Investimet në infrastrukturë dhe konsekuencat buxhetore

Investimet në infrastrukturën rrugore, përbëjnë koston më të lartë të shpenzimeve qeveritare, edhe sot e kësaj dite. Nevoja për rregullimin dhe ngritjen e standardeve infrastrukturore, mbetet objektiv edhe i institucioneve relevante. Vetëm për vitin e kaluar, prej buxhetit 2 miliadë eurosh, qenë planifikuar të shpenzohen rreth 730 milionë për ndërtimin e rrugëve. Për vitin 2018, qeveria ka në dispozicion një buxhet prej 2 miliardë e 82 milionë euro, ndërsa vlera e shpenzimeve kapitale, mbetet, po ashtu, e lartë. Por veç kostos së lartë të shpenzimeve, ankesat kryesisht lidhen me kohën e gjatë që po marrin implementimet e projekteve, të cilat, sipas qytetarëve, duket sikur po zvarriten qëllimshëm – shkruan Gazeta e Re.

Një segment rrugor, ku po kryhen punimet për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Podujevë, është duke iu shkaktuar telashe pjesëmarrësve në trafik. Kolona të gjata formohen për çdo ditë, pothuajse nga mëngjesi deri në mbrëmje, ndërsa probleme po hasin edhe banorët përreth. Në muajt e verës, kur fluksi i veturave rritet dukshëm, sidomos për shkak të ardhjes së qytetarëve nga diaspora,  nuk do të duhej të kishte kaq shumë telashe, thonë disa nga qytetarët. <<Ose, ose pjesa më e madhe e punëve të kryhen gjatë natës>> – thonë disa prej tyre. Ndonëse nuk bëhet fjalë për një segment shumë të gjatë, punimet janë duke ecur shumë ngadalë, konsiderojnë ata. Por në një kronikë televizive të para disa ditëve, Këshilltari i Ministrisë së Infrastrukturës Fatos Mani, demantoi spekulimet se në këtë segment janë duke u zvarritur punimet. Ai tha që ato janë duke shkuar në afatin e paraparë.

<<Punimet janë mrena dinamikës dhe mrena planit financiar>> – tha ndër të tjera Mani për KlanK.

Por për qytetarët, veçanërisht për vozitësit, këto punime duket që po u shkaktojnë vështirësi të ndryshme dhe sidomos kohë të gjatë të shpenzuar duke pritur në kolonë.

<<Pasi që, Kosova tashmë gjendet në një stad të rëndësishëm tranzicioni drejt një ekonomie tregu, një pjesë të rëndësishme të buxhetit të saj (modest) e ka drejtuar drejt zhvillimit të infrastrukturës rrugore, që konsiderohet shumë e rëndësishme përshpejtimin dhe shtytjen e zhvillimit të saj ekonomik. Kështu, vetëm në tri vitet e fundit (2008-2010), mesatarisht 30% deri në 50% i buxhetit të Republikës së Kosovës për investime kapitale është ndarë për projekte rrugore, kurse në tri vitet e ardhshme (2011-2013) parashihet që kjo përqindje do të shkojë deri në 60%>> – thuhet në një raport të publikuar nga Lëvizja Fol i para disa viteve, që ka pasur për fokus Transparencën e Investimeve Publike në Infrastrukturën Rrugore.

Por pikërisht nevoja për investime në infrastrukturën rrugore, mbetet e lidhur ngushtë me nevojën e ngritjes së standardeve. Kjo, sipas Kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, ka qenë një ndër arsyet e ngecjes së zhvillimit ekonomik të vendit.

<< Kosova ka nivelin më të ulët të investimeve të huaja direkte dhe ka mungesë të kapitalit të freskët. Në të njëjtën kohë, shumë sfida të pasluftës e kanë orientuar fokusin e politikave në diçka që ka qenë më prioritare për një kohë, sidomos investimet në infrastrukturë. Pastaj është krijuar një kategori e madhe e personave që përfitojnë nga skemat sociale dhe realisht instrumenti kryesor i atyre që udhëheqin me politikat, buxheti i ka pasur kufizimet për të përkrahur më hovshëm zhvillimin ekonomik>> – ka thënë Rukiqi në një intervistë për REL.

Por duket që kjo fazë investimesh, nuk ka përfunduar ende. 930 mijë euro janë planifikuar për t’u shpenzuar vetëm për rrugën Suharekë – Rahovec, e gjatë 12 kilometra. Ministria e Infrastrukturës (MI), nëpërmjet njoftimit për media ka bërë të ditur që ky investim do t’i ketë të plotësuara të gjitha standardet e nevojshme moderne. Përfundimi i kësaj etape investimesh, sipas ekspertëve, do t’ua linte të lira duart institucioneve që buxhetin ta shpenzojnë në projekte më profitabile./Gazetaere.com/

Kategoritë
EkonomiLajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet