Irani mohon lidhjen me sulmin me raketa në aeroportin e Erbilit

“Irani jo vetëm që i mohon fuqishëm këto zëra, por po ashtu dënon ashpër përpjekjet e dyshimta për t’i atribuar sulmin Iranit”, tha Saeed Khatibzadeh, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit

Irani ka mohuar raportet që lidhin Teheranin me një sulm me raketa në aeroportin ndërkombëtar në Erbil, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Irani jo vetëm që i mohon fuqishëm këto zëra, por po ashtu dënon ashpër përpjekjet e dyshimta për t’i atribuar sulmin Iranit”, tha në një deklaratë Saeed Khatibzadeh, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit.

Khatibzadeh tha se Irani e sheh stabilitetin dhe sigurinë e Irakut si një çështje kryesore për rajonin dhe se është kundër çdo hapi që prish rendin dhe paqen në vend.

Duke e quajtur sulmin “të dyshimtë”, Khatibzadeh i bëri thirrje qeverisë irakiane të ndërmarrë hapat e nevojshme për ta hetuar atë dhe për të arrestuar autorët.

Një grup i armatosur irakian, i quajtur Gardiani i Brigadave të Gjakut, sot tha se mbrëmë vonë ka lëshuar 24 raketa në aeroport. Një kontraktor amerikan u vra dhe gjashtë persona të tjerë, përfshirë një ushtar amerikan, mbetën të plagosur në sulm.

Sipas mediave irakiane, grupi është anëtar i grupit irakian Hezbollah të mbështetur nga Irani.

Më parë, grupi ka pretenduar sulme ndaj forcave të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kundër grupit terrorist DEASH në Irak.

Shtatorin e kaluar, një sulm tjetër me raketa nga militantë të panjohur shënjestroi aeroportin e Erbilit, por pa shkaktuar asnjë viktimë. Në atë kohë, Qeveria Rajonale Kurde (KRG) në Irakun verior akuzoi milicinë Hashd al-Shaabi se qëndron pas sulmit.

Kategoritë
BotaLajme