Ismaili: Trajtimi i infarktit në dy orët e para, në të gjithë Kosovën

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, përmes Facebook-ut ka njoftuar se programi kombëtar për trajtimin e infarktit në dy orët e para do të nisë menjëherë dhe në të gjithë territorin e Kosovës.

Ismaili thotë se me këtë program rriten shanset për mbijetesë për qytetarët që ballafaqohen me sulm në zemër.

Njoftimi i Ismailit në Facebook

Rreth 3 mijë persona, apo 35% e të gjitha vdekjeve brenda vitit në Kosovë, shkaktohen nga sëmundjet e zemrës. Duke parë këtë situatë, për herë të parë në Kosovë, ne po krijojmë programin kombëtar për trajtimin e infarktit në dy orët e para në të gjithë vendin. Për çdo vonesë prej 30 minutash pas infarktit, rreziku i vdekshmërisë rritet për 7.5%. Me këtë program, kur një qytetar do të ballafaqohet me sulmin në zemër, kudo që jeton ai në Kosovë, brenda dy orëve do të reagojë i gjithë zinxhiri shëndetësor, me procedura të përshpejtuara, dhe pa asnjë vonesë do ta sjellë atë në QKUK, për t’ia shpëtuar jetën. Me shërbimin 24-orësh për sëmundjet e zemrës dhe stentimin në QKUK dhe tani me këtë program, ne do t’i shtojmë ndjeshëm shanset e qytetarëve tanë për mbijetesë. Programi do të zhvillohet në tri faza dhe puna për realizimin e tij do të fillojë menjëherë. #BashkëeNdreqim

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet