Jahtet gjigante dhe luksoze ankorohen në Bodrum, spikasin “Cloudbreak” dhe “Ileria”

Gjiret e famshme të Bodrumit, qendër turistike shumë e frekuentuar e Egjeut në rrethin Mugla të Turqisë, kanë filluar të gjallërohen nga jahtet gjigante dhe luksoze.

“Cloudbreak”, një megajaht 75 metra i gjatë që përdoret për pushime edhe nga yje me famë botërore si Jennifer Lopez, Heidi Klum e Julia Roberts, është ankoruar pranë brigjeve të Lagjes “Yalikavak” të Bodrumit.

Bie në sy fakti që ky jaht gjigant, i projektuar me një trup të çeliktë dhe kuvertë alumini në mënyrë që të lundrojë me lehtësi në çdo skaj të botës duke u bërë ballë edhe kushteve më të vështira detare, ka një pamje të jashtme mjaft tërheqëse me trup gri, linja të mprehta dhe stil ushtarak.

Ky jaht superluksoz, i cili ka në bord edhe një helikopter për raste emergjencash apo shëtitjesh panoramike, është i pajisur me pishinë, zhakuzi, spa, palestër, sallë sporti, kinema e komoditete të tjera.

Në të njëjtin gji të Bodrumit është ankoruar gjithashtu jahti “Ileria”, 55 metra i gjatë, me flamur të ishujve Kajman.

Edhe pse ende nuk dihen emrat e personave që po kalojnë pushimet në jahtet e sipërcituara, e gjithë vëmendja e turistëve është përqendruar mbi ta.

Kategoritë
BotaLajme