“Ja pse këtë pari nuk e merr askush seriozisht”

Dekoratat e medaljet e nderit, në vend që të ngjallnin optimizëm, besim e respekt ndaj institucioneve, gjithnjë e më shpesh po shndërrohen në rast për tallje me krerët e shtetit. Njerëz pa kurrfarë meritash po laureohen me këso çmimesh, dhe kjo përbën arsye të mjaftueshme për të mos e marrë seriozisht “këtë pari” – shkruan Gazeta e Re.

Reagimet kanë qenë të menjëhershme duke e cilësuar aktin si tallje me shoqërinë dhe vlerat që provon t’i ndërtojë ajo. Me gjithë përpjekjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj që ta arsyetoj ndarjen e Medaljes së Heroit Kombëtar “Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu”, për Labinot Tahirin, këngëtar dhe deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Ne respekt të punës së tij si deputet i Kuvendit të Kosovës, rolin e tij në komunitet për avokimin e interesave të qytetarëve të Ferizajit dhe në veçanti për humanizmin e madh të treguar përgjatë viteve, për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë dhe të lënë vetëm, në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët, sot pata kënaqësinë që Labinot Tahirit t’i ndajë medaljen e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skenderbeu. E falënderova deputetin Tahiri edhe për shprehjen e solidaritetit me qytetarët tanë, që si të vetmit në Europë, ende nuk e kanë gëzuar të drejtën për lëvizje të lirë.  Si Kryeminister i vendit, jam mirënjohës për angazhimin Tuaj, tejet human për shqiptarët dhe ju inkurajoj që ta vazhdoni këtë mision” – ka shkruar ndër të tjera kryeministri.

Por për opinionistin Blerim Gashani pikërisht kjo dekoratë ka shpërfaqur injorancën, paditurinë dhe joseriozitetin i cili është instaluar në hierarkinë e shtetit.

“Ja pse me këtë pari kërkush nuk të merr seriozisht: Imagjinoni kur ndonjë mik ndërkombëtar të pyet për Labinot Tahirin, pasi ka dëgjuar se atij i është akorduar urdhri ‘Skënderbeu’ nga qeveria e Republikës së Kosovës. Ti fillon të bëlbëzosh diçka – sepse ndjehesh keq – dhe ai përpiqet të të ndihmoj:

– Sigurisht luftëtar lirie? – Jo, jo, – nuk ka qenë… – ia kthen ti me përtesë.

– Mirë de, nuk është e thënë veç me pushkë…po, njeri i përpjekjes për liri? – Jo, jo, nuk është…hiç – po iritohesh ti. – Aha, ka kontribuar në lirinë, pavarësinë, zhvillimin e Kosovës me mjete tjera…?
– Jo, jo, – e ndërpret ti, i inatosur. – OK, është intelektual, profesionist i rrallë, specialist, njeri që i ka dhënë emër fushës së vet, njeri i shkolluar, i ngritur, i kulturuar, i emancipuar, i angazhuar në sferën publike; njeri i artit e i kulturës, njeri i letrave…. – Jo, t’thashë që jo…asgjë e tillë – po gjindosesh. – Hej, hej, – të ndërpret ai ty tash duke u përpjekur të të qetësoj – nuk është e thënë që të ketë këto cilësi. Edhe pa to, mund të ketë figura të rëndësishme, me ndikim dhe me aftësi të mëdha mobilizuese dhe emancipuese si dhe – edhe pa këto cilësi – ky djali mund të jetë figurë e ndritur, politikan i zoti, vendimmarrës i drejtë dhe burrështetas i madh. Sigurisht se me diçka ky e ka merituar këtë çmim të lartë të kombit, nuk ka pse të jetë ndryshe…

Totalisht i rrënuar, pa asnjë pikë fuqie e as vullneti, ti e sheh me dhimbje e dëshpërim mikun ndërkombëtar dhe i thua:

– O, jo bre, jo. Ky laureati i këtij çmimi nuk ka asnjë, ama hiç asnjë cilësi, asnjë atribut e as kontribut që e përmende, hiç bre, asnjë! Në fytyrën e mikut ndërkombëtar sigurisht se do të vizatohet një shprehje që edhe pa asnjë tingull, mund të kuptohet si ‘WTF’.”

Për ta ilustruar më mirë mungesën totale të meritës së këngëtarit, përkatësisht deputetit Labi për sa i përket kësaj dekorate, Labi e kujton një intervistë të tij dhënë për një medium tonin, pak kohë përpara se të bëhej deputet:

“Më kujtohet një emision televiziv koxha moti. Gazetari po e pyet Lab këngëtarin – tash deputetin e politikanin: “çka lexon më së shumti?”. Ky, pa një pa dy, si me grykë pushke po i thotë:
– Jo, nuk lexoj. Gazetari mbeti pykë, u bllokua, nuk dinte më si të vazhdonte dhe fytyra e tij kishte një shprehje, si me thanë “a hiç, hiç…a?” Lab deputeti, atëherë këngëtari, nuk e la punën pezull: – Jo, jo, unë nuk lexoj…hiç!”

Po kaq i ashpër ka qenë në reagimin e tij Berat Daka, botues e publicist, i revoltuar nga ky akt shkroi kësisoj: “Kryqëzim marrëdhëniesh dhe interesash. Në këtë rast, kryeministrit Haradinaj nuk ka kush aty, prej gjithë atyre që i ka mbledhur dhe i paguan me paratë e qytetarëve më të rraskapitur të Evropës, që t’i thotë: Nuk bën kështu, o ahmak! Nuk bën t’i jepet medalja, me emrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, një njeriu “pevaçicë”, i cili, për t’u bërë deputet, ka nisur bamirësinë – ka mbledhur dhe dhënë para dhe u ka bërë publicitet vitrave (që këtë lloj të ndihmës s’e pëlqen feja islame, ani pse Labi Allahun s’e lëshon nga goja)!
Sa për argëtimin që na ka bërë në dasma, në kanagjeqe, në syneti, me tallava muzikë, e na ka ligështuar dhe dehur emocionalisht, Labi kurrë nuk do të ishte bërë deputet, as kryetar mëhalle. Jo, sepse, pas ç’dehjes, do t’ia përmendim ndodhitë: “Valla bre, mbrëmë, kënaq na ke, veç edhe rru na ke fort!”
Ramushi, për ta rehatuar bythën e vet edhe më tutje në qeveri dhe për ta trashur të partisë në zgjedhjet e ardhshme, shkep medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” si një cigare “West”! Vlerësim ahmakësh. Tarrnakopësh. Llogaritarësh.”

Sikur kryeministri po e heton “dridhjen” e karriges – thonë disa të tjerë. Në këtë mënyrë po përpiqet që të krijojë aleatë politikë, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme nacionale (të cilat bëhet të mbahen këtë vit, para kohe), të mos mbetet me “gishta në gojë”./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet