Izolohet Ballkani, Kroacia rikthen masën e karantinës 14 ditore për vizitorët nga rajoni

Vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet të izoluara për shkak të përkeqësimit të gjendjes së përhapjes së Covid19. Së fundi edhe Kroacia riktheu në fuqi detyrimin për t’u karantinuar për 14 ditë. Deri tani shqiptarët mund të udhëtojnë pa kufizime në Kosovë dhe në Maqedoninë Veriore, ndërsa nuk ka ende garanci për hapjen e kufijve të BE-së pas 1 korrikut.

Pas rritjes së ndjeshme të rasteve të reja me koronavirus në vendet e Ballkanit, Kroacia rivendosi karantinën 14 ditore për vizitorët që vijnë nga rajoni. Deri tani kjo masë është për vizitorët nga Bosnja, Serbia, Kosova dhe Maqedonia Veriore, të cilët pasi të mbërrijnë në Kroaci do të duhet të vetizolohen për 14 ditë. Sipas ministrit të Brendshëm Davor Bozinovic, nga kjo masë përjashtohen qytetarët që kalojnë transit nëpër territorin e Kroacisë.

Vendi është përfshirë nga polemikat pas infektimit të tenistit serb, Novak Djokovic dhe bashkëshortes së tij, ndërsa kryeministri kroat Andrej Plenkovic, u vu në qendër të stihisë mediatike pasi nuk u vetizolua, ndonëse ishte takuar me Djokovic.

Serbia është një prej vendeve që po kalon një gjendje të keqe dhe nuk po ul dot numrin ditor të të infektuarve të rinj me koronavirus. Vetëm të mërkurën autoritetet raportuan 143 raste të reja.

Bosnja, Maqedonia Veriore dhe Kosova kanë një normë infektimi shumë të lartë që nga fillimi i qershorit. Numri ditor i rasteve të reja është thuajse 200 në Maqedoninë Veriore.

Përkeqësimi i gjendjes në Shqipëri e nxiti Malin e Zi ta mbyllë kufirin duke filluar nga 21 qershori. I mbyllur mbetet edhe kufiri me Greqinë, shtet i BE-së në të cilin mund të kalojnë vetëm ata qytetarë që kanë leje qëndrimi ose ata që udhëtojnë për qëllime biznesi.

Shqiptarët mund të lëvizin deri tani lirisht vetëm në Kosovë dhe në Maqedoninë Veriore. Javën e ardhshme pritet një vendim nga vendet e Bashkimit Europian për hapjen e kufijve të jashtëm, ndërkohë burimet diplomatike në Bruksel thonë se vendimmarrja do të jetë e vështirë.

Kategoritë
LajmeRajoni