Irani paralajmëron ndaj “raketave të rastit” në Malësinë e Karabakut

Zëdhënësi i Ministrisë iraniane të Punëve të Jashtme, Saeed Khatibzadeh, tha se “Irani do t’i përgjigjet çdo agresioni, përfshirë edhe atyre të paqëllimshme”

Irani ka bërë të ditur se siguria e qytetarëve iranian është “vija e kuqe”, pasi raketat e rastit goditën një lagje iraniane si rezultat i konfliktit të vazhdueshëm midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia zyrtare e lajmeve IRNA raportoi se zëdhënësi i Ministrisë iraniane të Punëve të Jashtme, Saeed Khatibzadeh, tha se “Irani do t’i përgjigjet çdo agresioni, përfshirë edhe atyre të paqëllimshme”.

Khatibzadeh tha se forcat e armatosura iraniane tashmë kanë dërguar paralajmërimet e nevojshme për palët kundërshtare në konfliktin e Malësisë së Karabakut.

Javën e kaluar, dhjetë raketa ranë në dy fshatra në rrethin Khudaferin në provincën iraniane Azerbajxhani Lindor, në jug të kufirit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, duke lënë të plagosur një civil.

Khatibzadeh tha se Teherani paralajmëroi Armeninë dhe Azerbajxhanin pas incidentit.

“Herën tjetër, Irani nuk do të qëndrojë indiferent”, tha ai.

Konflikti në Malësinë e Karabakut

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.

Rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit ka mbetur nën pushtim të paligjshëm të Armenisë për rreth tre dekada.

Grupi i Minskut i OSBE-së, i bashkëkryesuar nga Franca, Rusia dhe SHBA, u formua në vitin 1992 për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfliktit, por deri më tani nuk ka treguar rezultat. Megjithatë, një armëpushim u dakordua në vitin 1994.

Disa rezoluta të OKB-së dhe shumë organizata ndërkombëtare kërkojnë tërheqjen e forcave pushtuese nga tokat e Azerbajxhanit.

Fuqitë botërore duke përfshirë Rusinë, Francën dhe SHBA-të, kanë bërë thirrje për një armëpushim të ri. Ndërkohë, Turqia ka mbështetur të drejtën e Azerbajxhanit për vetëmbrojtje duke kërkuar tërheqjen e forcave pushtuese të Armenisë.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet