Ja pse Marrëveshja e Tregtisë së Lirë është e rëndësishme

Kanë kaluar pothuajse 7 vjet që nga koha kur është nënshkruar (27.09.2013) Marrëveshja e Tregtisë së Lirë në mes Kosovës dhe të Turqisë. Nëse marrim shembull nga rajoni, nuk mund të gjejmë një të tillë ku një marrëveshje e nënshkruar merr kaq shumë kohë për t’u aprovuar. I pakuptimtë duket diskutimi i mosaprovimit të kësaj marrëveshjeje; ndërsa duket të jetë esenciale për t’i shpjeguar publikut se pse kjo marrëveshje është e rëndësishme për Kosovën. Në veçanti duhet të theksohet se kjo marrëveshje është në favor të Kosovës ku produktet që janë të rëndësishme për Kosovën do të mbrohen.

Deri më sot debatet dhe argumentet rreth Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në medie e në publik u shfaqën përmes qëndrimeve personale ose përfshin vlerësime të cilat ishin joanalitike. “Turqia ka një ekonomi të fortë dhe me nënshkrimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë produktet turke do ta dominojnë në tregun e Kosovës”, ishin paragjykimet e paraqitura në një parametër të vetëm. “Buxheti i Kosovës do të dëmtohet” u tha. Megjithatë, marrëdhëniet ekonomike janë aq të ndërlikuara dhe përbëjnë shumë faktorë të cilët ndërlidhen në mes vete dhe nuk mund të bazohen në një ose dy parametra… A sigurojnë marrëveshjet e tregtisë së lirë reduktimin e kostos, si dhe efikasitetin e resurseve përmes integrimit të thellë ekonomik? A ndikojnë marrëveshjet e tregtisë së lirë në stabilitet dhe në zhvillimin e marrëdhënieve politike sikur në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare? A i inkurajojnë investimet?; janë nga disa pyetjet të cilave do t’u përgjigjemi më vonë. Por së pari le të shqyrtojmë pse nënshkruhen marrëveshjet e tregtisë së lirë.

Që nga vitet e ’80-ta në tregun botëror filloi dominimi i ekonomive liberale. Ndërsa nga vitet e ’90-ta e deri më tani këto ekonomi përmes procesit të globalizimit shpallën fitoren e tyre. Edhe rregulloret e Organizatës Botërore të Tregtisë nuk qenë të mjaftueshme përballë këtij progresi të shpejtë. Përmes marrëveshjeve dypalëshe dhe shumëpalëshe shtetet u fokusuan në marrëveshjet e tregtisë së lirë duke hapur rrugën e lëvizjes së  lirë të mallrave dhe të shërbimeve.

Edhe Kosova që nga çlirimi i saj filloi me miratimin e  politikave ekonomike liberale. Fillimisht, Kosova së bashku me vendet e rajonit u përfshi në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë CEFTA. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian ishte gjithashtu një hap tjetër i Kosovës në këtë drejtim. Prandaj justifikimet e pabaza lidhur me mosmiratimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë-Turqi të paraqitura për publikun duken të jenë larg nga vlerësimi i drejtë ekonomik. Kosova jo vetëm me Turqinë, por duhet të krijojë përpjekje që të krijojë tregje liberale me çdo vend tjetër të mundshëm. Kosova duhet të rrisë kufijtë e tregjeve të saj. Nëse kthehemi dhe analizojmë Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë shohim se kjo është një marrëveshje asimetrike në favor të Kosovës.

Me këtë marrëveshje janë pranuar kërkesat e Kosovës për mbrojtën e produkteve konkurruese deri në 10 vjet. Ajo që është me të vërtetë e rëndësishme, është se Turqia përmes kësaj marrëveshjeje ia ka siguruar Kosovës disa lëshime në produktet bujqësore, derisa në disa marrëveshje me vende të tjera nuk ka pasur këso lëshimesh. Turqia përveç Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës nuk ka bërë lëshime në produktet bujqësore të cilat duken të jenë çështje e ndjeshme për palën turke. Turqia që nga viti 2008 në mënyrë të njëanshme ka liruar nga tatimi doganor produktet industriale me origjinë nga Kosova.  Me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë lirimi nga taksa doganore është konsoliduar. Ndërsa Kosova gradualisht do t’i zvogëlojë taksat doganore gjatë 9 vjetëve të ardhshme pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë. Turqia me këtë marrëveshje menjëherë do t’i lirojë nga tatimi doganor produktet bujqësore (me kod tarifor doganor 8-shifror) dhe të cilat listohen në 846 rreshta.  Ndërsa Kosova gjatë 9 vjetëve pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë do t’i lirojë nga tatimi doganor produktet me origjinë turke, kodi tarifor doganor i të cilave listohet në 850 rreshta. Një tjetër pikë e rëndësishme lidhur me eksportet e Kosovës është se: 97% të produkteve bujqësore me origjinë kosovare të eksportuara në Turqi do të lirohen nga taksa doganore.

Tarifa mesatare doganore mbi produktet bujqësore në Turqi është rreth 42%,  ndërsa për disa produkte të caktuara arin deri në 140%. Prandaj lirimi doganor ndaj produkteve kosovare do të jetë në dobi për Kosovën, e cila do të mundë të hapej në një treg prej 80 milionë banorëve dhe e cila do të fitonte fuqi konkurruese ndaj vendeve të tjera eksportuese. Arritja e produkteve kosovare me zero doganë në një treg si Turqia do të inkurajonte investime të reja në vend ose do të zgjeronte ato ekzistuese. Në anën tjetër tarifa doganore e  Kosovës për produktet bujqësore është vetëm 10%. Prandaj Turqia e cila është mjaft proteksioniste në këto kategori të produkteve ka siguruar avantazhe për Kosovën. Analizat ekonomike të cilat konsiderojnë se Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë janë humbje tatimore për shkak të përjashtimit të detyrimeve doganore, janë jashtëzakonisht vlerësime të cekëta. Ndërsa nëse marrim në konsideratë parametra të tjerë ekonomikë të cilët Marrëveshja e Tregtisë së Lirë i ka aplikuar shohim se tregtia dhe investimet midis dy vendeve  në mënyrë reciproke janë përmirësuar.

Nëse e bëjmë një përmbledhje në kontekstin e pyetjeve të parashtruara më lart, mund të themi se vendet që kanë nënshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë përveçqë kanë krijuar marrëdhënie tregtare dhe ekonomike, kanë zhvilluar trendet në përcaktimin e rregullave të përbashkëta të aplikuara në tregje, si dhe kanë lehtësuar qarkullimin e tregtisë. Lidhjet tregtare dhe ekonomike kanë çuar në zhvillimin e marrëdhënieve politike, si dhe në krijimin e mekanizmave si Komisioni i Përbashkët Ekonomik, Komiteti i Partneritetit, të cilat veprojnë në nivelin politik dhe burokratik. Në vendet me marrëdhënie të qëndrueshme politike dhe ekonomike, kontakti ndërmjet biznesmenëve, besimi për të investuar, si dhe investimet kanë shënuar rritje.

Marrëveshjet e tregtisë së lirë janë të favorshme për zhvillimin reciprok të marrëdhënieve tregtare, investuese, politike, si dhe për të rritur integrimin. A nuk është edhe ky qëllimi i vendeve, të cilët i ndjekin politikat liberale ekonomike?

(Autori është sekretar i përgjithshëm në Odën Tregtare Kosovaro-Turke)


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet