Isa, “një komunist” i pathyeshëm

Reagime të shumta kanë ardhur fill pas rikonfirmimit të Isa Mustafës në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Votimi i tij, siç u tha, u bë me anë të aklamacionit. Për më shumë, ndryshe nga ç’pritej, ai madje nuk kishte as kundër-kandidatë – shkruan Gazeta e Re.

Sot ka përfunduar maratona e garës së brendshme zgjedhore brenda LDK-së. Isa Mustafa është konfirmuar në krye të këtij posti edhe për një mandat. Aklamacioni – është shfrytëzuar edhe kësaj radhe nga ai edhe përkrahësit e tij, në mënyrë që të mos e lëshojë postin edhe për një mandat. Nga 355 delegatët e pranishëm, vetëm dy figura me një të kaluar të rëndësishme, nuk janë pajtuar me këtë mënyrë.

Fatmir Sejdiu e Melihate Trëmkolli kanë lëshuar akuza të rënda ndaj kësaj mënyre të zgjedhjes, duke thënë se, u është mohuar, me këtë rast, një e drejtë demokratike.

Tërmkolli konkretisht para gazetarëve tha që është ngritur për ta kërkuar fjalën, për një çështje krejt të thjeshtë, por kjo e drejtë i është mohuar, megjithëse sipas saj, nuk është aspak «e çuditshme, sepse në krye të LDK-së e kemi njeriun që ka qenë ministër i Rrahman Morinës!».

Sejdiu, duket që ka qenë po kaq i pakënaqur, sa që e ka lëshuar madje edhe kuvendin.  Por të gjitha këtyre akuzave Mustafa u është përgjigjur “flakë për flakë”.

«Nuk kam se çka të komentoj lidhur me deklaratat e Melihates. Nëse ka i ka mbet ndonjë lidhje telefonike me Rrahman Morinën mundet me folë Melihatja. Unë kam punuar për Kosovën, për Republikën për shtet».

Ndërsa për Sejdiun ka shtuar:

«Unë kamë biseduar me Sejdiun në telefon. Me ka thënë pse më ke ftu. I kamë thanë vetëm me të uru suksese në Kuvend edhe pas përfundimit me ia zgjatë dorën njëri-tjetrit. Askush s’mund t’i manipulojë 355 veta, nuk është mirë që kësaj pune dhe njerëzve që kanë qenë këtu t’u jepen epitete të tilla» – citohet të ketë thënë Musfafa.

Reagime ka pasur edhe nga njerëz që i njohin zhvillimet politike. Kështu  analisti Florim Zeqa, ka qenë tejet i ashpër në një reagim, duke aluduar në atë se; demokracia në këtë subjekt, me aktin e sotëm, është vënë në pikëpyetje.

«Në këto momente 355 dele(gat)ët e Kuvendit të IX-të Zgjedhor të LDK-së folën më një zë: ‘Mi smo Isovi, Iso je naš’ (Ne jemi të Isës, Isa është i yni), që përkthyer ndryshe i bie: Isa është i yni, ne jemi të Hashimit!»

Disa qytetarë janë sinkronizuar me këto kritika, duke thënë se LDK-ja nuk po mund të shkëputet nga mentaliteti komunist, dhe kjo për ta, është diçka e keqe. Shpresa që në krye të LDK-së të emërohet një figurë e re, që i takon brezit të ri të anëtarëve të LDK-së, duket i ka bërë të revoltuar.

Analistë të tjerë konsiderojnë se rizgjedhja e Isës, përveç që është një kompromis i përkohshëm, ajo është edhe figurë balancuese. Zgjedhja e tij, nuk i ka shuar ambiciet e delegatëve të tjerë për t’u bërë pjesë e garës, por me këtë akt e ka shuar mundësinë e çarjeve të reja brenda partisë./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet