Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare Lorik Cana vizitoi Ulqinin dhe Tuzin

Në Ulqin qëndroi ish-Kapiteni i Kombëtares shqiptare Lorik Cana, ku ai u prit nga Kryetari i Ulqinit Loro Nrekiq dhe bashkëpunëtorët e tij. Kryetari Nrekiq foli për Ulqinin, projektet zhvillimore e theks të veçantë i kushtoi talenteve sportive futbollit dhe sporteve të tjera.

Nga ana tjetër Lorik Cana, i cili tash sa vite është larguar nga futbolli por që gjithmonë qëndron pranë talenteve foli për “Fondacionin Lorik Cana 5”, i cili promovon sportin për fëmijët. Ai tha se Fondacioni është shtrirë në vise të ndryshme ku jetojnë shqiptarët dhe këtë vit mund te thuhet se janë rreth 1000 fëmijë të cilët janë pjesë e programit të fondacionit. Lorik Cana u shpreh se dëshiron që edhe në Ulqin të ndërtojë një minifushë sportive në një nga hapësirat publike ku do të shoqëroheshin fëmijët në aktivitete sportive me edukatorë.

Cana, paraprakisht pati dhe një takim me udhëheqësit e klubit të futbollit “Otrant Olipik, ku premtoi përkrahje dhe vënien e urave të bashkëpunimit me UEFA–n. Në një deklaratë për “Zërin e Turqisë” ish-kapiteni i kombëtares shqiptare Cana tha se për vitin 2020 do të realizohen dy projekte në Tuz dhe në Ulqin.

L. Cana: “Në kuadër të Fondacionit “Lorik Cana 5” kemi plane që në vitin 2020 në Tuz dhe në Ulqin të realizojmë dy projekte. Vizita në Tuz kishte të bënte edhe për të uruar udhëheqësin e re të kësaj komune si dhe për të parë mundësitë e bashkëpunimit. Kemi vizituar dhe lokacionin e mundshëm ku mund të ndërtohet fusha sportive brenda kopshtit të fëmijëve. Pa tjetër dëshira jonë është të jemi prezent në përgjithësi në Mal të Zi gjatë vitit 2020. Zyrtarisht vizituam për herë të parë edhe Ulqinin ku biseduam për klubin e futbollit “Otrant” dhe mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të fondacionit”.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet