Istogu me të vjetrën apo me të renë

Istogu është njëra nga komunat e Kosovës që pa-shkëputje është drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e ku padyshim që është imponuar Istogu si bastion i kësaj partie. Të gjitha proceset zgjedhore lokale i ka fituar kjo parti, mirëpo në zgjedhjet e fundit kjo komunë do të ketë edhe një raund zgjedhor, që potencialisht mund të sjell ndryshimin – shkruan Gazeta  e Re.

Haki Rugova nga Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet lokale të 22 tetorit doli t’i ketë fituar vetëm 43% të votave, ndërsa kundër-kandidati i tij, Gani Dreshaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka arritur 37.42% të votave, gjithherë sipas rezultateve preliminare të KQZ-së. Nevojën për ndryshime të qeverisjes lokale istogasit nuk e shohin kryekëput si domosdoshmëri për tu larguar LDK-ja si e tillë, por më shumë si kthim i besimit se në Istog vlerësohet ndryshimi dhe se ka vend e nevojë edhe për alternativa tjera të cilat mund ti japin qytetit rëndësinë që e meriton.

Luan Hasanaj nga OJQ-të, shprehet se një gjë është e sigurt në Istog, se duhet të punohet shumë, pasi ka shumë gjëra që duhet të përmirësohen.

“Është një garë goxha e afërt dhe është problem të prognozohet nëse do të ketë ndryshim apo jo, një gjë e di, që në Istog ka nevojë të punohet më shumë, ka shumë gjëra që duhet të përmirësohen. Ajo çka e kam parë gjatë fushatës ka qenë ajo që zakonisht e shohim nëpër fushata, premtime të zakonshme, pres që gjatë garës për balotazh të shohim më shumë debat mes kandidatëve, ballafaqim të programeve e mbase atëherë mundem me pas më të qartë”, shprehet Hasanaj.

Tutja ai thotë se rezultatet kanë treguar se Istogu kërkon qeverisje ndryshe nga ajo që ishte.

“Është më së e qartë se ky rezultat ka kërkuar një qeverisje ndryshe nga ajo që ishte, nuk është situate bardh e zi”, ka përfunduar ai.

Kryeredaktori i Radio Fontanës në Istog, Zeqir Mehmetaj në një prononcim për Gazetën e Re,  thotë se ndryshimi në Istog varet nga qytetarët e kësaj komune a janë të gatshëm për ndryshime.

“Kjo varet nga qytetarët e Istogut se sa ata janë të gatshëm të bëjnë ndryshime. E nëse ndryshimi ndodh, qenë ose jo të gatshëm, kjo ka pakë rëndësi, pasi që vullneti i qytetarëve duhet respektuar. Rezultatet e fundit, janë minimale dhe cilado qe të jetë zgjedhja, mendoj se duhet pranuar dhe duhet të ecet përpara. Unë besoj se votuesit tashmë veç janë të përcaktuar nga fushata paraprake dhe për momentin nuk ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim. S’na mbetet tjetër pos të presim deri me 19 nëntor” thotë Zeqir Mehmetaj.

Lulzim Blakaj nga radhët e LDK-së, është i bindur se partia e tij do ta qeverisë këtë komunë edhe për katër vitet e ardhshme.

“LDK-ja ka me qenë prapë në pushtet edhe nuk e besoj që do të ketë ndryshime fare në Istog. Sipas disponimit të qytetarëve LDK-ja ka me për të vazhduar me qeverisë pushtetin lokal edhe për katër vitet e ardhshme”, ka potencuar Blakaj.

E Adem Sjediaj nga radhët AAK-së në Istog, thotë se i gjithë Istogu është i gatshëm për ndryshime.

“Po, i gjithë Istogu është i gatshëm ta bëjë ndryshimin, sepse është i domosdoshëm për heqjen e diskriminimeve politike dhe nepotizmin. Me një fjalë Istogu do t’iu kthehet qytetarëve e jo pushtetarëve” ka theksuar Adem Sejdiaj.

Kujtojmë se 19 nëntori është edhe data kur do të përballën edhe një herë dy kandidatët për kryetar komune të Istogut, Haki Rugova nga LDK e Gani Dreshaj nga AAK. Qytetarët e Istogut edhe pse të gjendur mes rrugëtimit të vjetër e rrugëtimit të ri, ata janë që do të vendosin se çfarë rrjedhe do ti japin Komunës së tyre pas kësaj date. /Shkelqim Xhaqkaj/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet