Interpoli, një hap tjetër i pasigurt i Kosovës

Në takime të ndara, krerët e shtetit kanë pritur Kancelarin e Austrisë Sebastian Kurz, si dhe diplomaten franceze Florence Mangin. Në këto takime, ndër të tjera është përmendur edhe çështja e anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Institucionet janë duke bërë përpjekje maksimale që ky proces, të rezultojë i suksesshëm, por përkundër gatishmërisë, shenjat nuk janë aq të mira – shkruan Gazeta e Re.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e priti në kabinetin e tij Kancelarin Kurz dhe në konferencën për shtyp ai deklaroi që kishin një bisedë të hapur me të:

“…e falënderova kancelarin Kurtz, për mbështetjen që Austria ia jep Kosovës në aspektin e marrëdhënieve bilaterale dhe ato ndërkombëtare… gjithashtu dua të ju falënderoj, i nderuari Kancelar Kurz, për mbështetjen tuaj personale dhe të Austrisë për Kosovën në procesin e anëtarësimit në Inerpol dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.”

Presidenti, sikurse edhe vet kancelari, bënë të ditur që përveç çështjes së bisedimeve me Serbinë, liberalizimit të vizave, kanë shqyrtuar edhe atë të anëtarësimit në organizaten ndërkombëtare Interpol.

Konferenca për shtyp, me Kryeministrin Ramush Haradinaj, qe më e shkurtër, por edhe ky i fundit ia shprehu falënderimet të parit të Austrisë, për ndihmën e pakursyer të cilën ia ka dhënë Kosovës. Me fjalë të tjera, sipas zyrtarëve të lartë të vendit, përkrahja e Austrisë, nuk mungon në këtë drejtim, por ka shtete të tjera anëtare të cilat mund të dalin si pengesë në këtë rrugëtim të Kosovës.

Edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, në takimin që e realizoi vetëm pak orë më parë me Florence Mangin, Drejtoreshë për Evropën në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Francës, tha që Kosova është falënderuese ndaj Francës e cila po vijon ta mbështesë atë në procesin e integrimeve evropiane si dhe anëtarësimin e saj në organizatën e Interpol-it.

Anëtarësimi në këtë organizatë, me të drejtë po cilësohet si një luftë tjetër diplomatike, dhe jo vetëm diplomatike, kundër Serbisë, e cila vijon të ketë qëndrim negativ ndaj çdo procesi integrues të Kosovës në drejtim të BE-së.

Vendet që aplikojnë për anëtarësim në Interpol, sipas kushtetutës së organizatës, duhet t’i marrin 2/3 –tat e votave të shteteve anëtare. Frika që disa nga anëtaret e organizatës më të madhe anti-kriminale në botë, mund të votojnë kundër, nuk mungon. Të dy zyrtarët evropian që e vizituan sot Kosovën, e shprehën këtë.

Aktualisht Policia e Kosovës ka një bashkëpunim me organizatën në fjalë, por ajo duhet ta shfrytëzojë burokracinë e ngelur të UNMIK-ut, për t’i proceduar rastet.

Lufta ndaj krimit të organizuar, do të jepte efekt të menjëhershëm, po qe se Kosova do të anëtarësohej në këtë organizatë. Trafikimi me qenie njerëzore, trafikimi i drogës, i armëve dhe në përgjithësi krimi i organizuar, do të mund të pësonin goditje më serioze, e mbase edhe të menjëhershme – thonë njohësit e proceseve, por qëndrimi kundër anëtarësimit të Kosovës, nga disa shtete, bënë që procesi të tingëllojë si një hap me rrezik.

Ndërtimi i lidhjeve të bashkëpunimit me institucionet policore të vendeve të rajonit, nuk ka munguar nga ana e Policisë së Kosovës, por Interpol është mekanizmi më i madh ndërkombëtar, prandaj anëtarësimi në të, do të thoshte ndër të tjera edhe një forcim i subjektivitetit të Republikës së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, thonë njohësit e këtij procesi./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet