Intervista e Isa Boletinit më 1911 në kohë kolere: S’e dorëzoj kurrë pushkën dhe kamën time

“Le Temps” ka botuar, të shtunën e 29 qershorit 1911, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me një intervistë të zhvilluar asokohe me patriotin dhe luftëtarin e shquar shqiptar, Isa Boletinin, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Turqi – Kryengritja në Shqipëri

Na shkruajnë nga Shkupi: Shefi i famshëm shqiptar Isa Boletini, për të cilin autoritetet turke besonin se e kishin shkëputur nga kryengritja, e la Sokolicën pak ditë më parë, dhe u tërhoq sërish, i armatosur, me tridhjetë prej të afërmeve dhe shokëve të tij, në kodrat e pyllëzuara, që ndodhen afërsisht dy orë me kalë nga Mitrovica.

Ata që e pyetën mbi arsyet e vendimit të tij të ri, Isa Boletini thuhet se u është përgjigjur: “U ktheva në Shqipëri disa muaj më parë i vendosur për të zbatuar të gjitha aspektet e ligjit.

Pata shpresë se qeveria, nga ana e saj, do të bënte çdo përpjekje për të përmbushur kërkesat kombëtare të vëllezërve të mi, jo vetëm të atyre që ende luftojnë në kufirin turko-malazez, por edhe kërkesat e popullsisë urbane dhe rurale të Shqipërisë Veriore që kërkon edhe emërimin e zyrtarëve shqiptarë, adoptimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, shërbimin ushtarak të shqiptarëve në krahinën e tyre, me pak fjalë, privilegje të kërkuara nga vetë kushtet e ekzistencës së racës shqiptar. Asnjë nga këto nuk na është mundësuar.

Amnistia perandorake dhe disa koncesione që pasuan dëshmuan se ishin të pamjaftueshme në të gjithë Shqipërinë. Prandaj jemi betuar, ne shqiptarët, të mbajmë këtë qëndrim derisa të na plotësohen dëshirat tona.”

I pyetur nëse ai synon t’ua dorëzojë armët autoriteteve, Isa Boletini është përgjigjur: “Kurrë nuk do të dorëzoj pushkën dhe kamën (thikën) time. Shokët dhe të afërmit e mi do të bëjnë të njëjtën gjë“.

Shefi shqiptar aktualisht qëndron i tërhequr, por në gatishmëri. Ai shprehet se do të veprojë vetëm kur situata të jetë e nevojshme.

Thuhet se pothuajse çdo ditë emisarë nga autoritetet e Mitrovicës vijnë tek ai për t’i kërkuar që të kthehet në fshatin e tij.

Qeveria ka vendosur të dërgojë pesë batalione për të shkatërruar bandat që infektojnë rajonin nga Gjakova në Pejë. Shqiptarët e Gjakovës armatosen shumë; kontrabandistë të shumtë kalojnë armë në sasi të mëdha nëpërmjet kufirit serb, sepse pushkët shiten tani në Shqipëri për 20-30 lira turke.

Kolera sapo është përhapur midis trupave në Shqipëri; dje ka pasur 14 raste dhe 12 vdekje.

Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet