Interesim i lartë për “zanatin” e mësuesit

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, komunat, përkatësisht drejtoritë e arsimit anekënd qyteteve të republikës, kanë shpallur konkurset për mësimdhënës. Numri i madh i të diplomuarve në fusha të ndryshme, kanë aplikuar me shpresë që do të bëhen pjesë e sistemit arsimor në Kosovë, por konkurrenca është tejet e lartë – shkruan Gazeta e Re.

Vetëm në Komunën e Prishtinës, saktësisht në konkursin e shpallur për lëndën: Mësimdhënës për gjuhë shqipe për Shkolla Fillore të Mesme të Ulëta mbi 200-nd kandidatë i janë nënshtruar testit me shkrim para pak ditësh. Ndërkaq në të gjitha ShFMU-të ka nevojë vetëm për katër pozita të këtij profili të mësimdhënësve, ndërsa dy janë vetëm zëvendësime. Nga një përllogaritje e thjeshtë i bie që për secilën pozitë kanë konkurruar afërsisht 40 persona.

«Pas testit me shkrim konkurrenca është përgjysmuar, por mbetet ende e lartë» – thonë të brengosur disa nga kandidatët, duke vënë në pah kështu faktin që prodhimtaria e të diplomuarve, është shumë më e lartë se sa nevojat e tregut.

Kandidatët, sipas kritereve, përveç që duhet të jenë njohës të shkëlqyeshëm të lëndëve për të cilat zotohen dhe janë të kualifikuar, preferohet të kenë edhe përvojë, pra edhe shkathtësi të dëshmuara në fushat përkatëse.

Specialistët e arsimit, konstatojnë që Korniza Kurrikulare e Arsimit Parauniversitar e Republikës së Kosovës, është një dokument bazik për të cilin duhen të kenë njohuri edhe vet mësimdhënësit. Praktikisht, ata gjatë këtyre procedurave të intervistimit, janë testuar edhe në këtë aspekt: sa kanë njohuri për këtë dokument si dhe për dokumentet e tjera përcjellëse siç janë: kurrikulat bërthamë për nivelet e arsimit në Kosovë.

Sistemi i Arsimit Parauniversitar në Kosovë, siç dihet, ndahet në disa nivele: në at parafillor, fillor, i mesëm i ulët, dhe i mesëm i lartë.  Këtu nënkuptohet edhe ndarja profilizuese ndërmjet shkollave, siç janë llojet e gjimnazit (gjuhësor dhe shkencor), si dhe shkollat profesionale: ekonomiko-juridike, teknike, mjekësore, bujqësore etj.

Që nga paslufta janë marrë një varg reformash, me synim për ta përmirësuar sistemin arsimor në vend, por sipas njohësve të fushës Korniza Kurrikulare e vitit 2016-të, mbetet ndër dokumentet më të rëndësishme të cilat janë në fuqi, dhe të cilat janë baza e rregullimit – në vija të trasha, të sistemit arsimor parauniversitar.

Megjithatë, përkundër reformave të deritanishëm, sistemi ende është duke vuajtur nga regjimi i tyre i vazhdueshëm.

Siç theksonte profesor Visar Zeka, problemet janë të shumta e të llojllojshme: «ne mund të nisim nga tërë infrastruktura, tekstet dhe mjetet shkollore, logjistika, klasët e mbingarkuara, sjelljet, mungesat dhe braktisjet e mësimit nga nxënësit, integriteti moral, etik, pedagogjik dhe kualifikimet përkatëse të mësimdhënësve, deri tek roli kyç i prindërve në mbarëvajtjen e tërë procesit shkollor. Nuk është se çdo shkollë në Kosovë ballafaqohet me këto apo probleme të ngjashme. Por shkolla të tilla, fatkeqësisht, janë përjashtime. Reforma në arsim, veç tjerash, mendohet edhe si kurim i këtyre problemeve.»

Sipas tij, kjo hegjemoni e reformave duhet t’i ketë disa qëllime:

«Ken Robinson, sugjeron katër qëllime themelore të arsimit publik: 1. Ekonomik, kontributi i të cilit është mirëqenia jonë afatgjate dhe stabiliteti financiar. Këtu është tejet vitale të kultivohet tek nxënësit pavarësia ekonomike, kreativiteti dhe origjinaliteti ashtu që ata ta jetësonin atë në rrethana tejet ndryshuese ekonomike, në veçanti tek zhvillimet marramendëse në teknologji, që gjithsesi ka prekur çdo cep të vendit tonë. Ky kultivim nuk arrihet dot nga rutinat e sistemit të sotëm arsimor. Por te ky parim duhet pasur shumë kujdes që sistemi arsimor të mos i shohë nxënësit vetëm si burime njerëzore dhe makina të gjalla të robëruara në kompani por si qenie njerëzore me nevoja, dëshira, kapacitete, potenciale, dhe ambicie të ndryshme. Sistemi arsimor japonez do të ishte shembull i këtij parimi.  2. Kulturor, t’i çmojnë vlerat e tyre tradicionale, kombëtare, fetare, dhe respektojnë diversitetin e të tjerëve. 3. Social, pjesëmarrje aktive në diskurset e ndryshme publike, siç janë përfshirja e komuniteteve të vogla në mbarëvajtjen dhe mikromenaxhimin e shkollave dhe institucioneve tjera arsimore, aktivitetet e drejtpërdrejta të nxënësve në vetrregullimin e sjelljeve të tyre, diskutime të ndryshme mbi drejtësinë, moralin, etikën, etj., dhe se si jetësohen ato në jetën e përditshme. Në disa shkolla kemi ca praktika të tilla! 4. Personal, arsimimi para se gjithash është ngritje personale. Nxënësit duhet parë si individë të veçantë, të ndarë, e jo si një tërësi, apo turmë njëkrerëshe! Nxënësit individualisht kanë prirje, talente dhe shkathtësi të ndryshme. Secili mëson në mënyrën e vet dhe ndryshe nga tjetri (inteligjencat e shumëfishta.)»

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor drejtoritë e arsimit anekënd qyteteve të republikës, kanë shpallur konkurset për mësimdhënës. Numri i madh i të diplomuarve në fusha të ndryshme, kanë aplikuar me shpresë që do të bëhen pjesë e sistemit arsimor në Kosovë, ndonëse konkurrenca është tejet e lartë. Njohës të fushës së arsimit, ndërkaq këshillojnë që përzgjedhja e kandidatëve duhet të bëhet në mënyrë profesionale, me shumë kujdes. Mësimdhënia është një mision i shenjtë, thonë ata!/Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet