Jagland: Këshilli i Evropës mbijeton deri në fund të 2019

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland tha se pa kontributin e Turqisë dhe Rusisë Këshilli mund të mbijetojë deri në fund të 2019-ës.

Jagland iu përgjigj pyetjeve të parlamentarëve rreth kësaj çështjeje në një seancë që u mbajt të martën.

Sekretari i Përgjithshëm Thorbjorn Jagland bëri sqarime lidhur me atë se sa mund të rezistojë Këshilli i Evropës pa kontributin financiar të Turqisë dhe Rusisë, vende anëtare të Këshillit që kanë pezulluar bërjen e pagesave të kontributit financiar.

“Mund të mbijetojmë deri në fund të vitit të ardhshëm dhe ju siguroj se do të marrim masa kur të arrijmë në atë datë”, tha ai.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kishte marrë vendim për sanksione ndaj delegacionit rus pas përfshirjes së Krimesë në vitin 2014 në territorin e Rusisë dhe u kishte anuluar parlamentarëve rusë të drejtat për të votuar dhe marrë pjesë në organet legjislative të Këshillit.

Pas këtij zhvillimi, në vitin 2015 Rusia kishte njoftuar tërheqjen e saj nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës deri në rikthimin e të gjitha të drejtave delegacionit rus dhe në qershor të 2016-ës kishte pezulluar pagimin e kontributit të saj në buxhetin e Këshillit.

Kurse në nëntor të 2017-ës, ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusollu (Mevlüt Çvuşoğlu) i dërgoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, përmes të cilës i komunikoi dëshirën e Turqisë për t’u tërhequr nga statusi i shtetit që kontribuon më shumë në këtë organizatë (Donator i Madh) dhe kishte kërkuar fillimin e veprimeve të nevojshme në këtë drejtim.

Turqia me një kontribut prej 33 milionë euro, Rusia me 32 milionë euro bashkë me Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë dhe Italinë renditen në mesin e 6 Donatorëve të Mëdhenj, që japin kontributin më të madh në buxhetin e Këshillit të Evropës.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet