Izraeli shtyn aneksimin e diskutueshëm të Bregut Perëndimor

Ministri i Bashkëpunimit Rajonal të Izraelit, Ofir Akunis, njoftoi të mërkurën shtyrjen e implementimit të planit shumë të diskutuar për aneksimin e disa pjesëve të Bregut Perëndimor.

“Aneksimi sigurisht që do të ndodhë në korrik, por ai duhet të bëhet në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Akunis për Radion e Ushtrisë.

Sipas tij, aneksimi do të bëhet vetëm pas një deklarate nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Aneksimi ishte planifikuar të deklarohej të mërkurën nga Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, por një pasiguri e madhe po e rrethon pozicionin e tij nën dritën e refuzimit të gjerë ndërkombëtar të planit, si dhe luhatjeve në administratën amerikane për zbatimin e këtij synimi kontradiktor.

Trump e njohu Jerusalemin si kryeqytetit të Izraelit në vitin 2017 dhe Lartësitë e Golanit si pjesë të Izraelit në vitin 2019, ndërkohë që të dyja këto njoftime u ndeshën me kritika në të gjithë botën.

I inkurajuar nga i ashtuquajturi plani i paqes së Trumpit për Lindjen e Mesme, njohur ndryshe edhe si “Marrëveshja e Shekullit”, këtë maj Netanyahu njoftoi se Izraeli do të aneksonte zyrtarisht Luginën e Jordanit dhe të gjitha vendbanimet ilegale të kolonëve çifutë në Bregun Perëndimor.

Bregu Perëndimor, përfshi këtu edhe Jerusalemin Lindor, vlerësohet si territor i okupuar sipas ligjit ndërkombëtar, duke i bërë kështu të paligjshme të gjitha vendbanimet hebraike atje dhe aneksimin e planifikuar.

Zyrtarët palestinezë kanë kërcënuar të shfuqizojnë marrëveshjet bilaterale me Izraelin nëse ai avancon me planin e aneksimit, i cili do të dëmtonte më tej zgjidhjen me dy shtete.

Turqia dhe pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare nuk e njohin sovranitetin e Izraelit mbi territoret që ka pushtuar prej viti 1967 e këtej.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet