë 5 milionë euro si ndihmë për sportin në Kosovë.

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet