Institucionet të gatshme për zgjedhjet e 6 tetorit

E rëndësishme është që e tërë fushata zgjedhore, e sidomos dita e zgjedhjeve, të kalojë pa incidente. Por po aq e rëndësishme është edhe ruajtja e votave të qytetarëve dhe evitimi i mundshëm i manipulimeve. Për këtë janë zotuar institucionet e sigurisë, të cilat në krye me KQZ-në, thonë që janë të gatshme për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit – shkruan Gazeta e Re.

E gjithë faza para datës 6 tetor, u shërben institucioneve, por edhe partive politike, që të përgatiten për këtë ditë. Garanci që vullneti i popullit është respektuar, janë vet akterët e përfshirë në organizimin dhe monitorimin e procesit zgjedhor.

Së fundi, në një konferencë për shtyp Koordinatorja Laura Pula ka bërë të ditur se për këtë proces janë të angazhuar mbi 100 prokurorë, të cilët do të veprojnë në regjione të ndryshme. Veç kësaj, është vendosur të angazhohen edhe 15 gjyqtarë. Këtë fakt e ka bërë të ditur Fatime Dërmaku, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Nga ana tjetër Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) së bashku me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në një takim me përfaqësuesit e partive politike kanë theksuar domosdoshmërinë që këto subjekte, bashkë me «kandidatët dhe mbështetësit e tyre për të kontribouar në krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe demokratike.»

Në këto palë zgjedhje është duke marrë pjesë edhe një grup vëzhguesish ndërkombëtar, përkatësisht nga Bashkimi Evropian (BE). Në një intervistë dhënë telegrafit Zëvendësshefi i Misionit të Vëzhguesve të Zgjedhjeve nga BE – Marian Gabriel, e ka bërë të qartë që roli i tyre nuk dallon shumë nga misionet e ngjashme në zgjedhjet e kaluara.

«Roli i vëzhguesve të BE-së është i njëjti sikurse në të gjitha misionet e zgjedhjeve të kaluara. Mandati ynë kryesor është të vlerësohet procesi i zgjedhjeve, dhe pastaj ta prodhojmë një raport të mirëfilltë mbi zgjedhjet në Kosovë. Natyrisht duhet të jemi të paanshëm gjatë vlerësimit të procesit zgjedhor.Dhe, kjo nuk është e gjitha që e bëjmë por, është pjesa e parë kryesore e mandatit tonë. Gjithashtu mundohemi me përmirësua procesin zgjedhor duke ofruar rekomandime për institucionet e Kosovës, dhe besojmë që këto rekomandime do të kenë ndikim në përmirësimin e procesit».

Sipas tij, bëhet fjalë për 100 vëzhgues, pjesë të këtij misioni, të cilët do të përpiqen t’i ndjekin nga afër zhvillimet, duke u shpërndarë në pikat kryesore zgjedhore, pra në disa lokacioni.

«Ekipi kryesor ka ardhur tashmë, ekipi bërthamë ka ardhur nga 15 shtatori. Momentalisht jemi nëntë ekspert në Prishtinë, që po i mbulojmë aspektet e ndryshme. Unë jam ai që po e kryesoj këtë ekip. Gjithashtu i kemi 18 vëzhgues afatgjatë që janë të trajnuar për këtë punë, si dhe 18 vëzhgues të huaj që po punojnë në ekipe nga dy, të cilët janë dërguar në nëntë lokacione të ndryshme në Kosovë, ku po i mbulojmë të gjitha komunat. Për shembull, kemi një ekip në Mitrovicën e Jugut që e mbulon edhe Vushtrrinë dhe Skenderajn, dhe një ekip në Mitrovicën e Veriut që po e mbulon Zubin Potokun, Leposaviqin dhe Zveçanin».

Ai ka njoftuar që një pjesë e tyre do të vijnë një ditë përpara fillimit të zgjedhjeve.

Të gjithë këta akterë, duke përfshirë edhe Policinë e Kosovës, kanë shprehur gatishmërinë që të jenë në shërbim dhe procesi të kalojë pa incidente, duke marrë përsipër që të ndiqen të gjithë ata që kanë synime të tjera, për t’i manipuluar apo shtrembëruar rezultatet./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet